31 Mars, 2020 - 7:00 pm
Nata e Vitit të Ri. Ora 2:20. Radioja transmeton muzikë. Kudo është qetësi dhe trishtimi i kitarës përhapet qetësisht në dhomë. Mami u shtri dhe gati e ka zënë gjumi. Ndërsa mua nuk më flihet. Sa njerëz në botë janë zgjuar në këto çaste. Kushedi. Njerëzit festojnë me kaq zhurmë largimin e një viti. Gëzohen. Iku edhe një vit. Po ç’ka këtu për tu gëzuar. Apo njerëzit shpresojnë se Viti i Ri do të jetë më i mirë me ta. Shpresojnë… Kurse unë ndiej një si frikë kur mendoj; kanë ikur kaq shumë vjet, është viti i njëzetë që jetoj dhe nuk kam bërë asgjë, të duket si ëndërr.
Po ç’mund të bësh? Po njerëzit e tjerë ç’bëjnë? Përse jetojnë? Rriten, martohen, bëjnë fëmijë, përpiqen, luftojnë, plaken. Po përse të gjitha këto? Sivjet më duket se nuk shkruajta asnjë kartolinë. Nuk di ç’të shkruash. E ç’duhen ca urime banale, standarte, me ca rreshta sentimentale, pa asnjë lidhje me jetën.
Megjithatë, njerëzit e duan kaq shumë festën. Edhe unë e dua. Jeta ka nevojë për festa, për gëzim. Edhe ne e festuam VItin e Ri. Çdo gjë duket e qetë në sipërfaqe, bile mundohesh ta bindësh edhe veten se po gëzohesh; ç’hipokrizi! Kurse në shpirt ke kaq shumë trishtim. Babai dhe daja sigurisht tani flenë. Na kanë kujtuar në mbrëmje, e kanë festuar edhe ata në njëfarë mënyre dhe tani flenë. Ndërsa Agroni as që dihet se ku është.
Edhe ti mbase më ke kujtuar. Po në mënyrën tënde. Në botë bashkëjetojnë gjëra kaq të kundërta. Kjo është e pamundur.
“Sa të marrësh frymë shpreso.” Lamartin
Se ç’mund të kemi tjetër veç Shpresës? Dhe si mund të jetonim pa të?