1 Qershor, 2020 - 9:18 pm
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje për drejtësi në ditën ndërkombëtare të fëmijëve, shkruan KultPlus.
Në profilin e saj në Facebook, Osmani ka publikuar një video në të cilën shpalosen fotografi të fëmijëve që u ndanë nga jeta gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Gjatë luftës së fundit, 1133 fëmijëve, disa prej tyre foshnje disajavëshe, iu pre jeta ende pa e nisur mirë. ‘Faji’ i vetëm i tyre qe ëndrra e tyre, bota e tyre e çiltër dhe shpresa për ta jetuar jetën në një botë të lirë. E, ata kishin lindur në një vend në të cilin liria ishte e kërcënuar dhe përkatësia etnike e familjare trajtohej si argument i mjaftueshëm për t’i ndarë ata nga jeta. 109 fëmijë sot e kësaj dite rezultojnë ende të zhdukur.
Fëmijët e vrarë në Kosovë, më shumë se në çdo luftë tjetër në hapësirat e ish-Jugosllavisë, po të krahasohen me numrin e përgjithshëm të viktimave, janë thirrja e vazhdueshme e ndërgjegjes për mizorinë ndaj qenieve më të pafajshme në botë, fëmijëve.
Secili emër i tyre, të cilin ne e sollëm në kujtesë sot në ditën ndërkombëtare të fëmijëve, na e rrëfen një histori më vete, e të gjithë së bashku jehojnë si thirrje e përhershme për ta kujtuar të kaluarën, ëndrrën e këputur, nga e cila, megjithatë, lindi dhe po rritet Republika jonë.
Por, nëse Republika po lëshon shtat, nëse pavarësia e Kosovës është mbërritur, bashkë me moshën e republikës po rritet edhe distanca me përjetimin, me historinë tone, gjurmët e së cilës mund të treten një ditë. Prandaj, bashkë me shtatin e Republikës, duhet të rritet edhe vetëdija për themelet e saj, për dhimbjen e përhershme mbi të cilën lindi ajo. Thirrja e 1133 fëmijëve duhet të kumbojë çdo ditë në veshët tanë, që shtetin ta bëjmë strehë të sigurt dhe vend në të cilin fëmijët e Kosovës do ta ndërtojmë të ardhmen e tyre.
Ne nuk mund ta shfletojmë faqen e së nesërmes nëse nuk sigurohemi se e kemi lexuar vëmendshëm dhe e kemi mbajtur në mend mësimin e së djeshmes.
Liria nuk do të ketë kuptim pa drejtësi për njëmijë e njëqind e tridhjet e tre fëmijët që i morën nga ne”, ka shkruar Osmani. /KultPlus.com