24 Maj, 2020 - 5:00 pm
Poezi nga Timo Flloko
Me lajme të trishtë vdekjesh, erren ditët,
Krah makthit, ankthit dëshpërues të netëve,
Covid – 19: Frikë e tmerr për jetën,
Për botën mbarë, për njerëzit dhe veten.
Rreken shkencëtarët, pa mundur ta ndalin,
Këtë vrasës të padukshëm, tinzar e i kobshëm,
Komplot i fshehtë, djallëzor të jetë ky, vallë,
Fatalitet absurd, i përmortshëm…?!
Apo mallkim qiellor për faje tokësore,
Për shkaqe të errëta, që s’ua gjejmë kuptimin…?
Nga erdh’ ky fat i keq e ra si kryq i tmerrshëm,
Mbi shpinë të planetit tonë, si ndëshkim?!
Pandemi e përbotshme, sa jetë po shuhen…
Përkundër vdekjes, vendosëm izolimin,
Ngujimim pa kohë, me muaj, ditë e net,
Si të vetmen udhëdalje shpëtimi…
Sado t’ia ndalësh frymën, njeriut në dobësi,
Mbyllur si në burg, t’ia privosh lirinë,
Etjen për jetë, shpresën dhe shpirtin e tij,
S’mund t’i prangosësh, t’iu vësh karantinë…
Ndale dorën vrasëse, virus i mallkuar,
Grykës i panginjur, që po na e sos durimin,
Jo mijëra… por miliona jetë sikur të marrësh,
Nuk mund ta shfarrosësh dot kurrë njerëzimin.
Nga hiri i vet mitik, do rilindë si feniksi,
Mjerë kush e shpërfill, fuqinë e të pambrojturit,
Që vdekjes i bën sfidë, e mposht a bëhet fli,
Në emër të jetës, që ia fali Zoti!