4 Korrik, 2017 - 6:35 pm
Poezi e shkruar nga Egzon Kryeziu.
T’i refuzojmë ilaçet me skadim
Të vdesim prej sëmundjeve është më e dinjitetshme.
T’i lëmë shkollat, t’i mbyllim
Se dhemb më tepër me qenë injorant me titull.
Të vdesim më mirë
Të ikim të uritur është më e lehtë se sa nderi i nëpërkëmbur.
Të vdesim më mirë
Shteti na e paguan ceremoninë e varrimit.
Të ikim
Të mos dashurojmë
As pasardhës të mos lëmë
Çelës t’i vëm ferrit.
T’i vëm dry gjykatave
Të i ikim padrejtësisë është më e arsyeshme se të vdesim prej saj
Ata le të plaçkitin
Ngopen ndonjëherë
Të caktojmë ditën e ceromonisë mortore
Unë dhe Ti
Të gjithë Ne
Le të vdesim të kapun për njëri-tjetrin
Edhe engjullin e vdekjes ta lëm pa fjalë
Por nëse refuzon
Atëherë ÇOHU
ÇOHU dhe ngul këmbë
Për dinjitetin tënd.
Ndryshe do vdesësh prej ilaçeve
Ose si injorant i uritur prej atyre që të plaçkisin e të gjykojnë padrejtësisht
Prandaj… ÇOHU ose vdis.