22 Prill, 2020 - 1:00 pm
Listës së shteteve që do t’i japin fund izolimit dhe do të rihapin vendin i shtohet edhe Georgia, SHBA.
Duke filluar që nga dita e premte, Georgia do t’i lejojë bizneset të hapen gradualisht, të paktën kështu ka bërë me dije në fillim të kësaj jave guvernatori i vendit, Brian Kemp.
Palestrat, sallonet e bukurisë, qëndrat e fitnesit apo estetikat do të hapen që të premten dhe sipas tyre nuk ka asnjë problem për aq kohë sa ndiqen rregullat e distancimit social dhe të higjenës.
Ndërsa të hënën e ardhshme pritet që restorantet dhe kinematë t’i kthehen punës, sigurisht duke zbatuar rregullat e reja të nevojshme. Përsa i përket bareve, club-eve dhe qëndrave të tjera të argëtimit do të duhet ende pak kohë, derisa të vijë një njoftim i miratuar nga ekspertët e shëndetit publik.
Georgia ka patur rreth 18,947 njerëz të infektuar dhe 733 vdekje deri ditën e hënë.
Një vendim i tillë ka alarmuar kryetarët e bashkive, duke e quajtur si vendim të nxituar, të shkujdesur dhe shumë të rrezikshëm hapjen e ekonomisë në këtë moment.
Edhe në Europë, shumë vende kanë nisur t’i rikthehen normalitetit të ri. Javën e shkuar, Danimarka ktheu fëmijët në shkollë, ndërkohë që masat lehtësuese kanë filluar edhe në Republikën Çeke dhe Austri. Në Austri, është parashikuar që muzetë të hapen nga mesi i muajit maj. /KultPlus.com