Nëse botën do ta sundoja unë…

27 Qershor, 2020 - 11:00 pm

Nga: Umberto Eco

Mund të jap vetëm një përgjigje polemike, për atë që unë do të bëja nëse do të sundoja botën, për shkak se nuk ka shanse që kjo të ndodhë. Duke u plakur kam filluar ta urrej njerëzimin, kështu që po të kisha patur pushtet absolut, do ta lija të vazhdonte në rrugën e vetëshkatërrimit – kështu ai do të shkatërrohej dhe unë do të isha më i lumtur.

Njerëz si unë, intelektualë – bëjmë punën tonë, shkruajmë artikuj, kemi mënyrat tona të të protestuarit, – s’mund ta ndryshojmë botën. Angela Merkeli bëri një deklaratë pozitive, kur nxiti popullin gjerman që të mirëpresë refugjatët sirianë. Ajo ndryshoi imazhin e popullit gjerman në të gjithë botën – ata nuk do të shihen më si SS-ët e Adolf Hitlerit. Këtë mund të bëjnë politikanët.

Të rinjtë duhen mësuar që të filtrojnë dhe të shtrojnë pikëpyetje mbi informacionin që marrin përmes Internetit, në vend se ta pranojnë atë për të vërtetë. Unë e përdor Wikipedian dhe e di se mund t’i besoj asaj 99 për qind të kohës, por njerëzit kanë shkruar në faqen time se kam qenë i pari i 13 fëmijëve dhe se jam martuar me bijën e botuesit tim të parë. Asnjë prej këtyre nuk është e vërtetë, kështu që edhe kjo mund të bëhet objekt manipulimi.

Një prej nipërve të mi është 15 vjeç dhe ai më thotë se shumë prej bashkëmoshatarëve të tij u besojnë teorive konspirative që lexojnë në internet. Nuk ka kontroll cilësie – dhe ky është problem shumë i madh.

Çdo qeveri duhet të përpiqet të përmirësojë arsimin. Përpara Luftës së Parë Botërore, vetëm rreth 20 për qind e njerëzve në Itali merrnin arsim fillor. Sot, problemi janë universitetet – rreziku është që të reduktojmë kërkesat e hyrjes, me qëllim që t’u japim më shumë njerëzve qasje në universitet, por edhe të kemi cilësi më të ulët. Ndodhi kohët e fundit në Itali dhe ishte një tragjedi. Tani tre vitet e parë të universitetit janë shumë të kollajtë – studentëve nuk u duhet të lexojnë libra më shumë se 100 faqesh. Ata që kanë pushtet duhet të kuptojnë se, që të rritesh, duhet të sfidohesh. Kur unë isha në universitet, lexoja njëmijë faqe dhe nuk vdisja!

Mësimi i gjuhëve të huaja është e vetmja gjë që unë do ta bëja të detyrueshme në shkolla. Në qoftë se koncepti i Evropës ekziston, atëherë ai është i bazuar në njohuritë e ndërsjella të gjuhëve. Në dy prej vendeve më të mëdha, Francës dhe Anglisë, shumica e njerëzve duket se dinë vetëm gjuhën e tyre. Jo shumë kohë më parë, në Angli, njerëzit ishin mësuar të flisnin rrjedhshëm në gjuhën latine. Ekziston një histori e një gjenerali anglez, i dërguar në krahinën indiane të Sindh në shekullin e XIX-të, gjatë një revolte. Për shaka, ai dërgoi një telegram në Londër në latinisht, ku shkruante “Peccavi,” që përkthehet “Kam mëkatuar.” Gjëja e mrekullueshme nuk ishte se ai mund të bënte shaka në latinisht, por se kolegët e tij në Londër e kuptuan.

Nipi im ka studiuar greqisht për dy vitet e fundit; ai mund të mos jetë në gjendje që të lexojë Homerin në origjinal, por ka zhvilluar një kuptim të qytetërimit grek. Është një pjesë e asaj që është quajtur “encyclios”, e cila do të thotë “arsim 360 gradë”, prej nga vjen edhe fjala “enciklopedi”.

Njerëzit janë kafshë fetare. Qentë nuk janë fetarë. Është e vërtetë se ata i lehin Hënës, por kjo ndoshta nuk ndodh për shkak të fesë. Njerëzit kanë tendencën për të kërkuar arsyen e situatave të tyre. Ka një fjali të bukur që i atribuohet GK Chestertonit: “Kur njerëzit nuk besojnë më në Zot, kjo nuk ndodh për shkak se ata nuk besojnë në asgjë; ata besojnë në çdo gjë”!

Sundimtari i botës nuk mund ta eliminojë fenë. Ju mund të jeni një ateist apo një jobesimtar, por ju duhet të pranoni se pjesa më e madhe e njerëzve kanë nevojë për disa besime fetare.

Karl Marksi thoshte se feja është opiumi i popullit – se ajo i mban njerëzit të qetë. Por, ajo mund të jetë gjithashtu kokaina e popullit. Ajo ka funksion të dyfishtë – t’u përgjigjet pyetjeve të caktuara themelore dhe ndonjëherë duke i shtyrë ato, për të luftuar jobesimtarët. Ky është një tipar i njerëzimit, po aq sa edhe ai që i bën njerëzit të jenë të vetmet specie të aftë për të dashuruar.

Së fundi, në qoftë se unë do të isha sundimtar i botës, do të doja të detyroja njerëzit për të lexuar të gjithë librat e mi, në mënyrë që të bëhen aq të zgjuar sa unë dhe kështu të mos besonin, se ne duhet të kemi një sundimtar në këtë botë! Jam i irrituar nga kritikat pozitive, nëse ato janë pozitive për arsye të gabuara. Dhe, ndonjëherë jam i prekur nga kritikat negative, sepse ata e shohin që unë kam kuptuar diçka të vërtetë. Ndonjëherë jam i irrituar nga një kritikë negative, sepse unë mendoj se është idiote, por OK, kjo është pjesë e lojës. /Bota /KultPlus.com

(Pjesë nga një intervistë e shkrimtarit, kritikut letrar, filozofit dhe profesorit Umberto Eco, dhënë për gazetaren Serena Kutchinsky të revistës britanike “Prospect”, në dhjetor 2015)

Umberto Eco, critique et ecrivain italien. L’auteur du “Nom de la rose” et du “Pendule de Foucault” est venu a Paris presenter son dernier livre “Histoire de la laideur” paru en france le 2 octobre aux editions Flammarion. Ce livre illustre retrace en 15 chapitres les representations de la laideur dans la culture occidentale. Cette anthologie fait suite a “Histoire de la beaute” parue il y a deux ans et qui, traduit en 27 langues, s’est vendue a 500000 exemplaires. Paris,FRANCE-le 17/10/07

Të ngjajshme