23 Nëntor, 2017 - 3:14 pm
Dokumente, letërkëmbime, një poezi dhe disa fotografi të Migjenit, të pabotuara kurrë më parë, janë përfshirë në botimin e fundit “Migjeni –Vepra”. Ky botim, sjell të tjera anë të fshehta, nga jeta e poetit, të cilin e detyruan t’i japë lamtumirën kësaj bote, që në moshën 27- vjeçare. Në këtë libër, veç veprës së plotë të tij, janë përfshirë edhe mjaft detaje të tjera nga jeta.
Skënder Luarasi mblodhi gjithë jetën e Migjenit, “Vargjet e Lira” të këtij poeti të madh (ku janë përfshirë “Kangët e mjerimit ”, “Kangët e përndimit”, “Kangë në vete”, “Kangët e rinisë” dhe “Kangët e fundit), e krahas tyre mblodhi dhe “Novelat e qytetit të Veriut”( ku përfshihen edhe shkrimet e fundit të tij, si dhe shënime të ndryshme nga leximet, dokumente, letra të Migjenit, dërguar miqve dhe të afërmëve të tij, etj).
E së fundi, përgatiti dhe kronologjinë e jetës dhe të veprimtarisë së Millosh Gjergj Nikollës – Migjenit (1911-1938), botimet në gjuhë të huaja të veprës së tij. Një pasthënie e shkruar nga e mbesa e poetit, (Angjelina Ceka (Luarasi) vajza e motrës së tij të dashur Olga) mbyll fletët e librit i cili u përgatit nga ndërmarrja botuese “Cetis Tirana”.
Të njohurat e të panjohurat
Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni, Angjelina i kishte parë sa e sa herë dorëshkrimet dhe botimet e të atit të saj (i cili ka qenë studiuesi që i ka hyrë deri në hollësi veprës së Migjenit). Kishte marrë në duar botimet e veprave të plotë të Migjenit.
Vendosi të botonte të katërtin e radhës. Siç edhe shpjegon në pasthënien e këtij botimi të ri, Angjelina pohon se ky libër përmbledh botimin bazë të përgatitur dhe redaktuar nga Skënder Luarasi,si dhe letërkëmbimet me miq e të afërm si dhe mjaft foto, letra e dokumente të pabotuara më parë. Një libër i tillë që i ka munguar gjatë bibliotekës shqiptare është përgatitur me shumë kujdes.
Është dashur shumë kohë për të sjellë imazhin përfundimtar të tij. Veç materialeve e veprës së Migjenit, botuar edhe më parë, janë bërë hulumtime edhe përtej kufirit të Shqipërisë ku gjenden të afërm dhe miq të Migjenit.
Nga e vetmja vajzë xhaxhai e Migjenit (86 vjeç) e cila jeton sot në Zagreb janë marrë fotografi të reja të Migjenit. Po ashtu janë bërë kërkime për materiale të reja edhe në shtëpinë muze “Migjeni”, ku janë marrë letra të pabotuara të së dashurës së tij. Përmes atyre letrave mëson diçka për vdekjen e Migjenit.
Ato letra, Bojka ( kështu quhej vajza shkodrane, që kish zaptuar zemrën e poetit) ia dërgonte motrës së tij Olgës, e cila ishte e vetmja pjesëtare e familjes që iu gjend pranë asaj, pas vdekjes së Migjenit.
Kjo letër është botuar edhe në këtë libër e sipas Angjelinës ka vlera të veçanta se mbi të gjitha tregon edhe nivelin kulturor të këtyre vajzave, në ato kohë. Po ashtu, një tjetër dorëshkrim që vjen për herë të parë në duart e lexuesve është edhe një faksimile e dorëshkrimit origjinal të poezisë “Malli rinuer”.
Letrat e Migjenit…
Në këto faqe ndodhen përjetimet e poetit, dhimbjet, meraku dhe malli i tij, për miqtë më të afërt , motrat dhe njerëzit e tjerë të familjes. Ndër këto letra gjen radhë të shkruara për Skënder Luarasin në të cilat rrëfen mbi përgtitjen e botimit të vargjeve të para të tij.
Në të tjera letra ai i është drejtuar mikut të tij të ngushtë, Teufik Gjylit, motrës Cvetka, burrit të Lenkës (motrës së madhe), Llazar Jovanit e motrës tjetër, Jovankës. Vendin më të rëndësishëm në këtë libër e zënë letrat e shkruara nga e dashura e tij Bojka, letra këto që ajo ia shkruante motrës së Migjenit Olga, ( e cila ishte edhe mikja më e ngushtë e saj).
Ndër rreshtat e atyre letrave, Bojka ka shprehur dhimbjen për humbjn e njeriut të saj më të dashur. Fraza të mbushura me dhimbje e keqardhje, mall e brenga, rrëfejnë për një dashuri mjaft të pastër e të veçantë mes poetit dhe Bojkës.
90- vjetori që s’u kujtua
Ky botim i plotë i veprës së Migjenit ishte përgatitur për t’u botuar që në 90 -vjetorin e lindjes së tij. Por mes heshtjes dhe kaosit të jetës kulturore në Shqipëri, përvjetori i veçantë i Migjenit, u harrua. Përveçse në Pukë, dhe në një mbrëmje performance, organizuar nga studentët e Akademisë së Arteve, në Tiranë, askush nuk u kujtua ta nderonte Migjenin e madh e të organizonte diçka për nder të këtij përvjetori.
E që nga ajo kohë deri para pak muajsh kur Ministria e Kulturës Rinisë dhe Spoteve e mundësoi shtypshkrimin e këtij libri në Slloveni, nga familja e Migjenit janë bërë përpjekjet maksimale për të sjellë një botim sa më dinjitoz.
Origjina e shtrembëruar e Migjenit
Mbesa e poetit, Angjelina, është mjaft e prekur nga gjithçka dashakeqe që është thënë kundër Migjenit këto dhjetë vitet e fundit. Ajo i ka ndjekur me shumë kujdes të gjithë artikujt e shkruar në shtypin e këtyre kohëve.
Madje veç dëshpërimit, ajo ka provuar edhe një ndjenjë fyerjeje të fortë ndaj figurës “së cënuar” të dajës së saj të dashur. Në pasthënien e këtij libri, ajo thekson se “Këto vite në shtypin shqiptar janë bërë edhe shpifjet më të ulëta për Migjenin.
Është shkruar se nuk ishte shqiptar dhe se familja e tij kishte origjinë sllave, duke injoruar kështu faktet e paraqitura në biografinë e Skënder Luarasit, që dëshmojnë gjakun shqiptar të poetit nga familja dibrane e Nikollave dhe ajo Shkodrane e Kokoshëve”.
Kështu shpjegon Angjelina, ndërsa rrëfen se gjyshi i tij vinte nga Nikollat e Dibrës. Më tej ajo shpjegon se emrat me tingëllim sllav, duke përfshirë edhe atë të pagëzimit të Migjenit dhe të motrave të tij, nuk dëshmojnë më shumë se sa përkatësinë në komunitetin ortodoks të Shkodrës , të ndikuar në atë kohë nga kisha fqinje malazeze”.
Pra sipas saj asnjë prej këtyre pretendimeve të ngritura në shtyp nuk qëndrojnë. Origjina e tij është krejtësisht e pastër shqiptare
Dashuri e përfolur…
Dashuria e tij me vajzën shkodrane Bojka ka qenë një dashuri mjaft e veçantë Mes tij dhe Bojkës, kishin lindur ndjenja jo vetëm të forta por edhe shumë fisnike.
Ato që e dëshmojnë më shumë se çdo gjë tjetër këtë janë letrat e të dashurës së tij, Bojka. Por kjo dashuri mes tyre është përfolur mjaft ndër shkrimet e këtyre viteve të fundit. “Mjaft dashakeqe ka qenë edhe përpjekja e bërë në shtyp për të përdhosur dashurinë e vetme të Migjenit si një lidhje incesti, nëpërmjet sajimit të një përafrie gjaku midis Migjenit dhe Bojka Nikollës”- thotë Angjelina.
Dhe e gjithë kjo është bërë duke u nisur nga mbiemri i njëllojtë i tyre. Veçse e vërteta nuk qëndron kështu. “Në të vërtetë Kola, i ati i Bojkës, kishte ardhur në moshë të rritur në Shkodër, nga komuniteti ortodoks i i Kavajës dhe nuk kishte asnjë lidhje gjaku me Nikollë Dibranin, gjyshin e Migjenit, të ardhur nga komuniteti ortodoks shqiptar i Rekës së Dibrës shumë kohë më parë”- shpjegon ajo, duke shtuar se “lidhja e Migjenit me Bojkën ka qenë aq fisnike sa mund të merret si shembull për rininë e sotme.
Sa dhimbje forcë e kulturë përmbajnë letrat e mikes së tij Bojka, ndërkohë që Migjeni e përjetësoi atë në poezinë Z.B”,- shkruan Angjelina në pasthënien e librit. A. Peçi
(Kjo është poezia e botuar në këtë libër në formën e një faksimilje, ku paraqiten vargjet e marra direkt nga dorëshkrimi i poetit)
Malli rinuer
“Valët muzikore flutrojnë nga prendimi
Shkrepen e përtrihen
Për muret e dhomës s’eme
Edhe mandaj dridhen
Mbrenda në zemrën t’eme
Dhe zgjojnë ndijesina që mblue ka hini
Ndijesitë e mija me valët muzikore
Shkëmbejnë puthje të nxehta
Posi dy dashnorë
E pamëshirë shëgjeta
Më ther në krahnor
Edhe më merr malli për jetë ma gazmore
Malli rinuer për jetë ma shkrumbuese
Flen pa fat në mue
Një tingull pendimi
Asht ngushëllim për mue
Kur më mbështjell mashtrimi
Me melankolinë e vet aq trishtuese
Tingujt miqëdashës që në dhomën t’eme
Më tregojnë rythmin
E një dansit të largët
Më kujtojnë përqafimet
E çifteve të shkathët
Që sjellen lirshëm nëpër dërrasa të gdhenme