8 Qershor, 2020 - 9:00 pm
Ndryshe nga vitet e tjera, këtë herë për shkak të kushteve të Covid-19, maturantët shkuan në provim me maskë dhe doreza të vendosura. “Nuk ishte e vështirë, e përballuam mirë”, shprehet një maturant pas provimit. “Nuk kishte vështirësi, nuk kishte diçka që mund të na bënte të ndiheshim të parehatshëm, ishte mirë”, thotë një tjetër.
Në çastet e para të hyrjes në provim maturantët e gjimnazit “Petro Nini Luarasi” në Tiranë u grumbulluan në oborrin e shkollës dhe u vu re se distanca fizike nuk u ruajt. Ndryshe ndodhi në dalje të provimit, ku maturantët u pritën nga mësuesit në ambientet e jashtme të shkollës. Provimi nisi në orën 10:00 dhe përfundoi pas 2 orësh, kohë që sipas maturantëve ishte e mjaftueshme. Kjo sepse testi ishte vetëm me pyetje me alternativa.
Për një pjesë të mirë të maturantëve provimi i parë, ai i gjuhës së huaj nuk rezultoi i vështirë. “Ishte shumë i thjeshtë, ishte i përmirësuar dhe ishte bërë gati për ne nga periudha që kishim kaluar”, shprehet një maturant. “Mesatar, nuk mund të themi shumë i vështirë ose shumë i lehtë, por mesatar ishte. Kishte pyetje nga të gjitha nivelet. Mundësi për të komunikuar fare, as për të lëvizur jo”. “Kishte pyetje të cilat kishin kleçkë, por normal si të çdo provim tjetër”. “Shumë i lehtë, 30 minuta m’u deshën. Në krahasim me vjet më i lehtë”. /KultPlus.com