30 Korrik, 2020 - 9:36 am
Poezi nga Bekim Lumi
Mbi trupin tand të bardhë e të brishtë
U ngriten ledhet e gurta të kështjellës,
Aty ku hapeshin perdet e një drame
Mbylleshin portat e randa të jetës
Orakujt Rozë-fati të zgjodhën
Të muroheshe ti duhej patjetër,
Drandofille e fatit me fustan qefin
Si fatet e preme të Gadishullit të Vjetër
U ç’dhembje të tmerrshme,ç’rrënqethje, ç’ankth do t’kesh ndie
Nën peshën e randë të mureve të ftohtë,
Po dhembje ma të tmerrshme do t’kenë ndie vetë muret
Tue randue trupin tand të ngrohtë
Dhe gjersa trupi yt i bardhë murohej
Në puset e netëve mitologjike,
Në parandjenjën e kombit muroheshin
Aktet e dramës së ardhshme tragjike
Dhe duhej, duhej që ti të muroheshe
Të muroheshe ti duhej patjetër
Nën ledhet e gurta të ftohta të kështjellës
Apo nën pirgjet e baladës së vjetër
Mbi trupin tand të bardhë të brishtë
U ngritën ledhet e gurta të kështjellës
Aty ku mbylleshin perdet e një drame
Hapeshin portat e randa të jetës. / KultPlus.com