4 Qershor, 2020 - 3:33 pm
Uta Ibrahimi në vitin 2017 u bë femra e parë shqiptare që ngjiti Everestin duke rrënuar kështu paragjykimet gjinore e etnike si dhe duke lobuar në mënyrën më të veçantë për Kosovën e Shqipërinë.
Tashmë, Uta ka botuar librin e saj për fëmijë “Uta e Maleve”. Libri u prit shumë mirë dhe fëmijët që tashmë e kanë lexuar atë, kanë krijuar ilustrimet e tyre unike të inspiruara nga libri duke ia dorëzuar ato heroinës së tyre të maleve – Utës.
Libri përmes ilustrimeve dhe rrëfimit flet për eksperiencën e ngjitjes së majës më të lartë të botës nga Uta dhe e ndërlidh atë me dashurinë e pangopshme që ajo kishte për natyrën qysh si vajzë e vogël. Qëllimi i Utës është që me rrëfimin e saj të inspirojë fëmijët për të vazhduar ëndrrat e tyre deri në realizim si dhe t’i vetëdijesojë ata për madhështinë e rëndësinë e natyrës.
Nuk ka kaluar as një muaj nga botimi i librit “Uta e Maleve” dhe një ndër magazinat më të famshme maqedonase “Portrait” e cila publikon fragmente e copëza nga libra të ndryshëm të cilët konsiderohen si arritje të larta në fushën e letërsisë dhe artit figurativ e grafik kanë përzgjedhur librin “Uta e Maleve” si një ndër librat më të mirë për fëmijë.
Biografia e Katerina Nikolovska e cila ka ilustruar librin “Uta e Maleve” është publikuar në revistë dhe Portrait e cilëson atë si një vepër që duhet të zë vend në bibliotekën e secilit fëmijë.
Linku i publikimit: https://bit.ly/305zADA / KultPlus.com