11 Qershor, 2020 - 5:30 pm
Kompania ajrore britanike British Airways do të shesë së paku dhjetë vepra arti me vlerë nga koleksioni që ka, për të mbledhur miliona funte për tejkalimin e vështirësisë financiare të krijuar nga pandemia e koronavirusit, kanë njoftuar burime për agjencinë Reuters.
Kompania ajrore është kritikuar nga politikanët britanikë për planet që të shkurtojë 12 mijë vende pune. Por, pas bllokimit të udhëtimit ajror dhe mungesës së të hyrave, ka thënë se shkurtimi i punëve është i nevojshëm për të evituar kolapsin.
Në koleksionin e veprave të artit të British Airways janë veprat e Damien Hirst, Peter Doig dhe Bridget Riley, dhe shitja e disa prej tyre, që zakonisht gjenden në lozhat e ekzekutivëve në aeroport, ka qenë ide e njërit prej anëtarëve të stafit të kompanisë.
Së paku një nga ato vepra është vlerësuar së fundi më tepër se një milion funte.