22 Tetor, 2020 - 4:54 pm
Posta e Kosovës ka lëshuar në qarkullim emisionin e pullave postare me titull “Heroinat e Kosovës”, kushtuar grave të Kosovës që sakrifikuan jetën e tyre në rrethana të ndryshme për lirinë e Kosovës.
Në promovimin e mbajtur në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nën patronatin e Kryeparlamentares, Znj. Vjosa Osmani – Sadriu, mori pjesë U.D. Kryeshefja Ekzekutive, Vjollca Shala Mulaj me bashkëpunëtorë, si dhe përfaqësues të shoqatave të grave, gratë deputete, ambasadorë si dhe mysafirë të tjerë.
Kryeparlamentarja Znj. Vjosa Osmani ka falënderuar Postën e Kosovës, duke vlerësuar pullën postare kushtuar heroinave të Kosovës, ajo tha se: “Është e rëndësishme që Kuvendi i Kosovës të jetë imazhi që e kanë ndërtuar heroinat tona. Ju e keni parë që gjatë historisë pullat postare u janë kushtuar figurave nacionale. Shoqëria jonë ka injoruar për një kohë të gjatë sakrificën e tyre gjatë luftës, por edhe guximin e pashembullt që kanë treguar në luftën e fundit”.
Në fjalimin e saj, U.D. Kryeshefja Ekzekutive, Znj. Vjollca Shala Mulaj tha se: “Ky emision i pullave postare që po e promovojmë sot është i veçantë, sepse mishëron sakrificën dhe njëherësh krenarinë e gruas shqiptare nëpër shekuj, sidomos vuajtjet biblike të shumë vajzave dhe nënave që përjetuan tmerrin e dhunimit”.
Triumfin dhe sakrificën e këtyre heroinave e pasqyron në vepër artistike edhe autori ka përshtatur dizajnin në imazhin e kësaj pulle postare, ‘’Heroinat e Kosovës’’, përmes të cilës Filatelia e Postës së Kosovës promovon vlerat tona historike, kulturore dhe kombëtare. / KultPlus.com