8 Korrik, 2020 - 8:58 pm
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore tha sot se është ndërhyrë për restaurimin e kompozimit “Bashkimi i principatave shqiptare” që ndodhet në Muzeun Kombëtar.
Specialistët e Sektorit të Veprave të Artit pranë IKTK kryen gjatë javës së fundit ndërhyrje me karakter konservues – restaurues në kompozimin “Bashkimi i principatave shqiptare”, që ndodhet në pavijonin e Mesjetës, në Muzeun Historik Kombëtar.
“Kjo pikturë murale me përmasa 2.45 m gjerësi dhe 7.95 m gjatësi është realizuar nga piktori Fatmir Haxhiu në vitin 1981 dhe u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Piktura pësoi dy çarje të konsiderueshme vertikale në të dyja anët e saj si dhe çarje horizontale e dëmtime të tjera në qendër të kompozimit”, shprehet IKTK.
Po ashtu, IKTK shprehet se “ndërhyrjet konservuese – restauruese që u kryen konsistuan në ringjitjen e disa copëzave të shkëputura, konsolidimin e shtresave përgatitore dhe pelikulit piktorik në disa zona, stukimin dhe integrimin piktorik”. atsh / KultPlus.com