Mallkimi i femrës për të krijuar lirinë

14 Shtator, 2020 - 8:28 pm

Nga Ballsor Hoxha

– Krijimi i lirisë do të thotë përgjegjësi për lirinë tënde, ndaj vetes, dhe tjetrit. Është të jetuarit dhe të jetësuarit të lirisë me përvojën tënde, me kognicionin tënd dhe, shumë herë, me plagë të dhembshme të zjarrit të lirisë tënde –

Kur i shohim dy nëna në jetësim ndryshe të lirisë, ku është problemi? Tek liria e tepruar, e “degjeneruar”; apo tek frika dhe kërcënimi që ndien shoqëria ndaj ndryshimit të prezencës, pikë së pari, e më pastaj edhe tek ndryshimi i kognicionit.

Ç’është liria? Sot? Këtu dhe tash? A e di dikush?

Problemi është se liria, përjetimi dhe jetësimi i saj është duke kaluar. Është duke ndryshuar. Është duke u shndërruar në pafundësi refleksionesh dhe ngjyrash të flokëve. Habi në njërën anë me lirinë, dhe çorodia prej saj në anën tjetër, janë krejtësisht të afërta dhe krejtësisht të lira, pa një gjykim, pa një çmuarje apo pa një shpjegim.

Në një situatë të radhës/tjetër personazhet e vërteta, në realitetin tonë, A.gruaja nënë me dy fëmijë edhe E nënë me dy fëmijë, janë në ambient familjar, në qytet, të dyshimta me lirinë e tyre, më shumë se çdo gjë, për shkak të të ndryshmes në to, në atë që janë.

Janë të dallueshme, në jetësimin e tyre të lirisë, pavarësisht dukjes, sjelljes dhe qëndrimit. Pinë kafe dhe cigare, bisedojnë pavarur, shijojnë lirinë e tyre. Por dallueshmëria e tyre i thekson si bartëse të ndryshimit, kufi i lirisë. Aty, të gjithëve përreth u ngjajnë në bartëse të dyshimit të lirisë apo të ndryshimit të gjërave, apo “thyerjes” së shoqërisë.

Janë të dyshimta. Janë të panjohura. Janë të pakapshme. Në këtë dallueshmëri, nën këtë dyshim, ato nën mekanizmin mbrojtës kalojnë jetën në traumë. Traumë mallkimi për krijimin e lirisë së tyre. Ato, në ambientin familjar ku janë, braktisin të përditshmen, në të vërtetë e jetojnë të jashtëzakonshmen, janë të huaja në vendin e tyre, në shoqërinë e tyre.

Ikin nga realiteti, braktisin realitetin dhe përfundojnë – fugitives – të shoqërisë. Të përjashtuara, të lëçitura (po sikur femrat në filmin Shpia e Agës) dhe të padashura. Kjo duke krijuar efektin e ankthit dhe të pasigurisë në krjimin dhe ndërtimin e tyre të vetë jetës së tyre. Kapen për njëra tjetrën sikur dy persona nën katastrofën e tërmetit të lirisë dhe ruajnë atë pak që u ka mbetur. Gjë që i shtyn tutje dhe thellë në traumë të lirisë. Të mallkimit të tyre. Të mallkimit për të krijuar lirinë. Lirinë e tyre të zgjedhur.

Martesa është zgjedhje. Por edhe shkurorëzimi është zgjedhje. Të dyja bashkë kanë qenë deri para shumë pak kohe një, dhe vetëm një mundësi: martesë e përhershme. Mbi çdo gjë. Mbi dhunën, mbi tradhtinë, mbi varësinë e femrës, ndër të tjera.

Tanimë kur shkurorëzimi është zgjedhje e mundshme dhe e realizueshme, gruaja ka mundësinë, lirinë për të zgjedhur, për të jetësuar lirinë. Por jo si është parashikuar, por siç është në sytë e saj.

Doemos e izoluar për shumë kohë, ajo që sheh gruaja do të jetë shprehje e mungesave të paplotësuara. Dëshirave të parealizuara, dhe shtytjeve krejtësisht të “dyshimta” për – Patriarkun – e shoqërisë (lexo:

burrin, djalin, familjen shoqërinë në tërësi). Por kjo sublimohet në jetësimin e tyre, aq më shumë në mundësinë e shkurorëzimit.

Kjo e fundit do të thotë se, masakra ndër-familjare që është duke vazhduar prej lirisë e këndej është masakër e njeriut të shastisur. Të trishtuar dhe të mbetur peng i kalimit në lirinë e pavarur. Të fshehurit e nevojës për liri. Të shtypurit e nevojës për përjetim. Të mbyllurit, të izoluarit dhe të zhdukurit e dëshmisë së lirisë është sjellje e të shastisurit. Është hapësira e pamatë e krijuar në lirinë me mundësinë e zgjedhjes edhe për shkurorëzim.

Rasti i personazheve të vërteta të realitetit kosovar, dhe në anën tjetër vazhdimi i masakrës ndër-familjare në shoqërinë tonë, janë dy ekstremet e të qenit në ballë me murin e lirisë. Me ankthin për jetë. Derisa personazhet krijojnë lirinë e tyre, i shastisuri jeton me shndërrimin e të njohurës (kognicionit) në diçka të huaj dhe të paparashikueshme.

Trauma e lirisë është e vërtetë e prekshme dhe e rrezikshme në shoqërinë tonë. Dy femrat në fjalë, A. nënë me flokët e saj rozë, dhe E. nënë me flokët e saj të rruara, janë dy personazhe në traumë të përbashkët që përçojnë liri dhe reflektojnë liri. Pikërisht kjo e bën përballje çdo ekspozim të tyre dhe kthehet në rezistencë dhe refuzim ndaj tyre nga shoqëria. Kjo mënyrë e jetës është traumë, jo plagë, por gjendje traumatike në të cilën ato të vetme në shoqërinë e shastisur nga liria, kapen për njëra tjetrën si në krizë katastrofe, për çdo ditë të zakonshme, dhe për aq më shumë kalojnë në viktima. Viktima të cilat dinë edhe të mbrohen në mallkimin e tyre për të krijuar lirinë, e edhe për të kaluar tutje në lirinë e vetë. Dinë të mbrohen me rebelimin, me provokimin dhe me kalimin tutje të lirisë së tyre.

Liria është dyshim. Liria është kërcënim. Liria është rrënim i mureve të parashikueshmërisë. Çdo lloj ngjyre e flokëve, e sidomos ajo rozë, është vulë kërcënimi në parashikueshmërinë instinktive të shoqërisë. Dhe me këtë përpjekje kolektive ndaj këtyre për t’u mbrojtur nga rreziku i dobësimit të racës, kolektivit dhe të ardhmërisë së tij.

Dyshimi që mbjellë liria është rreziku i degjenerimit dhe devijimit. Andaj njeriu mbyllet dhe izolohet në martesë, në familje, në fëmijë, si turmë e cila jeton e pa dyshim dhe e parashikuar deri në pikën e fundit të mbijetesës. Në grua, në fëmijë, e sidomos në burrë, të cilët nuk arrijnë tej turmës familjare dhe nuk arrijnë tutje në individuale brenda familjes. Vetë fëmija është peng i martesës në përhershmëri. / KultPlus.com

Të ngjajshme