5 Prill, 2020 - 10:18 pm
Gjysmë shekulli pas mbytjes së planetit,
Kthehem te shokët, si i dalë nga varri;
I huaj në atdhe. Si peshqit jashtë detit
Përpëliten njerëzit: mbeturinat e tiranit.
Në gjyq para kohës: zjarri dhe hiri,
I kërkojnë njëri-tjetrit llogaritë e fajit.
Zbuloj në vatër, duke i fryrë çdo kongjilli
Gjyqin e fundit që i bëhet njerëzimit:
Përse u rrëzua kështjellë e ustait?
Duke ia shoshitur miellin mullirit
Duke e ndarë vajin nga zhumarja e ullirit,
Duke kulluar dyllin që i shkriu qiririt
Duke ia mjekuar pagët fakirit,
Kërkoj fytyrën e pastër të idealit,
Gjurmët e nderit, në flakët e zjarrit,
Në besën e thjeshtë të motrës e vëllait.
E shoh mjegulluar si hënë nëpër re
Nusen e bukur që po vjen stolisur,
Që frymëzoi ringjallja e besimit,
Besa në Zotin që ndërtoi qytetërimin
Për një strukturë të një bote të re
Nga hiri i botës së vjetër bitisur
Ringjallja e fortë e idesë prej mitit
Për shekull të ri që duhet krijuar
Të këndojë një këngë, që kurrë s’qe kënduar.
Një këngë epopeje, si në kohët e arit
Që kurrë s’guxoi një gojë këngëtori,
As në pagëzime as në shkallë të altarit,
As në vijat e para të zjarrit,
As në vatrën e thjeshtë të arbërorit.
Isuf LUZAJ “Përtej së Mirës dhe së Ligës” f.121/KultPlus.com