Luljeta Pula Beqiri: Burrat arritën që rolin e gruas në shoqëri dhe në politikë ta reduktonin ashtu siç e donin në familje

21 Qershor, 2020 - 11:02 am

Besa Kalaja

Luljeta Pula Beqiri gruaja protagoniste e viteve të 90-ta, tregon për aktivitetin e saj dhe sfidat nëpër të cilat ka kaluar. Ambienti kosovar sipas saj nuk është fare i lehtë për gratë por ato duhet të gjejnë energji dhe vullnet që të japin kontributin e tyre në shoqëri

Ishte 16 vjeçe kur e filloi aktivitetin e saj politik. Ishin demonstratat e vitit 1968. Në atë vit Luljeta Pula Beqiri, e cila gati dy dekada më vonë do të bëhej njëra prej protagonisteve më të rëndësishme të jetës politike dhe shoqërore, në ato demonstrata po kërkonte për vendin e saj vetëvendosje dhe republikë. Kjo nuk ishte e zakonshme për një vajzë të asaj moshe. Ajo thotë se prindërit e saj, baba profesor universiteti dhe nëna mësimdhënëse e kishin mësuar atë dhe fëmijët e tjerë me edukatë kombëtare.

“E veçanta e gjithë kësaj, që natyrisht dua ta theksoj dhe që nuk ishte e zakonshme, ishte se unë isha rritur në një familje me mirëqenie të lartë, dhe kisha shumçka të humbisja me angazhimin tim.”

Angazhimi politik i kishte kushtuar me përjashtim nga gjimnazi po në të njëjtin vit kur u mbajtën demonstratat e vitit 1968, pavarësisht se ishte nxënëse e shkëlqyer. Ajo në rrëfimin e gjatë për jetën e saj, thotë se kjo nuk e kishte ndalur që të vazhdonte rrugën në kërkim të të drejtave për shqiptarët.

Kishte marrë pjesë në demonstratat e vitit 1981, duke rrezikuar në këtë rast punën e saj si profesoreshë universiteti. Gjatë viteve të 90-ta, aktiviteti i saj politik dhe shoqëror u intensifikua  vite të cilat Pula Beqiri na i rrëfen me nostalgji dhe dhimbje. Për shkak të atmosferës politike, kur u suprimua autonomia dhe terreni dukej se më shumë ishte bërë për burrat, ajo u gjend para sfidave të mëdha. Na tregon për përballjen e saj me shumë aktorë të rëndësishëm të jetës politike të asaj kohe.  Thotë se për gratë nuk ishte fare e lehtë. Aktiviteti i gruas nuk çmohej shumë në ato kohë mirëpo ato vazhdonin të punonin dhe të jipnin kontributin e tyre.

Pas luftës kur situata ndryshoi dhe kushtet u bënë më të mira për gratë, Pula Beqiri, thotë se vetë gratë duhet të luftojnë për të drejtat e tyre dhe të emancipohen.

Pasi prania e grave në jetën politike u bë çështje kuotash ajo e kishte kundërshtuar këtë. I kishte kundërshtuar ndërkombëtarët që e imponuan një gjë të tillë por zëri i saj dhe kontributi i saj nuk u çmuan pas luftës. Për këtë pas përfundimit të luftës ajo aktivitetin e saj e reduktoi vetëm në dhënie mësim në universitet.

Gruaja e zëshme e viteve të nëntëdhjeta na rrëfen shumë ngjarje dhe peripeci nëpër të cilat ka kaluar ajo vetë, po në të cilat kanë kaluar dhe kalojnë ende shumca e grave shqiptare.

Kur jeta politike ta determinon jetën private

Me 1989 iu mor autonomia Kosovës. Pula Beqiri nga pozita ku ishte, profesoreshë e Fakultetit të Xehtarisë dhe Metalurgjisë në Mitrovicë, u deklarua kundër ndryshimit të pozitës kushtetuese të Kosovës. Ishte kohë kur në Kosovë po zhvilloheshin demonstrata të mëdha. Në të gjitha ushtrohej dhunë ndaj demonstruesve. Në shumicën prej tyre Pula Beqiri kishte marrë pjesë.

Njëra ishte më e vështira. Luljeta Pula ishte shtatzënë, në muajin e shtatë. Gjatë protestës ku u hodh gaz lotsjellës të cilit regjimi sipas saj i kishte hedhur helme, humbi fëmijën e saj.

Në këtë kohë në Kosovë u formua Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) që për një dekadë u njoh si rezistenca paqësore. Në themelimin e saj Pula Beqiri nuk arriti të ishte prezente pasi kishte probleme shëndetësore pas humbjes së fëmijës. U bë anëtare e kësaj Lëvizjeje, siç njihej atëherë, një muaj pas themelimit. Partia po konsolidohej, brenda saj u themelua Shoqata e Gruas së LDK-së. Pula Beqiri ishte kryetarja e parë e kësaj shoqate.

“Në atë kohë kishte një mobilizim të paparë të grave të të gjitha kategorive për t’u vënë në shërbim të çështjes kombëtare”, na tregon me krenari të madhe. Për shtatë muaj shoqata numëronte 80 mijë gra. Madje tek gratë që për herë të parë po fuqizoheshin në këtë masë Pula Beqiri thotë se pa fuqinë jo vetëm në raport me regjimin por edhe ta sensibilizonin faktorin ndërkombëtar për gjithë çfarë ndodhte në Kosovë.  “Kush më mirë se gratë dhe nënat mund ta bënin këtë”, thotë ajo.

Ky fuqizim i grave brenda partisë nuk e kishte trembur veç regjimin po edhe partinë. U ishte sugjeruar grave e sidomos asaj si kryetare e shoqatës që të merrej me çështje të gruas dhe fëmijëve e jo me politikë. Natyrisht politika dhe politikat e mëdha u takonin burrave. Të vepruarit ndaj regjimit i cili tashmë kishte mbyllur shkollat dhe spitalet dhe gjithçka tjetër publike, ishte terren burrash.

“Por ata bënë e ç’bënë dhe nën pretekstin e ndryshimit të statusit e formatit të Shoqatës e gjoja për t’i ndryshuar emrin i morën autonominë shoqatës, i urdhëruan të lëvizin vetëm në kornizën e mbrojtjes së të drejtave të gruas dhe fëmijës, dhe të mos merreshin me politikë.”

Ky ishte një veprim që e kishte zemruar shumë Pula Beqirin, po nuk kishte ku ta paraqiste zërin e saj kundër. Edhe mediet e asaj kohe ishin të kontrolluara sipas saj.

“Burrat arritën që rolin e gruas në shoqëri dhe në politikë ta redukonin ashtu siç e donin në familje. Gruaja të merrej vetëm me të ashtuquajturat punë të gruas”, thotë Pula Beqiri.

Kishte ardhur koha për një alternativë tjetër politike

Koha e entuziazmit të madh mbaroi. Pas përballjes me gjithë këtë situatë Pula Beqiri e kishte parë se duhej të ndërmerreshin hapa tjerë. Ajo po angazhohej ne forma të ndryshme. Kishte ndihmuar nxënësit e helmuar në shkolla në vitin 1990.

“Natyrisht është e veçantë paraqitja ime publike në këtë temë, në mars të vitit 1990 në një emision,debat  të drejtëpërdrejtë në Televizionin e Beogradit, e cila bëri bujë jo vetëm në Kosovë por edhe në tërë Jugosllavinë por edhe më gjerë”, thotë ajo. Aty Pula Beqiri tregoi se çfarë u kishte ndodhur nxënësve shqiptarë nëpër shkolla.

Në korrik të po atij viti kur u shpall pavarësia e Kosovës, thotë se bashkë me shoqen e saj Eva Breandtly anëtare e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, dhe profesore e të drejtës ndërkombëtare në 6 universitete në Amerikë, ishin para Kuvendit të Kosovës. Pasi juristët e Kuvendit hezitonin ta shpallnin pavarësinë në oborr të këtij institucioni sepse nuk e dinin a do të ishte valide një mënyrë e tillë, shoqja e saj nga Amerika insistonte që kjo të bëhej. Pas këtij insitimi ishin arrestuar te dyja nga policia serbe. Ishin liruar pas intervenimit nga Amerika. Në këtë kohë çështja shqiptare po merrte dimensione të reja. Shqiptarët po udhëtonin drejt Amerikës për të treguar se çfarë ndodhte në Kosovë. Në mesin e tyre edhe vetë Pula Beqiri.

Pas dy vitesh aktiviteti më 1992 erdhi koha që në Kosovë të themelohej një parti tjetër. Këshilli i saj nismëtar prej disa vetash, kryesisht sociologë ekzistonte që nga viti 1990.

“Kjo mënyrë e funksionimit u zgjodh më tepër për të përçuar në botë përcaktimin pluralist e demokratik të shqiptarëve në një shtet të ardhshëm të synuar. Megjithate ishte jashtë rrethanave dhe jashtë kohës. E me mangësi të mëdha.”

Asaj i ishte ofruar posti i kryetares së partisë, të cilin thotë se kishte shumë dilema ta merrte sepse në parti ishte së bashku me shumë figura të ish nomenklaturës komuniste, të cilat i kishte luftuar tërë jetën. Megjithatë postin e kishte pranuar dhe kështu u bë gruaja e parë që mori postin e kryetares në një parti politike në Kosovë. Fillimisht thotë se ka pasur shumë probleme me masivizimin e partisë. Vlerëson se pavarësisht që nuk mund të masivizoheshin ata ishin një zë ndryshe dhe shprehnin qëndrime politike të pavarura.

“Aktiviteti ynë partiak i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, ishte i jashtëzakonshëm. Kemi bërë mijëra e mijëra prononcime për të gjitha ngjarjet politike të cilat ndiqnin njera tjetrë, kemi dalë me shumë deklarata, kemi mbajtur shumë konferenca për shtyp, kemi pasur aktivitete të dendura në terren”, rrëfen për punën e bërë ajo.

Çështjen e pazgjidhur të Kosovës thotë ta ketë adresuar jo vetëm në mediat e Kosovës po edhe në ato më prestigjiozet ndërkombëtare. “Kam dhënë dy intervista për CNN”, thotë ajo.

Shoqërisë i duhej dinamizim për të fituar lirinë

Megjithëse aktivitetet nuk mungonin Pula Beqiri, ishte angazhuar për dinamizim të lëvizjës politike.

Kemi kërkuar aplikimin e të gjitha formave të protestës, demonstratave dhe formave të tjera të padëgjueshmërisë qytetare”.

Njëra ndër kërkesat ishte edhe nisma për konstituimin e Parlamentit të Kosovës si një akt politik i përçimit të mesazhit të vërtetësisë, vendosmërisë dhe seriozitetit të kërkesës për pavarësi, në radhë të parë për qarqet ndërkombëtare.

“Kjo ide është kundërshtuar në vazhdimësi dhe fuqishëm veçanërisht nga paria e LDK-së. Ishte e qartë se lëvizja pacifiste kishte degjeneruar dhe kishte krijuar në masa një demotivim, amulli, zhgënjim dhe rezignatë. Ndaj dinamizimi i Lëvizjes me forma të reja, strategji e taktikë efikase me vite pas 94-së ishte e vetmja zgjidhje.”

Në ndërkohë nuk ndodhi asgjë e me 1998 u zhvilluan zgjedhjet në të cilat Pula Beqiri e sfidoi Ibrahim Rugovën kryetarin e LDK-së si kundërkandidate e tij për postin e të parës së Kosovës. Ishte e sigurt se nuk do të fitonte por e bëri këtë për të treguar se një grua ka kurajo dhe guxim për t’u kandiduar dhe për të udhëhequr me vendin edhe në ato rrethana.

“Tërhoqa kandidaturën time pas shtetrrethimit të Drenicës nga forcat serbe si akt moral dhe parimor për absurditetin e mbajtjes së zgjedhjeve në kohën kur një regjion i vendit po digjej në flakët e luftës”, thotë ajo.

Gjatë kohës se luftës thotë se kishte kaluar shumë momente të vështira. Kishte vizituar familjen Jashari pas sulmit të parë dhe madje i kishte shkruar letër bashkëshortës së Slobodan Millosheviqit, Mira Markoviqit ku i kishte treguar atë që po ndodhte në Kosovë e sidomos për vrasjet e fëmijëve në Drenicë.

Thotë se ishte ajo dhe vëtëm disa figura të tjera intelektuale si Adem Demaçi që e kishin mbështetur publikisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që në fillet e saj.

“Më 1998 u krijua Forumi Demokratik shqiptar me në krye Adem Demaçin. Ideja ishte që në te të përfshiheshin të gjitha figurat politike, udhëheqësit e partive politike, personalitetet me peshë ato kombëtare e intelektuale.”

Në krye të këtij Forumi u zgjodh Adem Demaçi. Ideja kryesore dhe esenciale ishte që ky Forum të bëhej krahu politik i UÇK-së. Ishe LDK-ja ajo që e minoi Forumin duke refuzuar ta pranonte dhe duke mos deleguar përfaqësuesin e saj atje. Më pas edhe Demaçi u tërhoq dhe Pula Beqiri mori udhëheqjen e tij.  “Më pas për shkak të sabotimeve kryesisht të klaneve të fuqisë politike të Lëvizjes pasoi zhbërja e tij”, thotë Pula Beqiri.

Një përvojë të cilën ajo e quan të hidhur në një mënyrë i kishte dhënë fund karrierës së saj. Në ceremoninë e varrimit me 1998 në Likoshan të viktimave civile ajo kishte thënë “Fajtorë për këtë terror shtetëror që bën Serbia në Kosovë janë jo vetëm regjimi kriminal serb, jo vetëm injorimi që bashkësia ndërkombëtare i bën çështjes së Kosovës, por edhe Lëvizja politike e Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën”. Kjo fjali ku e kishte përfshirë edhe Rugovën thotë se ju nxor nga konteksti dhe u interpretua si marketing politik dhe fushatë presidenciale.

“Më pastaj mediat u mbyllën për mua, dhe edhepse jo formalisht, praktikisht ky ishte fundi i karrierës sime nuk them politike por punës kombëtare që e kisha bërë gjithë jetën time”, thotë ajo.

Pas luftës të cilën e kishte kaluar në një ankth të papërshkrueshëm duke qëndruar në tavanin e një shtëpie ku ishte strehuar iu kthye edhe njëherë jetës politike duke ia ndërruar emrin partisë me sugjerim të OSBE-së që në atë kohë i organizonte zgjedhjet,  në Union Socilademokrat dhe duke marrë pjesë në zgjedhjet lokale të vitit 2000.  

“Pësuam një rezultat katastrofal. Pas debaklit të plotë në zgjedhjet lokale unë dhashë dorëheqje të parevokueshme nga udhëheqja e partisë dhe përfundimisht u tërhoqa nga politika. Thjesht si një akt moral”, e thotë me shumë dhimbje këtë Pula Beqiri.

Tani ndjehet e zhgënjyer jo vetëm për faktin se puna e saj nuk është respektuar por se kontributi i saj është harruar tërësisht.

“As një e vetmja ftesë për ceremoni të ndryshme, festime, shënime përvjetorësh e shënime të ngjarjeve të rëndësishme. E të mos flasim për pjesëmarrje si mysafir në aktin e shpalljes së pavarësisë”, thotë ajo.

 Emancipimi i grave nuk bëhet me një dekret

Prej perspektivës së saj Pula Beqiri thotë se klasa politike e Kosovës nuk ka arritur që karshi qytetarëve t’i kryej detyrat e saj. Ajo thotë se ata përveç se u pasuruan në kurriz të qytetarëve nuk kultivuan asnjë vlerë. Në këtë kontekst ajo flet edhe për gratë dhe rolin e tyre në shoqëri pas luftës. E pengon që përfaqësimi i grave në jetën politike bëhet përmes kuotës duke ia humbur kështu shijen edhe atyre grave që suksesin e tyre ia atribuojnë angazhimit të tyre.

“Kur pas luftës u bë e ligjshme, legale dhe e aplikueshme e ashtuquajtura kuotë e grave për të imponuar një përfshirje të caktuar të grave medoemos në institucione, ndjeva vehten të fyer si grua.”

Ky sipas saj nuk ishte kontribut emancipimit të grave. Sepse emancipimi nuk mund të bëhet me një dekret. Ai është proces të cilit duhet t’i kontribuojë vetë gruaja në veçanti dhe shoqëria e nxitja e rrjedhave shoqërore në përgjithësi.

“Kjo formulë e cila vazhdon të implementohet edhe sot, ofendon gruan, integritetin e saj dhe ngritjen e saj profesionale dhe intelektuale. E cila mohohet në parim dhe paragjykohet pa turp duke u pranuar si e tillë, për vetë faktin e përkatësisë gjinore”.

Ajo mendon që edhe vetë ndërkombëtarët që imponuan një gjë të tillë në vendet e tyre as nuk mund ta mendojnë një formulë të tillë denigruese.

“Me imponimin e saj këtu bënë një përligjje oficiele të shkurtmendësisë së gruas shqiptare. Duke i mohuar vlerat e saj dhe gjithë kualitetet që gruaja shqiptare mund t’i ketë. Duke merituar përshirjen me cilësi dhe jo me këtë formulë poshtëruese.”

Thotë se po të ishte në vend të grave nuk do të pranonte kurrë të kishte favore apo një pozitë të institucione nëse nuk do ta meritonte.

Gruas sipas saj nuk mund t’i ndihmohet vetëm me kuota. Njëherë duhet analizuar dhe studiuar të gjithë faktorët e shumica prej tyre janë të ditur, pse gratë kanë mbetur në këtë shkallë të ulët të emancipimit.

“Vetëm me një veprim të studiuar, të analizuar, me një strategji dhe taktikë të ndërtuar mbi bazë të realitetit faktik kosovar, mund t’i ndihmohet jo emancipimit të shpejtë, sepse kjo thjesht nuk mund të bëhet, por shkurtimit të rrugës evolutive të procesit të emancipimit. Pa tronditje të forta, pa sforcime, dhe në mënyrë të natyrshme”.

Ky shkrim u mundësua nga Programi Angazhimi për Barazi (E4E) i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe zbatuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC). Përmbajtja është përgjegjësi e Fondacionit Jahjaga dhe nuk pasqyron deomos pikëpamjet e ATRC, USAID ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. / KultPlus.com

Të ngjajshme