“Më kanë ngatërruar me shumë burra, më kanë shitur tek ta pa gjë n’shkëmbim”

26 Qershor, 2020 - 8:53 pm

Poezi nga Arbër Selmani

Më kanë ngatërruar me shumë burra
më kanë parë me ta
jam zgërdhi krah tyre
kam pshty brenda gojëve të tyre.

Më kanë ngatërruar me shumë burra
me ata që i lanë gratë e tyre për mua
kemi bërë pestil, misër e trosha bashkë
jemi ly me vaj kokosi, me ujë e sodë buke
me këta burra, kemi luajtur shah-mat
me ta, i jam futur oqeanit për së shkurti
e në mars, kemi soditur pulëbardhat
netëve, jemi fshehur në podrumet e mahallave.

Më kanë ngatërruar me shumë burra
me krejt këto mendje ngjyrë mashkulli
me këta trupa ky hyj e tradhëtoj
plot romane, me ta, i lexuam buzë liqenit
në Ulqin, shumë herë vodhëm prej dhomave të hotelit.

Më kanë ngatërruar me shumë burra
me dylbi, bota më pa me ta

me këta djem, kemi grushtuar të tjerët

kemi pirë inatin

kemi vjellë inatin

kemi gënjy bashkë

kemi nemur e kemi ofendu

me ta, qiell, kishë e xhami kemi tejkalu.

Më kanë ngatërruar me shumë burra

më kanë shitur tek ta, pa gjë n`shkëmbim

më kanë ndjekur kur bëja kurvëri

kur lyenim mustaqet me të zezë

kur preknim vetullat dhe kofshët

kur rrinim larg njerëzve, që të mos i lëndonim.

Më kanë ngatërruar me shumë burra

që pos puthjeve, donin ende

se burrat pritet të mos mjaftohen

dikush donte mëngjesin, dikush qepët taze në pjatën e sallatës

më janë shtuar burrat, dhe kilogramët

më janë burrësuar gajlet,

edhe xhamat e dritareve.

Mua

Më kanë ngatërruar me shumë burra

më kanë fërfllu në egot e tyre

kam qenë trupi i ulëses pas shoferit

jo ju, kurrë, por ata burra dikur më dashuruan

si mysafirin e tyre të nderit. /KultPlus.com

Të ngjajshme