15 Shtator, 2020 - 12:58 pm
Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Berat ka përfunduar restaurimin e çatisë së banesës Ago në lagjen Goricë, monument kulture kategori e dytë.
“Një tjetër ndërhyrje ka përfunduar. Restaurimi i çatisë në banesën e familjes Ago lagjen Goricë u krye në bashkëpunim me Chwb Albania dhe konsistoi në zëvendësimin dhe trajtimin e elementëve të drurit të tavanit të strehës së çatisë”, – shprehet DRTK Berat.
Më herët në këtë banesë është kryer edhe restaurimi i fasadës që përfshiu ndërhyrje në strukturën e catmasë dhe sovatimit të saj, lyerjen me gëlqere, restaurimin e dritareve, fashaturave, lyerje me vaj lini e antimol të gjithë elementëve drusorë duke nxjerrë në pah vlerat e këtij monumenti shumë pranë urës së Goricës.
Banesat karakteristike të Beratit, reflektojnë influencat e traditës së banesave popullore ballkanike, që datojnë kryesisht në shekujt e 18 dhe 19 të erës sonë.
Këto banesa, një dëshmi e vyer e diversitetit urbanistik dhe arkitektonik, janë gjithnjë e më shumë në vëmendjen e specialistëve të monumenteve të kulturës.
Në vitin 1961, Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë./ atsh/ KultPlus.com