23 Shtator, 2020 - 11:32 am
VoRAE ka reaguar përmes një statusi në Facebook rreth gjuhës denigruese dhe ofenduese karshi grupeve të cenueshme siç janë romët, ashkalit dhe egjiptianët në Kosovë.
Kjo kritikë ju adresohet në veçanti përfaqësuesve të institucioneve publike dhe personave me ndikim në vend si: ministrave e deputetëve.
Sipas tyre fokusi i gjithë shoqërisë sonë duhet të drejtohet në edukimin tonë ndaj antigjipsizmit dhe ndikimit të tij në jetën e pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në mënyrë që të fillojnë të marrin trajtimin e merituar si qytetarë të këtij vendi.
Ky është reagimi i plotë nga VoRAE:
Gjuha denigruese dhe ofenduese karshi grupeve të cenueshme siç janë romët, ashkalit dhe egjiptianët në Kosovë është e pa tolerueshme e sidomos kur ajo përdoret nga përfaqësues të institucioneve publike të cilët janë persona me ndikim në vendin tonë.
“RAE” nuk përfaqëson komunitetet, “RAE” nuk përdoret për të identifikuar grupet etnike të qytetarëve të Kosovës dhe në asnjë mënyrë nuk thuhet komuniteti “RAE” duke qenë të vetëdijshëm që kemi të bëjmë me tri grupe etnike siç janë komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
Reagimi ynë ndaj gjuhës së urrejtjes për këto tri komunitete i adresohet ministrave, deputetëve dhe të gjithë përfaqësuesve të institucioneve publike në Kosovë që të korrigjojnë mënyrën e komunikimit duke mos përdorur terma ofendues ose shkurtesa si “RAE” për të ju adresuar pjesëtarëve të tri komuniteteve e cila konsiderohet nënçmuese për ta.
Është shumë e rëndësishme që shoqëria kosovare por edhe përfaqësuesit e institucioneve që të ndërgjegjësohen karshi përdorimit të termeve të cilat nuk janë të pranueshme apo të dëshirueshme nga qytetarët e Kosovës.
Fokusi i gjithë shoqërisë sonë duhet të drejtohet në edukimin tonë ndaj antigjipsizmit dhe ndikimit të tij në jetën e pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në mënyrë që të fillojnë të marrin trajtimin e merituar si qytetarë të këtij vendi. / KultPlus.com