11 Shtator, 2020 - 3:05 pm
Gjuhëtari, publicisti, përkthyesi dhe profesori, Bardh Rugova gjatë ditës së djeshme ka botuar librin e tij të fundit “Gjuha e filmit”, në të cilin ai ka bërë një përmbledhje me ese, ku filmat analizohen si tekste. Ky libër konsiderohet i pari i kësaj natyre në studimet shqiptare, shkruan KultPlus.
Në parathënien e këtij libri Bardh Rugova shpjegon se përmbledhja e eseve dhe analizimi i teksteve është bërë me metodat e gjuhëtarit dhe kushdo që e merr librin në dorë do të gjejë aty këtu edhe analiza e shpjegime kinema-tografike. Por, brenda librit lexuesit do të gjejnë edhe besnikërinë ndaj metodës linguistike, si synim për të mbetur brenda kornizave të një gjuhëtari.
Aty shpjegohet se brenda vëllimit janë diskutuar probleme të gjuhësisë e të tekstit si ndërtekstualiteti, njoftueshmëria, koherenca, synu-eshmëria e pranueshmëria, si edhe efikasiteti e efektshmëria tekstore.
“Brenda këtij vëllimi janë diskutuar probleme të gjuhësisë së tekstit: si ndërtekstualiteti, njoftueshmëria, koherenca, synu-eshmëria e pranueshmëria, si edhe efikasiteti e efektshmëria tekstore. Janë trajtuar probleme të gramatikës së tekstit si kompozicioni, duke diskutuar çështje të makrostrukturës tekstore dhe të superstrukturës tekstore; dhe konteksti: psikologjik dhe ai social, duke pasur raste të daljes edhe në fushën e sociolinguistikës. Kemi bërë përpjekje që të diskutojmë nocionin ‘figurë’ në gjuhësi” thuhet në parathënien e librit “Gjuha e filmit”.
Tutje tregohet se filmat e përzgjedhur janë marrë vetëm si shkas për të trajtuar problemet gjuhësore, si dhe për faktin që ka pasur një mungesë diskutimi rreth tyre. Në këtë parathënie Rugova tregon se lista e filmave të paraqitur në këtë libër nuk pasqyron listën e filmave të tij të preferuar.
“Pa dyshim, zgjedhja e filmave ka qenë subjektive dhe e rastit, por kjo nuk do të thotë se zgjedhja është bërë vetëm sipas vlerësimit personal ose shijes artistike – ndonëse nuk mohoj se mund të ketë rol edhe shija personale. Lista e filmave të paraqitur në këtë vëllim nuk pasqyron listën e filmave të mi të preferuar”, shkruan ai.
Sipas shkrimtarit sikur të bënte analizimin e filmave të tij të preferuar, vëllimi i këtij libri do të përfshinte edhe filmat ‘Godfather” dhe “Lord of the Rings” – në artikuj të gjatë. Madje ai shkruan se për “Lord of the Rings” ai kohë më parë kishte planifikuar të shkruante një libër të tërë, por nuk premton se një gjë e tillë mund të ndodhë në të ardhmen.
Tutje ai ka shpjeguar se ky libër nuk është vëllim për filmin, por për gjuhën dhe gjuhësinë. Filmi në këtë libër ka vetëm rolin e korpusit të analizës gjuhësore. Rugova madje ka shkruar se e kishte menduar që në libër të mos përshinte filma shqiptar, por ishte një diskutim jashtë filmit më vete që e shtyu atë që të përfshinte edhe një ese për filmin “Shok”.
“Për një listë të tërë arsyesh, kam menduar të mos përfshija asnjë film shqiptar. I kam shikuar thuajse të gjithë që janë xhiruar kohët e fundit dhe, natyrisht, i di thuajse të gjithë që janë xhiruar më parë. Do të kisha diçka për të thënë rreth shumicës prej tyre – nga këndvështrimi i gjuhëtarit dhe i analizës së tekstit. Megjithatë, një diskutim jashtë filmit më vete më shtyu të ofroja një ese për filmin ‘Shok’.”
Libri “Gjuha e filmit” ishte projektuar katër vite më parë, kur autori ishte në vlugun e punimeve të shumta, hartimeve të librave dhe projekteve që lidheshin me strukturën e shqipes. Por, pikërisht gjatë kohës së pandemisë, siç shpjegon autori në parathënie, ju rikthye shkrimit të eseve dhe redaktimit të atyre që kishte shkruar më parë, si mënyrë për të kaluar kohën. Ai ka shpjeguar se libri mund t’ju hyj në punë studentëve të gjuhësisë, studiuesve të filmit por edhe entuziasteve të kulturës. Gjuha e artikujve në këtë libër ju është përshtatur (të gjitha kategorive të mundshme që konsiderohen lexues potencialë).
Krejt në fund ai ka shkruar se filmat i kishte shikuar së bashku më vëllaun e tij, mendimi i të cilit është shtruar brenda eseve të këtij libri. Sipas tij libri i shërbeu atij që të mos mërzitej gjatë pandemisë.
““Gjuha e filmit” bën bashkë më shumë pasione të miat: gjuhësinë në radhë të parë dhe pastaj filmit, leximin – letërsinë, shkencën, muzikën… sporti, besa. Është një libër që ma përmbush pasionin” ka thënë autori i librit, Bardh Rugova./ KultPlus.com