Poezia e Din Mehmetit

7 Maj, 2020 - 7:30 pm

Nga: Albanikë Ymeri

Nëse letërsia është projektim individual i jetës dhe botëkuptimeve ndaj saj, atëherë vepra letrare është reflektim i ideve dhe mendimeve autoriale, të paraqitura në një formë të caktuar poetike. Si e tillë, vepra letrare prezanton individualitete dhe origjinalitete të veçanta krijuese, të cilat përbëjnë botën e shkrimeve letrare. Edhe në letërsinë shqipe kemi krijime të tilla, origjinale dhe moderne në secilën formë. Një vend të rëndësishëm në mesin e letrave shqipe zë edhe krijimtaria poetike e Din Mehmetit (1929 – 2010).

Përmes veprave të tij :“Në krahët e shkrepave”, “Rini diellore”, “Dridhjet e dritës”, “Heshtja e kallur”, “Ora”, “Ikje nga vdekja”, “Fatin tim nuk e nënshkruaj”, “As në tokë as në qiell” do të shpalosim veçoritë tematike, simbolike dhe figurative, elemente të cilat do t’i trajtojmë të përmbledhura, përgjatë këtyre vëllimeve në fjalë.

Poezia e Din Mehmetit, përshkohet nga një subjktiviteti i thellë shpirtëror, i cili artikulohet si këngë e vajit, durimit dhe mallit për të kaluarën historike dhe personale, për të paarritshmen, dashurinë, lirinë dhe njeriun. Prandaj, në çdo poezi, edhe kur konteksti ndryshon, uni i tij lirik është aty, i pranishëm gjithmonë për të komunikuar me lexuesin e tij.

Si krijime artistike poezitë e Mehmetit, shquhen për dendësinë e madhe kuptimore, për përdorimin e simboleve të shumta dhe të gjuhës figurative. Prandaj për kuptimin e saj, duhet të nisemi nga këto karakteristika, të cilat janë indentifikues për poezinë e këtij shkrimtari.

Që në sprovat e para krijuese, krye tema e poezive të Mehmetit, është, malli për vendlindjen, për jetën fëmijërore dhe njerëzit e saj. Ky është ambienti ideal i bukurisë dhe lumturisë, i cili ka arritur gjithmonë, në çdo kohë, për ta frymëzuar poetin.
Për këtë mundemi të përmendim një varg të poezive, por po ndalemi tek poezia “Në rrezet e katundit tim” në përmbledhjen e parë “Në krahët e shkrepave”, ku kujtojmë vargjet:

“Katundi im syhapun mali – gjak i dejve t’mij
O, ti djepin e drunit ma ruen diku,
N’fytin e çerdhes së përgjakun, shum herë n’bregore,
Ku thekshëm rreh dielli i zemrës së nanës
Mbas gjurmave t’mija n’blozhmen e shkambores” .

apo poezinë “Rruga” ku shprehet malli për familjen ose poezinë “Tregmi”, ku përshkruhet jeta e malësorëve.

Kur jemi tek tema atdhetare, Din Mehmeti, përdorë një mori simbolesh. Përmes tyre, ai shpalos dashurinë, krenarinë ose vuajtjen për popullit e tij, fatin e të cilit asnjëherë nuk e nënshkroi. Ndër këto simbole më të shquarat janë, simboli i kullës, kështjellës, pylllit, që janë simbolikë e qëndresës dhe lashtësisë kombëtare:
“Nëse doni të dini cila është dashuria ime, le të flasë kulla ime e shpuar…”; “Erdhën ekspertët dhe e nënshtruan pyllin në hartë / ia kërkuan zemrën ec e nxirre atë nga shkëmbinjtë”.

Si simbol tjetër nënvizojmë edhe simbolin e këngës, që është i përsëritur vazhdimisht nga vëllimi në vëllim, për tu njëjtësuar kështu me trashëgiminë kulturore shqiptare, e përcjellur brez pas brezi: “Por, të lutem ruaje ëndrrën e kësaj toke jetime, Gazin e kësaj çerdhe ku linde… / Këngë e shtrejtë, Ti je ofshamë e shpirtit…”

Këto simbole janë të shpërfaqura në poezi të ndryshme, por ndër to theksojmë edhe poezitë si “Kanga”, “Intime”, “As vdekje kurrë”, “Toka e këngës së zjarrtë”, “Pylli në hartë”, “Dialoge me kullat” ejt. Mirëpo në poezinë “Kosovë zog i diellit”, në përmbledhjen poetike “Ikje nga vdekja” si duket autori ka bashkuar të gjitha këto simbole, për të ngritur në piedestal dashurinë dhe krenarinë për atdheun:

“Të dua kur qeshi kur qaj
Kur ngrihem kur zbres
Kur eçtohem kur kam uri
Kur dashuroj kur çmendem” (2- 306)

Një tjetër motiv i poezive të Mehmetit është edhe dashuria ndaj njeriut dhe njerëzores në përgjithësi, poezi të cilat mundemi t’i quajmë sociale. Në këtë tematikë përmendim poezitë si “Njeriu”, “Kanga e zezakut”, “Luftë televizive”, “Ne bukuri”, “E kërkoj njeriun” etj. Ndoshta ky është njëri nga misionet e poezive të Din Mehmetit, reflektim i të cilit janë edhe vargjet e poezisë ” N’kambsore e vargut tim”:

“Dil vargu im!
Merri dhimbjet e mija t’bredhuna
N’për hijet e rrugëve të ndrydhuna me gëzime e lot..
Zemrën ta fala si fëmi, Do të qeshi dhe qaj për ty, Njeri…”

Mirëpo, kjo dashuri bëhet më e madhe për njeriun shqiptar, i cili asnjëherë nuk njohu përkuljen para armikut dhe vështërsive. Një poezi tipike e kësaj natyre është poezia “Krismë është emri im”, në të cilën, autori, paraqet fatin e kobshëm të popullit tonë, që e ka ndjekur gjatë gjithë historisë:
“Merre tupanin, bir
E dil në kodër të fshtatit, më tha babai
Në kodrën e humbjeve dhe qëndresave tona…”

“Këtu do të qëndrojmë
Edhe sikur të rrënohet mbi ne murana e qiellit
Se më lehtë është të vdesish ku të njohin,
Ku të përcjellin i madh e i vogël deri te varri …”

Kjo dashuri zbërthehet edhe më shumë përmes portretizimeve të gjalla që poeti i bën dashurisë prindërore, të nënës dhe babait për fëmijët, largimit të shokut, të dashurisë rinore, dhe ndaj vashës malësore. Poezi të tilla janë: “Kushtue babës”, “Syt që shkrepin dashni”, “Lutje”, “Letër s’kam për ty”, “Kanga e thjeshtë”, “Mallkimi i gjakut”, “Zogza e Dukagjinit”, “Malsores”, “Tue soditë”, “Portreti i një gruaje”, “Pa ty”, “Darkë do të ha me mitet” , etj. Në këtë mënyrë poeti ka arritur që karakterin e njeriut tonë të e zbërthejë në aspektin social, por edhe në atë psikologjik.

Një pjesë e poezive i kushtohet krijimit të saj, meqë në këtë rast kuptojmë rëndësinë e poetit dhe krijimeve poetike. Prandaj poezia e Mehmetit, nuk është vetëm poezi, ajo është këngë e përjetësisë, e unit shpirtëror dhe kolektiv, është ringjallje në lindjet e reja. Nëse i referohemi vargjeve të tij, poezia, është një pasqyrë që krijon hartën e re të botës me gjakun e poetit. Të tilla janë poezitë si “Me lini të digjem”, “Pakëz në ëndërr pakëz në zhgjendër”, “Këndo ose vdis pa klithmë”, “Poezia”, “Pa titull”, “Autoportret”, “Ajo kohën e gjen vetë”, “Kurrsesi të ndërroj formë”, etj.

Në këtë tërësi vëllimore poetike, hasim edhe poezi me nuanca filozofike, të cilat shfaqen si poezi meditative për melankolinë e jetës, për të parritshmen, për të kaluarën që nuk kthehet, për luftën në mes të keqës dhe të mirës, për shpresat e humbura dhe krenarinë e zhveshur. Ndër to theksojmë poezitë si “Vetmija”, “Rrjedhjet”, “Në kadin e shpresës”, “Dje sot nesër”, “S’më le koha të bëhem kohë”, “Koha mbetet kohë”, “Edhe drita”, “Fanari”, “Vdekja e dritës”, “Rruga e drejtë”, “Antishah”, “Mjegull është”, “Pikëllim”, etj.

Kjo është, pra gama e madhe tematike e poezive të Din Mehmetit, të cilat realizohen përmes një gjuhe të pavarur poetike. Sigurisht, që kjo arrihet, duke u mbështetur në një llojshmëri simbolesh, të cilat ndryshohen sipas kontekstit, dhe kështu marrin një funksion të veçantë brenda veprës.
Kësisoj, kuptojmë sesa e rëndësishme është përdorimi fikurativ i fjalës, për poezitë e Din Mehmetit. Amalgamë fikurash, nga të cilat, mund të përmendim përdorimin e metaforës, që përveç funksionit stilistik bartë edhe funksionin semantik (ndonjëherë përdorimi i tepërt i saj humb vlerën e poezisë). Gjithashtu hasim përdorimin e ironisë, antitezave, krahasimeve, etj. Ajo çka e karakterizon edhe më tepër poezinë e Mehemtit, është, jokanonizimi i vargut apo strofave të poezive. Ndërsa në stil, poezia e tij është e ndikuar nga poezia popullore, prandaj, jo vetëm në shprehje, por edhe si strukturë, vargu i tij del herë-herë prozaik.
Derisa simbolet këngë, tokë, pyll, kullë ishin simbole të poezisë atdhetare, simbolet diell, dritë, shi, tym, erë, fërfëllëzë, rreze, kuq dhe zi, ishin simbole figurative, të cilat kishin kuptime të veçanta dhe jo parësore. Gjithashtu, duhet theksuar se gjatë leximit, poezia e tij, nuk të rrëmben me muzikalitetin e saj, pasi që melodia ritmike, nuk është e rëndësishme për poetin aq sa është e rëndësishme thellësia kuptimore që poezia duhet të bart. Prandaj, atë e përshkon një frymë nostalgjike e dhimbjeve të pakompenzueshme me asgjë tjetër, përveçse me poezinë.

Një interpretim i tillë për të indentifikuar karakteristikat themelore të poezisë të Din Mehmetit, jo vetëm që është njohje për poezinë bashkëkohore shqipe në tërësi, por në të njëjtën kohë zhvillohet edhe mendimi vlerësues për krijimet poetike në pëgjithësi.


[1]  Mehmeti, Din: Në krahët e shkrepave, Drenusha, Prishtinë 2009, fq. 33

[2] Mehmeti, Din: Ikje nga vdekja, Drenusha, Prishtinë, 2009, fq. 306

[3] Mehmeti, Din: Në krahët e shkrepave, Drenusha, Prishtinë, 2009, fq.117

4 Mehmeti, Din: Dridhjet e dritës, Drenusha, Prishtinë, 2009, fq.117

Të ngjajshme