22 Shtator, 2020 - 3:46 pm
Robert De Niro, Al Pacino, Adam Driver dhe Jared Leto, janë në bisedime e sipër për t’u angazhuar me rol në filmin e ardhshëm të regjisorit Ridley Scott, “Gucci”.
Drama kriminalistike e bazuar në ngjarjen e vërtetë të vrasjes së afaristit italian dhe ish-drejtorit të shtëpisë së famshme të modës, Maurizio Gucci, ngjarje kjo e cila kishte ndodhur në vitin 1995, pritet ta përfshijë një ekip të madh të aktorëve yje, transmeton Koha.
Në mesin e tyre janë edhe aktori i filmit “American Hustle”, Jack Huston, dhe këngëtarja e shndërruar në aktore, Reeve Carney.
Lady Gaga tashmë është konfirmuar për portretizimin e Patrizia Reggianit, ish-gruaja e Guccit, e cila ishte dënuar për orkestrimin e vrasjes së tij, pas një afere jashtëmartesore.
Skenari është shkruar nga Roberto Bentivegna dhe bazohet në librin e autores Sara Gay Forden, “The House of Gucci: A Sensational Story of Murder, Madness, Glamour, and Greed”.
Giannina Scott vjen në rolin e producentes së filmit së bashku me burrin e saj, ndërsa prapa realizimit të këtij projekti kinematografik gjendet studioja “MGM”. Kjo kompani tashmë ka nënshkruar marrëveshje në realizimin edhe të dy filmave të tjerë që për protagonistë do t’i kenë aktorët Ryan Gosling dhe Channing Tatum.
Regjisori 82-vjeçar, Ridley Scott, planifikon ta fillojë punën rreth realizimit të filmit menjëherë pasi ta përfundojë projektin “The Last Duel”. Drama me protagonistë aktorët, Ben Affleck dhe Matt Damon, është pezulluar përkohësisht për shkak të pandemisë së koronavirusit.
“Gucci” pritet të lansohet për publikun e gjerë më 24 nëntor të vitit 2021. / KultPlus.com