26 Maj, 2020 - 11:00 pm
Qendra e Botimeve për Diasporën zhvilloi sot online mbledhje me përfaqësues të mësuesve të gjuhës shqipe në Angli ku morën pjesë mësuesit: Aida Haziri dhe Anila Kadija të Shkollës Shqipe pranë shoqatës “Ardhmëria” dhe Talat Pllana i Shkollës Shqipe “Kosova”.
Ndër të tjera, në takim u diskutua mbi mënyrën e organizimit të mësimit të gjuhës shqipe në Angli, hartimin e një politike mbështetëse promocionale për promovimin e gjuhës shqipe jashtë vendit, hartimin e teksteve të përshtatshme për mësimdhënien në diasporë, organizimin e trajnimeve të mësuesve të gjuhës shqipe, pajisjen me certifikata të njohjes së mësimdhënies të mësuesve dhe nxënësve etj.
Pjesëmarrësit vlerësuan mundësinë e përdorimit të platformës digjitale të mësimdhënies të ofruar nga Qendra e Botimeve për Diasporën, si dhe mundësinë e pajisjes me fjalorët dygjuhësh shqip-anglisht dhe literaturën plotësuese, gjithashtu të ofruar nga QBD-ja.
Mbledhjet zhvillohen në kuadër të marrjes së informacionit, trajtimit dhe zgjidhjes së problematikave lidhur me arsimin shqip në Diasporë, dhe do të vijojnë edhe me përfaqësuesit dhe drejtuesit e lidhjeve të mësuesve të gjuhës shqipe në vendet e tjera. /KultPlus.com