Baba, s’na ka lanë kurrë me kuptu që ishim të varfër

20 Prill, 2020 - 2:45 pm



Nga Dafina Shehu

Baba, s’na ka lanë kurrë me kuptu që ishim të varfër.
Na ka siguru gjithmonë miell, vezë, vaj dhe fasule.
At kohë kam mendu se e tan dynjaja han ashtu.
Bile ka pasë raste që kam mendu se ishim shumë të pasur.
Shtëpia ishte e vjetër dhe pothuajse e shkatërruar.
Dyert dhe dritaret ishin të qara dhe dimri për ne ishte një torturë e madhe.
Baba, s’na ka lanë kurrë me kuptu që ishim të varfër.
Prej gojës së tij asnjiherë se kemi ndi tuj ankue ose tu qa naj dert.
Ka qenë gjithmonë pozitiv dhe optimist ndaj jetës, me gjithë ato barra të rënda që mbante mbi supe.
Puna e tij ka qenë e ndershme dhe gjithmonë asht ndi krenar kur ka dalë në shesh me tezgën e tij të vogël.
Krejt çka ka mujt me shit, janë kanë, farat, kikirikat dhe lajthit.
Mbante edhe nji peshore anash.
Krejt çka ka mujt me fitu, janë kanë 3-4 euro prej mëngjesit deri në dark.
Baba, s’na ka lanë kurrë me kuptu që ishim të varfër.
Çdo mbramje ka sjell diçka me hanger, edhe pse ai vet s’ka fut gja në gojë.
Ai ka qenë heroi ynë.

Si fmij mbaj mend shumë kujtime dhe ngjarje.

Kur mbusha 6 vjet hyra në klasë të parë.
Isha shumë i emocionuem; për botën e re dhe çdo gjë që do t’më sillte ajo.
Në javën e parë nana m’kapi përdore dhe shkuem bashkë në librari.
Më blejti fletore, lapsa e ngjyra.
Mezi prisja që me ato ngjyra të pikturoja botën e re.
Po ajo se çka unë kam ëndërrue gjithmonë, ka qenë çanta.
E përfytyroja veten me nji çantë shpine dhe se sa shumë do të më ngjante.
Nana gjithmonë m’thoshte se kur të hyjsh në shkollë kam me ta ble çantën.
Dhe ne ishim aty, në çastin e ëndërruem.
Unë i shikoja çantat me nji dashni të madhe; sytë e mi shkëlqenin para tyre.

Ëndërrimet e mia u zhduken kur nana iu drejtua shitësit:
-Te tana bre bir qenkan të bukura dhe me shije, qenkan të qëndisuna qysh asht ma s’mirti.
Po a nuk keni diçka ma të thjeshtë për djalin tem, diçka që asht edhe e damtume e që mundem me marr me nji çmim ma të lirë.

Ka qenë hera e parë që nanës iu ka dridhë zani, ose hera e parë që unë nanën e kam pa kaq të dobët para meje.
Edhe shitësi u vu ngushtë.
“E kam nji çantë që fiks do i shkonte tët biri zonjë.
Ejani nesër në të njëjtën kohë dhe merreni”.

Shitësi ma dha çantën e tij, që e runte në sirtar si kujtim.
Ma dha se e dinte se do ta çmoja dhe do të kujdesesha për të në të njëjten mënyrë.
U gzova për çanten por kurrë nuk do e harroj trishtimin në sytë e nanës që çantën nuk mundi me ma sigurue ajo.
E unë atë çast kurrë nuk do e harroj, kur kuptova për herë të parë, se ishim aq të varfër sa nuk mundnim me ble qofte nji çantë të vetme.

Nji herë baba u kanë goxha smute, dy ditë nuk asht përmend hiç.
Unë e nana dolëm në sheher me i sigurue babës barnat që i duheshin..
Prej një farmacie në tjetrën, tuj mundue me i marrë borxh (veresi), ama asnjana nuk pranonte.
Ishte kohë krize.
-Biri jem, ti m’prit ktu, afër qendres… unë do e shikoj edhe at farmacinë atje lart, mirëpo ti mos hajde që t’lodhesh, m’prit ktu se kthehem shpejt.
Unë prita prita dhe u lodha, pastaj u ula në bllok, e pastaj m’kish nxanë gjumi krejt.

Kur u përmenda, afër kokës pashë shumë monedha të grumbullueme.
Unë kurrë nuk jam ndi i varfër, mirëpo pamja ime nuk e thoshte të njëjten.
Njerëzit humanistë, më kishin ndihmue, pa e ditë edhe unë se kisha nevojë për ato para. .

-Nanë, me kto para, babës kemi me i ble barnat…dhe nanë, baba s’ka nevoje ma me dalë në tezgë me punueee:))

Nana ia plasi vajit. .

Ka qenë hera e dytë që e kuptova sa të varfër ishim.

Humbja e babës, ka qenë humbja ma e madhe që e kam provue në jetë.
Edhe tash që u rrita e u bana burrë.. kurgja s’em ka dhimtë ma s’shuemti se ikja e tij.
Prej moshës 10 vjeçe unë kam qenë burri i shpisë, burri i kasolles së vjetër, me dyer dhe dritare të harrnueme.

Dy vjet pas vdekjes se babës, shoqata e jetimave, na vizituen e na siguruen ushqim të bollshëm.
Ka qenë hera e parë që shpinë e kam pa te mbushun me ushqime të llojllojshme.
Shoqata na i rregulloi dyert dhe dritaret.
Tash nuk hynte pluhuni dhe as era dhe i ftohti nuk depërtonin.
At natë e kam ndi shumë mungesën e babës, dhe nevojën që ai me qenë prezent afër nesh, me pa që ma nuk fryen ftohtë dhe nuk kemi nevojë me i mbulue kokat me qarqaf.
Baba, kurrë s’na ka lanë me kuptu që ishim të varfër.
Ne ishim shumë të pasur, ne e kishim njëri-tjetrin, e kishim Zotin, dhe e kishim shpresën për të nesërmen.
Baba s’ka mujt me na sigurue ushqime të bollshme ose shtëpi luksoze, ama baba na ka dhurue dashni të pakufishme, na ka dhurue qelësin e jetës, na ka dhurue shpirtin optimist të tij.

Unë e kam shpirtin e babës, dhe nuk jam i varfër. / KultPlus.com

Të ngjajshme