8 Shtator, 2020 - 5:36 pm
Arbër Selmani
Është e bukur një fotografi ku shihet Parku i Karagaqit në Pejë në vitet 70-të të shekullit të kaluar. Një vajzë në veshje tradicionale ka disa lule në dorë, një tjetër është buzë liqenit dhe një çift, më në largësi, sikur i flasin ujit, apo ndoshta Diellit, pemëve, natyrës. Uji është i pastër kristal.
Në vitet 70-të, në Liqenin e Batllavës, ndoshta me lezet më të madh se sot, bëheshin ahengje e njerëzit kënaqeshin duke festuar jetën. Në anije të vogla e në barka tipike të kohës, vera nuk kishte asokohe kuptim pa e vizituar Liqenin e Batllavës. Një fotografi e tregon emocionin, një fotografi që nuk ka për të humbur kurrë.
Një kartolinë e vjetër. 16 maj 1923. Prapa saj shkruan ‘Prizren’ dhe një përshëndetje shumë e shkurtër. Një grua, ndoshta një shqiptare e dalë prej një vizatimi – aq perfekte, një person i moshuar me një fëmijë të humbur në fytyrën e tij buckoshe simpatike dhe një djalë diku 12-13 vjeçar me buzën në gaz. Ka shumë gjasë që janë shqiptarë, ndoshta diku gjallë, ndoshta me trashëgimtarë.
‘Kisha dëgjuar për Kosovën, më shumë në fillim të viteve 90-të dhe shumë shpesh në lajmet që ndërlidheshin me Bosnjën. Lajmet që i shihnim nëpër mediat në Norvegji na tregonin për këtë pjesë të Ballkanit ku kishte vështirësi, popullata shqiptare në Kosovë jetonte me halle. Kuptohet se shumë më përpara, nga koha e studimeve, kisha dëgju për Jugosllavinë dhe për Titon. Më vonë, mësova një vend që kishte rrezik të kthehej në Bosnjën e dytë. Kjo ishte Kosova, ku kishte shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut”
“Kosova u bë më e afërt për mua në vitet 1997, 1998, kur nisën ato konfliktet serioze, luftimet dhe trimëritë e mizoritë që ndodhën atëkohë. Kosova papritur u lidh me jetën time. Më pyetën asokohe nëse do të doja të shkoja në Kosovë për një kontratë gjashtë-mujore, me Ushtrinë e Norvegjisë, si Zyrtar për Informim dhe Shtyp. Kur kam qenë pjesë e ushtrisë, isha gazetar dhe mësues dhe isha në listën e profesionistëve që dërgohen nëpër misione ndërkombëtare të cilat nuk zgjasin shumë. Së pari më pyetën nëse doja të shkoja në Bosnjë, por meqë fëmijët i kisha shumë të vegjël, nuk shkova, zgjodha Kosovën”
Pyesni ju cila është lidhja mes përshkrimeve të fotografive, kartolinave, dhe këtij tregimi që sapo nisi e do t`ju rrëmbejë shpejt. Kryefjala është Kenneth Andresen, sot një profesor në Norvegji por dikur një pjesëtar i Ushtrisë Norvegjeze. Andresen, sot 55 vjeçar, erdhi në Kosovë për herë të parë në korrikun e vitit 1999, në uniformë, si pjesë e KFOR-it. Që atëherë, ai thotë se nuk ka vit që nuk e ka shkelur tokën e Kosovës.
Andresen është i lidhur me Kosovën fuqishëm, me anë të një projekti të cilin e ka nisur si hobi, por që nuk do të mbetet me kaq.
Ai po mbledhë kartolina ku pasqyrohet Kosova nëpër vite, kartolina këto që janë dërguar nëpër vite nga Kosova për në diasporë, apo anasjelltas. Kjo nuk është e vetmja. Për Kenneth Andresen, këto nuk janë vetëm fotografi e kartolina, por shumë më shumë.
*
Ta lëmë për pak të kaluarën.
Andresen sot është profesor i Studimeve për Media në Universitetin e Adger në Norvegji. Ai sot është mbledhësi më i pasionuar i kartolinave që kanë për fokus Kosovën dhe këto kartolina po i shpërndanë në rrjete sociale. Jo me hajgare ai më thotë ‘Kartolinat ishin Instagrami i dikurshëm, kanë të njëjtin funksion, e kombinojnë një fotografi dhe një përshkrim a përshëndetje’.
Ja shembull një kartolinë që Kenneth e ka gjetur në një Guidë Turistike të Kosovës, e botuar në vitin 1978. Në vitet e 70-ta, Muzeu i Qytetit në Mitrovicë.
Hiç më pak e bukur është kjo kartolinë. E shohim Teatrin Kombëtar të Kosovës, në Prishtinë, në vitin 1958. Kartolina i është dërguar një gruaje në Kragujevac të Serbisë, por siç thotë Kenneth, meqë nuk ka vulë, ka mundësi që nuk është dërguar asnjëherë në destinacionin e menduar. Data e kartolinës: 26 nëntor 1958.
“Koleksionimi i kartolinave ka nisur shumë moti në familjen tonë. Babai im dhe vëllau im kanë mbledhur me vite kartolina nga qyteti im i lindjes por edhe qytetet tjera në Norvegji. Unë kësisoj nisa me mbledhë kartolina të qytetit tim, Kristiansand. Gjithmonë kam qenë i interesuar në histori. Kur isha në Kosovë, krejt historia kishte të bënte me luftën, dhe një pjesë e mirë e historisë dukej se i përkiste luftës. Nisa më pas të mendoja nëse ka kartolina në Kosovë, sepse nuk kisha parë asnjë. Njerëzit gjithmonë kanë dërguar kartolina tek njëri-tjetri. Gjatë luftës në Kosovë shumë gjëra edhe u shkatërruan, e këtu edhe kartolinat. Në përgjithësi, dhe kjo është veç teoria ime, njerëzit në Kosovë nuk kanë çu shumë kartolina tek njëri-tjetri, nuk ka qenë traditë. Te shqiptarët në Kosovë më shumë ka funksionu takimi sy më sy, udhëtimet, bisedat në telefon, më shumë është praktiku tradita gojore sesa ajo e shkruar: kartolinat janë dërgu nga Kosova në shtetet tjera, por shumë pak të tilla janë dërguar brenda territorit të Kosovës. Një pjesë e tyre janë shkruar në serbokroatisht, në frëngjisht, në gjermanisht, ndoshta as 10 për qind e atyre që unë i kam koleksionuar janë të shkruara në gjuhën shqipe. Shumica janë në alfabetin cirilik” tregon Andresen.
Po bëhen dhjetë vite që Andresen mbledhë kartolina.
*
“Ishim katër Zyrtarë për Informim dhe Shtyp që u nisëm drejt Kosovës. Së pari shkuam në Tiranë, në një departament të KFOR-it atje, që njihet çuditërisht pak por e kishte emrin AFOR, që ndihmonte Qeverinë Shqiptare dhe Agjencinë Humanitare UNHCR për të zgjidhur krizën e refugjatëve. Më pas kaluam në Shkup dhe së fundmi, në Prishtinë. Erdha në uniformë në Prishtinë, ndërsa muaj më vonë zbarkuan edhe batalioni/kontigjenti norvegjez. Zyrja ime ishte pikërisht në qendër të qytetit, në Prishtinë, shumë afër Bororamizit, aty ku sot është Shkolla Amerikane në Kosovë, e më përpara ishte një qendër kulturore. Fillimisht isha redaktor për ‘Kronikën e KFOR-it’ – gazeta e parë e KFOR-it në Kosovë, ndërsa më vonë nisa me analizimin e mediave në Kosovë, isha drejtues i departamentit për mbulimin mediatik që po i bëhej KFOR-it në Kosovë” më tregon Kenneth, i cili e ndan me mua edhe dokumentimin e tij si ndihmëtar në një formë fisnike në luftën e fundit në Kosovë. Është ironike se si këtij burri i lindi dashuria për Kosovën në mes të një tragjedie e gjenocidi.
Kenneth kthehet më pas në Norvegji dhe e vazhdon jetën e tij, duke nisur ngadalë të kuptojë se Kosovën nuk do ta kujtonte vetëm me çaste lufte. Aty do të niste gjithçka, por Kenneth do të kthehej vite e vite në histori, me anë të projektiti të tij të kartolinave.
Kenneth tregon që fillimisht nisi të zbulonte ankandet online për kartolina. Njerëz nga e mbarë bota, të cilët kanë ndonjë artefakt, kartolinë, libër a fletushkë që ka të bëjë me Kosovën apo është botuar e printuar në Kosovë, i shesin këto gjësende në ankande të hapura ku shtrohen ofertat dhe më e volitshmja për shitësin fiton.
“Ngadalë, nisa ta kuptoja se kartolinat janë një kapsulë kohore, sepse janë kombinim i një fotografie e cila mund të jetë një ndërtesë historike, një peisazh, një qytet, një objekt i trashëgimisë kulturore, një pamje e bukur, dhe i një teksti në formën e përshëndetjes në prapavijë. Kartolinat janë dokument historik. Kartolinat janë mënyrë e komunikimit. Para një dekade nisa të gjeja këto ankandet në internet, të cilat janë në gjuhë të ndryshme dhe ku njerëzit shesin, e koleksionuesit dhe qeflinjtë e kartolinave blejnë. Fillimisht hyra në eBay dhe më pas edhe në të tjera ankande. Kur oferta ime fitonte, dhe zakonisht fitonte sepse nuk kisha konkurrencë të fortë për të koleksionuar gjësende nga Kosova, kartolinat më vinin dhe më vijnë edhe sot më postë nga vendi i origjinës: nga Maqedonia, Kroacia, Serbia, Austria, Hungaria, Gjermania, Franca. Nga Franca shembull së fundmi më ka ardhur një kartolinë e vjetër 100 vite, me kryefjalë Kosovën” më tregon tutje Kenneth.
Nuk është e shpeshtë që një profesor norvegjez të jetë i rrethuar në zyren e tij të punës me kartolina nga Kosova. Në prapavinë e karriges së tij të punës, në njërin prej mureve, Kenneth ka edhe një flamur të Kosovës, një mozaik ky i krijuar nga disa fotografi të realizuara në Kosovë. Një ‘Hyjneshë në Fron’ – figurinën e vogël që u gjet në vendin e mullirit e njohur si Tjerrtorja pranë Prishtinës, Kenneth e ka poashtu afër tavolinës së tij të punës.
‘Këto kartolina janë një përfaqësim fizik i historisë dhe simbolizmit. Në fillim harxhoja më shumë kohë dhe para në këto ankandet në internet sepse doja ta fuqizoja koleksionin tim. Më pas nisa edhe me mbledhjen e kunjave (pins) dhe librave të turizmit që botoheshin në Kosovë para viteve 90-të. Të gjitha këto kartolina më japin edhe mua emocione, edhe njerëzve më pas kur i shpërndaj nëpër rrjete sociale. Normalisht, kur postoj njerëz me veshje tradicionale shqiptare, njerëzit kanë më pak emocione sesa kur postoj monumente të luftës, kisha apo xhamia të kahmotshme. Disa kartolina janë më politike se tjerat, dhe njerëzit kanë tendencë t’i lidhin me gjërat e mira dhe të këqija në jetën e tyre. Mua më pëlqen megjithatë fakti që në Ballkan njerëzit i kërkojnë kartolinat e mia, i pëlqejnë, gjenerohet njëfarë debati prej tyre. Kjo që unë e bëj është njëfarë punë e detektivit, sepse kërkoj shumë në internet që të gjej kartolina të cilat nuk i ka askush dhe dua t’i bëj për vete. Tash e kam një koleksion privat timin” tregon Kenneth.
*
Janë tri gra të veshura me veshje tradicionale shqiptare. Kartolina është dërguar nga Gjakova për në Zagreb, me 17 korrik 1957.
Profesori i cili po e dokumenton çdo ditë ‘industrinë’ e bukur të kartolinave të humbura të Kosovës, të gjetura prej zellit e vullnetit të tij, shumë shqiptar në këtë gjest fisnik, flet pak shqip por thotë se nëse lexon dhe nëse dëgjon me vëmendje, kupton shumë.
“Puna më ka ndihmuar shumë, por mendoj se ideale do të ishte nëse vij në Kosovë për disa muaj, kësisoj do ta kem më të lehtë ta mësoj shqipen. I di disa fraza, i kuptoj, di pak edhe serbokroatisht, por nuk jam në pozicionin e zhvillimit të një bisede. Me një kolegun tim nga Kosova, Abit Hoxhën, flasim gjuhën e njëri-tjetrit, shoqërohemi edhe me familjet tona. Unë jam kumbara i njërit prej fëmijëve të Abitit. Përtej kësaj, lidhja ime me Kosovën dhe dashuria ime për të ka bazë të fortë” më thotë Kenneth dhe duke qeshur, të dy sikur nisim të ngacmojmë gjuhën shqipe në mes të gojëve e fjalëve tona.
Kosovën e njeh në gishta: me anë të kartolinave të tij, po se po, por edhe me anë të vizitave të tij nëpër Kosovë. Unë e pyes nëse ai i ka vizituar apo dëshiron t’i vizitojë vendet që i vijnë statike e të ngurrta përmes kartolinave herë bardh e zi e herë me ngjyra.
‘Kam provu me i vizitu disa vende që i kam njohur prej kartolinave. Kur punoja në Kosovë, kam udhëtuar shumë, dhe disa herë madje shumë vende i kam vizituar për së dyti, me anë të kartolinave. Në kartolina e shoh si kanë qenë vendet më parë. Peja, në vitet 60-të e 70-të ka qenë vend i mrekullueshëm për ngjitje malore, Rugova atëherë ka qenë një vend turistik. Kam plot kartolina të stacioneve të trenit, në Ferizaj e në Prishtinë. Kur jam në Kosovë, me kamerën time shkoj dhe i fotografoj të njëjtat lokacione sepse kam qejf t’i krahasoj si kanë qenë në kartolina e si janë sot. Krahasimi i tyre. Ka kartolina ku shihen bashkë kisha e xhamia, dhe kjo të jep një reflektim mbi kohën. Ato vite, më përpara, nuk ka qenë gjithçka më e mirë se sot, por dukshëm kishte një respekt për ndërtesat. Jo vetëm në Kosovë, kjo vlen edhe për Norvegjinë: dikur për njerëzit kishin më shumë rëndësi ndërtesat, sesa sot, njerëzit janë përkujdesë më shumë për vendet tjera më përpara dhe kanë krijuar lidhje që sot vështirë krijohen. Ndoshta, me anë të këtyre kartolinave, këtij projekti, mund të bëj që njerëzit në Kosovë të kenë më shumë respekt për ndërtesat dhe peisazhin”.
“E dua shumë Prizrenin, qyteti më prekë gjithmonë. Pamja prej Kalasë së Prizrenit, lumi mespërmes, Qendra Historike. I kam disa kartolina nga Peja, më fascinojnë, shkrirja e natyrës dhe kombinimi i mjedisit përreth dhe ndërtesave të vjetra. Edhe Prishtina më pëlqen shumë, sidomos Sheshi Nënë Tereza, e dua kohën që shfaqet në kartolina, kur kishte më pak vetura, më shumë pemë dhe drunj, kishte hapësirë për lëvizje” vazhdon Kenneth.
Kenneth ka dy vajza të cilët dita ditës interesohen shumë e më shumë, pa pikën e xhelozisë, për Kosovën e veçantë në sytë e babait të tyre.
“Për një kohë isha edhe profesor në KIJAC – Kosovo institute of Journalism and Communication (Instituti i Kosovës për Gazetari dhe Komunikim) në Kosovë. Kujtoj se ishte mes viteve 2005 e 2010. U krijuan disa probleme dhe u mbyll ai institucion por e di që ishte një projekt që doja ta vazhdoja sepse kishte një program të pasur. Edhe me OSBE-në në Kosovë kemi organizuar disa trajnime për gazetarë”
Merreni me mend, temës së dizertacionit në studimet e tij pasuniversitare të doktoratës, Kenneth Andresen ia dha këtë titull ‘Gazetaria nën presion: Rasti i Kosovës”, duke e hulumtuar ndikimin që pati lufta e fundit në Kosovë në gazetarët e vendit, mediat e ndryshme dhe në përgjithësi në mjedisin dhe tablonë mediatike.
Si profesor, përkundër disa profesorëve të sistemit të tmerrshëm të edukimit në Kosovë, Andrese n shumë shpesh shkruan edhe publikime dhe analiza mbi Kosovën. Një numër i publikimeve merren me gazetarët në Kosovë, gazetarinë dhe trajnimet rreth saj, ndërsa një publikim i vitit 2009 merret edhe me Radio Televizionin e Kosovës.
Ky mik i kulturës shqiptare, i cili më pak me fjalë por më shumë me dokumentim e kërkim të palodhshëm e tregon dashurinë për Kosovën, punon si profesor qysh prej vitit 1994, në disa universitete e institucione të arsimit në Norvegji. Për gjashtë vite ai dha mësim edhe në Etiopi. Projektet e tij lidhen sidomos me të kaluarën e trazuar të Evropës, me konfliktet, me gazetarët e gjendur në situata të pakëndshme gjatë raportimit.
“Tashmë ky projekt i kartolinave është më shumë se kaq, dhe bashkë me kolegun tim Abit Hoxhën po punojmë në disa ide se si ta prezantojmë koleksionin e tërë kartolinave nga Kosova para publikut. E kam të rëndësishme që koleksioni të jetë i qasshëm për të gjithë. Po e mendojmë edhe një ekspozitë por edhe një databazë ku janë të gjitha kartolinat. Nuk dua t’i mbaj për vete ato, por dua t’i shohin edhe të tjerët. Kjo është tanimë një punë akademike. Kartolinat e kanë një rëndësi të veçantë përgjatë historisë së Kosovës dhe mund t’i japin historisë një kahje tjetër. Me kartolinat, udhëtojmë në kohë, e kuptojmë se si ishte i formësuar komunikimi para 100 vitesh, para 80 vitesh, para 50 vitesh.
Kenneth i ka hyrë edhe një detyre. Ai bashkë me Abitin, kolegun e tij nga Kosova tash e 15 vite, po provojnë t’i përkthejnë këto kartolina, në mënyrë që të analizohen mesazhet, çka u shkrua, prej kah deri ku u dërguan kartolinat, kush i dërgoi e kush i pranoi ato. Pos kartolinave, ta përmendim që Kenneth ka nisur të mbledhë e koleksionojë edhe harta të vjetra të Kosovës.
“Hartat e vjetra ishin një mjet i komunikimit, janë historike por edhe politike. Hartat janë përdorur edhe në mënyrë konfliktuoze, për të dokumentuar por edhe shërbjëne si argument prandaj është e nevojshme të mos i gjuajmë në harresë”.
Në rrjete sociale, kartolinat dhe çdo material tjetër i Kenneth shpërndahet dhe merr vëmendjen e duhur.
“Në internet marr shumë reagime. Para disa vitesh, e postova një kartolinë të një ekipi futbollistik, nga Prizreni ose Mitrovica – nuk jam tash i saktë. Një grua më kërkoi emrat e lojtarëve, të cilët ishin shënuar në pjesën e pasme të fotografisë. Kur ia dërgova, ajo grua më tha se njëri person në fotografi ishte familjar i saji. Shpesh më ndodhin këto raste, njerëzit e njohin veten në kartolinat e vjetra, e njohin dikë tjetër, apo edhe ndonjë ndërtesë e cila nuk ekziston më. Njerëzit janë të përmalluar, të mallëngjyer për vendlindjen e dikurshme. Kur i shohin postimet e mia, shumë njerëz ndihen në faj pse në Ballkan janë shkatërruar plot trashëgimi, të tjerët shpesh çojnë mesazhe të frustrimit se si një pjesë e mirë e Ballkanit ka degraduar, ka eskaluar” vazhdon Kenneth.
*
Ndërtesa e Eksimkosit në Prishtinë, në vitet e 70’ta. Edhe kjo është marrë nga një libër turistik i vitit 1978.
Kartolinë nga Peja, e cila u dërgua për në Shkup me datë 18 nëntor, 1964
Kenneth vazhdon të jetë i dashuruar në Kosovën. Deri sot ai ka mbledhur rreth 1500 kartolina, dhe asgjë nuk do të ndalojë këtu. Kush do ta mendonte se një djalë që fillon koleksionimin e kartolinave nga Lojërat Olimpike, do të vijonte me kartolina nga Kosova. Kenneth po punon momentalisht në disa projekte, ndërsa thotë se edhe nxënësve të tij shpesh u tregon për projektin dhe lidhjen e tij me Kosovën.
Secili prej nesh do të duhet ta ndihmojë Kenneth në këtë rrugëtim, i cili për më tepër është i shtruar me plot histori e i thurur e punuar me shumë respekt për shqiptarët, zakonet, traditat, arkitekturën e objektet, fjalët, fytyrat, karakteret, të magjishmet dhe të veçantat e popullit tonë.
(Ky tekst është botuar me ndihmën e Komunës së Prishtinës dhe subvencioneve kulturore vjetore nga kjo Komunë)