6 Nëntor, 2017 - 4:08 pm
Në Gjilan sot është bërë promovimi i projektit online “Biblioteka ime”, që është ende në fazën e pilotimit, por që ka qëllim digjitalizimin e gjithë literaturës së Bibliotekës së Qytetit “Fan S. Noli”.
Ky projekt mundëson, përpos leximit elektronik, edhe krijimin e databazës së këtij institucioni dhe statistikat e tjera që kanë të bëjnë me leximin, moshat, librat dhe autorët më të lexuar dhe detajet të tjera brenda një domeni dhe gjithçka në formë elektronike.
“Si program po lansohet sot pas atij që tashmë ka filluar në shëndetësinë primare dhe do të vazhdohet edhe me programe të tjera të ngjashme. Apliko online, home Komuna, e-kiosqet, e-prokurimi, e-shëndetësia dhe tash Biblioteka Ime, janë projekte që Gjilanit tashmë i kanë dhënë epitetin e risive në nivel vendi, sa i përket përdorimit të teknologjisë informative në dhënien e shërbimeve për qytetarë”, ka thënë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, me rastin e inaugurimit të këtij projekti.
Ai po ashtu tha se Kuvendi në përbërje të re në vitin e ardhshëm do të bëjë emërtimin e kësaj Biblioteke me emrin e Beqir Musliut.
Gazmend Jakupi nga zyra e IT-së në Gjilan, ka thënë se ky program elektronik, bibliotekaime.com, është në funksion të digjitalizimit të shërbimeve, krijimin e lehtësirave më të mëdha dhe zgjerimin e numrit të lexuesve, duke mundësuar leximin e titujve që i posedon kjo Bibliotekë nga një telefon apo pajisje tjetër, që ka qasje në internet.
Ndërkaq, Qazim Azizi, drejtor i Bibliotekës “Fan S. Noli”, ka thënë se ky program është një lehtësim shumë i madh për stafin që punon këtu, por edhe për krijimin e databazës së sakt për librin dhe digjitalizimin total të librave, veprave të ndryshme të autorëve, por edhe digjitalizimin e gjithë arkivit që ka në menaxhim kjo Bibliotekë./ KultPlus.com