3 Qershor, 2020 - 10:00 pm
Prokurori i Përgjithshëm i Minnesotas, Keith Ellison, ka vendosur të ngrejë akuzë kundër ish-policit Derek Chauvin, për vrasje të shkallës së dytë, lidhur me rastin e George Floydit, dhe ka ngritur akuzë ndaj tre zyrtarëve të tjerë të përfshirë në incident, më shumë se një javë pasi që kanë shpërthyer protestat në SHBA.
46-vjeçari Floyd, vdiq pasi Derek Chauvin, kishte mbajtur gjurin në qafën e Floydit për gati nëntë minuta më 25 maj, duke ringjallur çështjen e brutalitetit të policisë ndaj afro-amerikanëve pesë muaj para zgjedhjeve presidenciale në Amerikë.
Chauvin, 44-vjeçar, ishte përjashtuar nga vendi i punës dhe javën e kaluar u akuzua për vrasje të shkallës së tretë. Akuza e re, ajo për vrasje të shkallës së dytë, mund të sjellë dënim për ish-policin deri në 40 vjet burgim, 15 vjet më shumë se që ishte maksimumi i dënimit të mundshëm për vrasjen e shkallës së tretë.
Të tre zyrtarët tjerë që ishin të përfshirë në rast – Thomas Lane, J. Alexander Kueng dhe Tou Thao – do të akuzohen për ndihmë dhe mundësim të vrasjes, ka raportuar gazeta “Star Tribune”.