Plagjiaturat e ministrit Ramë Likaj publikohen në sheshin e Prishtinës, kërkohet dorëheqja e ministrit

19 Qershor, 2020 - 1:33 pm

Jeta Zymberi

Plagjiaturat e Ministrit të Arsimit në Republikën e Kosovës, Ramë Likajt, sot kishin zënë vend në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Kjo gjë e pazakontë, ndodhi në kuadër të ekspozitës së parë të plagjiaturave në Kosovë të titulluar “Plagjiaturat e Supermenit”, shkruan KultPlus.

Organizuar nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), ekspozita nisi të mbledhë përreth të interesuar sapo u ekspozuan 7 materialet e sjella aty për publikun.

Ndërsa, Rron Gjinovci, nga kjo organizatë, para mediave u shpreh se kjo është një ekspozitë simbolike e plagjiaturave në Kosovë, ku publiku do të ketë rastin t’i shohë bardh e zi.

“Për herë të parë, ORCA e ka ngritur rastin në Këshillin e Etikës së UP-së në vitin 2018 gjatë periudhës së avancimeve akademike kur ministri i tanishëm ishte avancuar me titullin më të lartë akademikë në UP. Ministri Likaj, atëbotë profesor i asocuar pretendonte se brenda 1 viti e gjysmë kishte botuar 19 punime “shkencore”. Hulumtuesve të ORCA-s kjo iu duk e çuditshme. Me hulumtim të thjesht, gjetën se një norvegjez në fushën e njëjtë të studimit publikonte 0.96 punime në vit. Dilema ishte: a është Ramë Likaj superman apo inxhinierët norvegjezë të mekanikës janë të lodhtë?”, u shpreh Gjinovci.

Sipas Gjinovcit, eksponati i parë  është punim i kopjuar duke mos u cituar pjesa e parë, ndërsa eksponati numër tre është plagjiaturë që përmban disa fjali ku gjuha angleze është e mjerueshme. Gjithashtu ai potencoi faktin se këto punime janë botuar në revista mashtruese. Revistat në fjalë ishin të indeksuara në platformën SCOPUS, e cila konsiderohet si platformë e besueshme e indeksimit të revistave shkencore.

Në eksponatet që sot kishin zënë vend në shesh, thuhej se këtu kemi të bëjmë me plagjiaturën CTRL+C e cila nënkupton marrjen e pjesëve të punës nga një burim pa e cituar. Në punimin plagjiat, Ministri Likaj është autor i dytë, ndërkaq në punimin e plagjiuar ai nuk figuron fare si autorë.

Tutje ai u shpreh se pas kësaj ekspozite pritet dorëheqja e ministrit ose në të kundërtën paralajmëroj protesta, sepse sipas tij ky është shembull i keq.

“Jam i sigurt që shumë shpejt edhe mediat ndërkombëtare do të shkruajnë për këtë çështje.”

Krejt për fund u njoftua se plani është që sapo të rregullohen kushtet, ekspozita të dërgohet edhe në Tiranë e Shkup. / KultPlus.com

Të ngjajshme