27 Nëntor, 2017 - 4:50 pm
Nuk flitet shumë për të, por ajo ka pasur një jetë me vuajtje e me gëzime, një fazë vuajtjesh e një fazë lumturie, ndonëse kjo e dytë ishte më e shkurtër.
Hajrie Curri, vajza e Bajram Currit – Plakut të Maleve, ka pasur një jetë plot peripeci. Vajza e saj, Mimoza, tregon për vështirësitë e kësaj jete, për gjyshen Ajkunë dhe për motrën Valdete.
Po e sjellim këtë pjesë ku Hajrie Curri, vajza e Bajram Currit dhe vajza e saj Mimoza rrëfejnë, në librin “Ecje nëpër kujtesë” nga Sanije Gashi.
Ne kemi qenë shtëpia më moderne e Shqipërisë në Shkodër. Nëna ime (gjyshja), Ajkuna, nuk e ka veshur kurrë çarçafin, ka dalë me mantel. Edhe unë, kur u martova, nuk vija më çarçaf. Kur shkoja në Tiranë, ose kur dilja në Shkodër, vishesha alla franga. Pyetjes se si I trajtonin shkodranët, Hajria i përgjigjet plot dashuri e mirënjohje: – Uh, sa na ka dashur Shkodra, sa na kanë respektuar shkodranët, shumë, shumë! Kur na takonin paria, na dilnin përpara e thoshin: Princeshat e Kosovës! Hanëmllaret e Kosovës! Na pritnin me fjalët më të mira! Tash është prishur njerëzimi, të parët ishin ndryshe.
****
Në saje të emrit që kishim edhe unë e motra kemi qenë të respektuara gjithkund – ndërlidhet me admirim Mimoza. Mirëpo, pas martesës, sidomos pas burgosjes së të shoqit, për Hajrien fillojnë vitet e vuajtjeve. Të shoqin, Ragip Metën, regjimi komunist e dënon me vdekje, por më pastaj i falet jeta dhe bën 17 vjet burg. Kur e burgosin të shoqin, Hajria mbetet më të bijën, Mimozn, dhe shtatzënë. Pas tre muajsh lind vajza e dytë, Valdetja, e cila me të atin takohet për herë të parë pas daljes nga burgu, si vajzë 17 vjeçe! (1962)
=
Bajram Curri (1866-1925) ishte udhëheqës popullor, ushtarak, senator i Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë nga 27 mars 1920 deri më 20 dhjetor 1920.
Ishte ndër udhëheqësit kryesorë të forcave demokratike revolucionare që shpartalluan repartet zogiste dhe i hap rrugën fitores së Lëvizjes së qershorit 1924, shkruan KultPlus. Në vjeshtë të vitit 1924 shkoi në Gjenevë për të paraqitur para Lidhjes së Kombeve çështjen e të drejtave të popullsisë shqiptare të Kosovës të shtypur egërsisht nga serbët. E vazhdoi luftën kundër reaksionit të brendshëm dhe shovinistëve serbë edhe pas shtypjes së Lëvizjes së qershorit.
Curri u vra nga forcat zogiste dhe agjentët e shovinistëve serbë në Dragobi të prirë nga Ceno beg Kryeziu më 1925. / KultPlus.com