5 Korrik, 2017 - 4:15 pm
Teatri i Tetovës është gati për premierën e komedisë “Kripë Deti” të autorit bullgar Emil Bonev dhe me regji të Nehat Memeti.
Për shfaqjen në tërësi dhe konceptin e saj shprehet regjisori Memeti.
“Në këtë vepër të autorit bullgar Emil Bonev trajtohet një ndër motivet më interesante të dramaturgjisë, ajo e dashurisë. Bëhet fjalë për dy vajza dhe dy djem ku secili në vete mbartë ndonjë histori të dhimbshme apo dështim i cili iu bëhet pengesa dhe barra kryesore për t’u dashuruar. Këta dy çifte përmes situatave dhe peripecive të ndryshme më në fund arrijnë që të dashurohen duke i mposhtur komplekset dhe frikat e tyre. Prandaj në konceptin tim regjisorial do të trajtoj dëshirën dhe nevojën e personazheve për artikulimin e seksualitetit të tyre mashkullor ose femëror. Refleskionin për atë, se sa janë atraktiv dhe tërheqës, personazhet do ta marrin nga ai tjetri pasi të binden se dashuria e vërtetë nuk është fiksion por realitet. Në momentin kur e trajtojnë njëri-tjetrin si personalitet e jo si objekt, ata dashurohen”, ka treguar regjisori rreth kësaj shfaqje.
Ai tutje ka treguar se kjo vepër, pikë së pari do të realizohet si melodramë me premisa të drama-terapisë, por që në vete mbartë edhe elemente të komedisë së situatave dhe atë të karaktereve. Personazhet do të trajtohen nga perspektiva Lakaniane që do të thotë se gjatë shfaqjes të gjithë ata do të metamorfozojnë mvarsisht nga situata në të cilën gjenden. Në fund të shfaqjes para publikut defilojnë personazhe komplet ndryshe.
Aktorët që do të luajnë në shfaqje janë: Burhan Amiti, Elmir Sejfullai, Linda Shabani dhe Azra Sallahi. Skenografia është përgatitur nga Krste Xhidrov ndërkaq kostumet nga Medina Hoxha.
Shfaqja do të prezantohet para publikut tetovar më 7 korrik në ora 20:00 në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës në Tetovë. / KultPlus.com