31 Maj, 2020 - 11:00 am
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, ka bërë thirrje Qeverisë dhe Komunave të marrin masa urgjente lidhur me zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, shkruan KultPlus.
“Edhe pse mbrojtja e të drejtave të fëmijëve garantohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, fëmijët nuk janë trajtuar me prioritet nga qeveritë e deritanishme qendrore e lokale”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e tyre.
Këtu keni njoftimin e plotë:
“KOMF thirrje Qeverisë dhe Komunave të marrin me urgjencë masat për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve.
Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve – 1 Qershorit, KOMF i bën thirrje Qeverisë dhe komunave të marrin me urgjencë të gjitha masat e nevojshme për fillimin e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, i cili do të hyjë në fuqi në muajin Korrik 2020. Ky duhet të jetë prioritet absolut i të gjithë sektorëve në nivel qendror dhe komunal, duke pasur parasysh gjendjen e rënduar të fëmijëve edhe si pasojë e pandemisë Covid-19.
Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve këtë vit i gjen fëmijët në një gjendje akoma më të rënduar, si pasojë e pandemisë Covid-19, ku shumë fëmijë kanë mbetur pa shërbime dhe mbrojtje. Periudha e zgjatur e izolimit, kushtet e rënda të jetesës dhe vështirësitë financiare kanë ndikuar në rritjen e përdorimit të dhunës ndaj fëmijëve dhe në përgjithësi rritjen e dhunës në familje. Përveç kësaj, gjendja e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe e prindërve të tyre është rënduar edhe më shumë gjatë pandemisë. Fëmijët me aftësi të kufizuara kanë mbetur pa shërbimet esenciale sociale, shëndetësore e rehabilituese, si edhe pa mbështetjen e nevojshme psikologjike. Kriza dhe masat e izolimit kanë ndikuar në përkeqësimin e shëndetit mendor, prandaj mbështetja profesionale ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe prindërve të tyre është e rëndësishme dhe e domosdoshme. Fëmijët e përfshirë në punë të rënda, edhe gjatë pandemisë po vazhdojnë të jenë në rrezik për jetën, shëndetin dhe po ekspozohen ndaj abuzimit, shfrytëzimit seksual dhe trafikimit.
Edhe pse mbrojtja e të drejtave të fëmijëve garantohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, fëmijët nuk janë trajtuar me prioritet nga qeveritë e deritanishme qendrore e lokale, qoftë në zbatim të politikave, legjislacionit, ndarje të buxhetit apo ofrim të shërbimeve.
Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve është aprovuar me datë 27 Qershor 2019, nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe parashihet të hyjë në fuqi në muajin Korrik 2020. Prandaj kjo thirrje i drejtohet Qeverisë dhe Komunave, për të marrë me urgjencë masat për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve.
Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve ka për qëllim të mbrojë fëmijën nga të gjitha format e dhunës, abuzimit, apo ndonjë forme tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin dhe zhvillimin e fëmijës. Ky ligj ka për qëllim të sigurojë përgjegjësitë e prindërve, familjes, organit të kujdestarisë, shoqërisë dhe të shtetit në kujdesin, mbrojtjen dhe zhvillimin e fëmijës, si edhe ngritjen e sistemit të integruar e funksional të mbrojtjes së fëmijës.
Fëmijët përbëjnë 30% të popullsisë së Kosovës, prandaj Qeveria dhe komunat duhet të investojnë në këtë potencial për të krijuar një shoqëri të shëndoshë dhe një fuqi punëtore e cila në të ardhmen do mund të kontribuojë më shumë në zhvillimin ekonomik të vendit. Investimi në fëmijë është i domosdoshëm për Kosovën e cila proklamon mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
KOMF poashtu njofton që përgjatë gjithë javës, duke filluar nga nesër 1 Qershor, do të zhvillojë aktivitete në vazhdimësi për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për respektimin e të drejtave të fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre”. / KultPlus.com