Provoni ndjesinë e traditës mes ngjyrave shqiptare në Krujë

29 Qershor, 2020 - 11:30 am

Kruja gjatë viteve të fundit është shndërruar në një nga destinacionet e preferuar të turistëve të huaj pasi ofron një turizëm gjithëvjetor dhe është e favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja.

Pazari, muzeu, kalaja dhe rrugicat e ngushta të Krujës janë disa nga atraksionet që qyteti historik ofron dhe është gati të mirëpres turistët që t’i vizitojnë.

Ministrja e Kultutrës, Elva Margariti u shpreh sot se, “askund tjetër nuk mund t’i gjesh të ruajtura më mirë mjeshtëritë e endjes, të punimit të qelesheve, opingave, apo të drurit, si në Krujë”.

Pikërisht aty, thekson Margariti, “në Pazarin e vjetër të Krujës mund të provosh ndjesinë e mirë të traditës dhe trashëgimit brez pas brezi”.

Margariti ka publikuar edhe disa foto nga vizita që zhvilloi së bashku me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë, Yuri Kim në Krujë.

“Për Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë,  Yuri Kim, ishte një zbulim i bukur dhe kënaqësi të prekte punimet tradicionale, motivet dhe ngjyrat karakteristike shqiptare”, shprehet Margariti.

“Pazari, muzeu, kalaja dhe rrugicat e ngushta të Krujës ju presin t’i vizitoni”, përfundon ministrja. / atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme