17 Shtator, 2020 - 10:18 am
Promovimet e librave zakonisht kanë një natyrë gazmore me pjesëmarrjen e plot njerëzve. Mirëpo pandemia ndikoj që promovimi i librit poetik ‘’Mugen’’ nga Kushtrim Thaqi të realizohet nën praninë e pak personave me një ceremoni modeste në Qendrën për Edukim dhe Kulturë “Libart”, shkruan KultPlus.
Promovimi i cili nisi nën moderimin e Sihana Klisuricës, shpalosi në detaje pjesë nga rrugëtimi i autorit Thaqi duke përfshirë fillimet e shkrimeve të tij, arsyen e përdorimit të një gjuhe të huaj si mjet për t’u shprehur, ndryshimet që letërsia bën në individin, reagimi dhe ndikimi i rrethit përgjatë gjithë procesit krijues e deri në fund botimin dhe sjelljen para lexuesve.
Për dallim nga autorët e tjerë kosovarë, Kushtrimi ka zgjedhur të rrëfej brendinë dhe këndvështrimet e tij në një gjuhë tjetër e jo në gjuhën shqipe. Libri i tij i parë vjen në gjuhën angleze, me të cilën ai edhe kishte nisur hapat në rrugëtimin poetik. Ndërkaq, poeti ka zgjedhur një tjetër gjuhë për emërtimin e librit. ‘’Mugen’’ nga japonishtja ka kuptime të ndryshme si ‘’andërr’’, “i pakufishëm”, “iluzion’’. Përtej përkthimit të drejtpërdrejtë, ajo është një monolog poetik i njeriut të heshtur përballë një shoqërie në tranzicion, një pyetësor drejtuar vetes; një shenjëzim i realitetit virtual dhe luftës së vazhdueshme emocionale të njeriut për në kërkim të identitetit të tij brenda hutisë kolektive.
Në promovimin e veprës “Mugen”, botues i së cilës ishte ‘Kandërr’, folësja e parë ishte Ervina Halili. Ajo foli për rrugëtimin e librit, vlerën e saj në letërsinë shqiptare dhe rrugën deri te realizimi. Sipas saj, anipse kishin shumë vite përpjekje për botim, qasja individualiste e autorit Thaqi për letërsinë e kishin bërë që të mos jetë në duar të lexuesve deri më sot.
‘’Ka plotë vite që ne përpiqemi ta botojmë këtë libër, për arsye të shumta, e para është sepse unë dhe Kushtrimi kemi botëkuptime të ndryshme për letërsinë, dhe ai ka bërë një rezistencë epike për mos botimin e këtij libri’’, shprehej Halili. Ajo tutje vlerësoj se nëpërmjet kësaj vepre shënohet një epokë e shoqërisë, jo vetëm asaj kosovare por përgjithësisht të fundshekullit XX dhe fillim shekullit XXI.
‘’Jam shumë e lumtur që ky libër sot po merr dritën, jo vetëm pse Kushtrimi boton libër, por edhe se letërsisë së Kosovës iu shtohet një libër i jashtëzakonshëm, anipse s’është në gjuhën shqipe’’, vlerësonte Halili.
Pas fjalëve të thëna, ishte radha të lihej që libri vet të dëshmohej para audiencës. Këtë e siguroj aktori Blend Sadiku, i cili me një emocion dhe gjuhë të hollë lexoj disa nga poezitë në gjuhën angleze të Kushtrim Thaqit në kuadër të veprës ‘’Mugen’’.
Pas duartrokitjeve të interpretimeve poetike, i takonte shkrimtarit të bënte deshifrimin e këtij rrugëtimi poetik. Autori i veprës ‘’Mugen’’ tregon se përpara këtij emërtimi, te ai ekzistonte një tjetër ide. Veprës së parë të tij ai kishte dashur t’ia linte emrin ‘’Cikël’’ duke qenë kjo edhe brenda natyrshmërisë së poetikës së tij por edhe si simbolikë e jetës njerëzore, e cila përherë është në ndryshim dhe në proces. Mirëpo një bisedë me shokun e tij mbi një personazh animacioni kishte ndërruar rrjedhën.
‘’Ai më pyet ‘si shkruan ti?’, unë duke ditur se lidhja e vetme që e kishim ne të dy ishte animacioni, u mundova t’i përgjigjem përmes kësaj fushe. Unë mundohesha t’ia sqaroj se si një karakter animacioni që quhet ‘’mugen’’ është komplet vagabond prej natyrës për arsye se nuk ka as mësues, as dijeni për gjënë që e bën, por e do atë dhe e bën tërë kohën’’, kujton Thaqi bisedën e tij.
Ai shton tutje se aty i lindi mendimi për këtë emërtim, i cili kishte filluar t’i pëlqente sepse në të shihte ëndërr, vizion, pakufishmëri.
Përbrenda librit me emër në gjuhën japoneze dhe përmbajtje angleze, një titull i poezisë dallohet nga të tjerat, duke qenë e shkruar në gjuhën angleze, ndërkaq duke u emërtuar si ‘’Nanë’’.
‘’Më vinte shumë keq ta shkruaj një poezi që është për nanën dhe mos t’ia vë emrin shqip, kur nana ma ka mësuar atë gjuhë. E pamundshme ta quaj ndryshe përveçse nanë’’, shprehej Thaqi.
Letërsinë Thaqi e kishte nisur si inspirim, pastaj për t’u bërë vet një letrar. Ai përshkruan momentin kur ishte në një punë të mërzitshme dhe kishte lexuar poezinë e një poeti finlandez, e që ky do të ishte një hap i ri në këtë shteg për të.
‘’Në momentin e parë që e kam parë atë poezi ka qenë një ndjesi sikur të zbulosh diçka që është gjëja më e mirë që ke përjetuar ndonjëherë. Sikur të hapej një derë, ti të hysh, dhe të dëshirosh të mbetesh aty. Prej atij momenti unë kam vazhduar të shkruaj gjatë gjithë kohës’’, rrëfen Kushtrimi për përballjen e tij të parë me poetiken. Ai vazhdoj duke shkruar e lexuar pa ndal, e secilën herë duke rikrijuar përmes tyre veten.
‘’Në çdo shkrim, poezi mundohesha të gjeja gjëra që më herët nuk i kisha gjetur, dhe sa herë që ndodhte kjo më dukej se shndërrohesha në diçka tjetër. Nuk ishte vetëm që krimbi të shndërrohet në flutur, por edhe në diçka tjetër’’, tregon me emocion autori i veprës ‘’Mugen’’.
Sipas tij shkrimi mbetej secilën herë diçka ‘’shumë e bukur’’ dhe që ai nuk mund ta ndalte. Madje çdo gjë dinte të kthehej në frymëzim për të, edhe bisedat e përditshme me shokë.
‘’Poezia u bë diçka që e hidhte poshtë atë që e kam zbuluar çdo ditë si të vërtetë prej realitetit, ekzistencës, gjithçkaje që ndodhte përreth. Ky procesi i rikrijimit të dërgonte te këto dhe ti mbërrije nga pika se ‘kjo është kjo’ në ‘ajo nuk është më ajo’’, përshkruante Kushtrim Thaqi.
Teksa kujton fillimet e tij poetike, autori thotë se nuk ka pasur dijeni për poezinë dhe për të mbeteshin të parëndësishme strukturat, vijat dhe fjalët. Qëllimi kryesor për të mbetej ta shprehte veten, gjithmonë duke e gjetur një liri përbrenda saj dhe kjo ishte edhe një ndër arsyet pse për të nuk kishte rëndësi pse kishte shkruar në gjuhën angleze.
“Në rrethin në të cilin jetoja poezia ishte arti i vdekur. Kam shkruar anglisht sepse kam filluar prej një poezie në këtë gjuhë, më vinte shumë më lehtë, më natyrale, jo sepse kishte ndonjë rëndësi pse shqip apo pse anglisht”, thekson autori Thaqi.
Promovimi u mbajt me një audiencë modeste, mirëpo poetika e tij do të depërtoj te një publik më i gjerë, krahas cilësisë poetike edhe për shkak të gjuhës internacionale. / Medina Pasoma /KultPlus.com