6 Shtator, 2020 - 11:36 am
Kur infermierja suedeze Israa Abdali më 2016-n udhëtoi me avion drejt Sirisë së zhuritur nga lufta, ajo u trondit prej asaj që pa.
“Gjithçka ishte shkatërruar, nuk mund të besoja se kjo ishte Siria”, ka thënë Abdali, e cila themeloi një organizatë joqeveritare të quajtur “Stand with Syria”. “Çdoherë kur vije, shihje dikë të ecte pa këmbë e krahë. Secili humbi diçka”.
Tani, fotografi të Abdalit dhe grave të tjera të reja që janë prekur nga kriza e refugjatëve mund të shihen në ekspozitën e re në “Fotografiska”, në New York City.
Në “Between These Folded Walls, Utopia” paraqiten një varg portretesh të grave të reja që janë shtrënguar të migrojnë nga Lindja e Mesme dhe Afrika – vende si Afganistani dhe Somalia – gjatë krizës së refugjatëve, shkruan “The Guardian”
Të ekspozuara janë 18 fotografi të kornizuara, gjashtë copëza muri, si dhe një instalacion filmi nga Cooper & Gorfer, një dyshe fotografesh me seli në Gothenburg të Suedisë. Ato janë artistja amerikane Sarah Cooper dhe kolegia e saj australiane, Nina Gorfer.
“Është për të gjetur një vend në kultura të ndryshme dhe çfarë do të thotë të jesh grua në gjithë këtë”, ka thënë Gorfer.
Kurse Cooper shton: “Ne deshëm të adresonim kohën sipas mënyrës sonë, dhe të dëshmonim se si po ndiheshim në lidhje me komunitetin tonë”.
Dyshja e nisën këtë projekt më 2017-n pas një bisede me një nga mikeshat e tyre, që është mësuese për emigrantët e sapoardhur. / KultPlus.com