24 Tetor, 2020 - 11:04 pm
Suada Qorraj
Pasqyrë e luftës së fundit në Kosovë, mall, dhimbje e vaj i heshtur, dhunë, kujtime që përndjekin e formësojnë identitetin e pas luftës. Historia e pesë grave që bashkëjetojnë e ndajnë mes vete gëzimet e hidhërimet, secila me tregimin që dallohej nga tjetra, po që në fund të ditës i bashkonte dhimbja, vuajtja, e kaluara dhe e tashmja, por dhe Aga, djali që kërkon babain e tij të zhdukur në luftë. Përmbledhja e pafuqisë njerëzore, Kosovës, e luftës, jehoi shqip më të fuqishmin mesazh, në kryeqytetin e shtetit serb, Beogradin e ‘Mirëdita, dobar dan’, shkruan KultPlus.
Pesë ngjarje që kanë të bëjnë me përplasjen e gjeneratave, mohimin e realitetit, kryesisht me të kaluarën e dhimbshme që vjen si pasojë e luftës së fundit në Kosovë. Shto këtu edhe mendësinë patriarkale, dhe tregimi veç sa vjen dhe merr formë.
Nëntë vjeçari Aga jeton me nënën e tij dhe katër gra të tjera në një fshat të largët malor në Kosovë. Aga përpiqet të fitojë ca para duke shitur cigare, por qëllimi i tij kryesor është kërkimi i babait të tij të zhdukur. E vetmja figurë mashkullore në jetën e tij është Cera, i cili është i vrazhdë e i ashpër, megjithëse kujdeset për Agën i cili është shumë i ri për të kuptuar pse jeton atje me ato gra. Kur ndodhë një urgjencë e papritur, Aga detyrohet të ndihmojë dhe kjo vë në lëvizje një sekuencë ngjarjesh që i zbulojnë atij të vërtetën.
Në një intervistë për KultPlus regjisorja e filmi ‘Shpija e Agës’, Lendita Zeqiraj ka thënë se sonte për të është një natë e madhe, sepse krijimtaria e saj po shfaqet në dy kryeqytetet më të mëdha në rajon. ‘Shpija e Agës’ përballë një publiku serb dhe ‘Gardhi’ përballë publikut në Kroaci.
“Sonte për mua është një natë e madhe, sepse sonte dy filmat e mi të fundit ‘Gardhi’ dhe ‘Shpia e Agës’ do të shfaqen në dy kryeqytetet më të mëdha të rajonit dhe në atë në dy festivale krejtësisht të ndryshme. ‘Gardhi’ garon në mesin e filmave të seleksionuar në One Take Film Festival në Zagreb të Kroacisë, ku edhe është shpërblyer me çmimin “Grand Prix” dhe ‘Shpia e Agës’ e cila poashtu sonte po shfaqet për herë të parë dhe do të jetë premierë në Serbi në kuadër të festivalit ‘Mirëdita, dobar dan’ në Beograd”, ka thënë Zeqiraj.
Tutje ajo ka shtuar se është mjaft kurioze të dijë se si do të priten filmat e saj dhe cili do të jetë reagimi i publikut. Zeqiraj ka theksuar se publiku i filmit ‘Shpia e Agës’ është i veçantë sepse filmi shfaqet për herë të parë në kuadër të një festivali politiko – kulturor.
“Gjithmonë jam kureshtare ta di se si priten filmat e mi nga publiku, sepse çdo reagim i publikut është një lloj kalibrimi për mua. Por publiku i natës së sotme është i veçantë për shkak se filmi im shfaqet ne kuadër te festivalit politiko-kulturor Mirëdita, dobar dan”, ka shtuar regjisorja.
Kurse për aktoren, Shengyl Ismaili, shfaqja e këtij filmi është një ndjenjë shumë e veçantë sepse filmi trajton një temë shumë te ndjeshme
“Ndjenjë shumë e veçantë, unë veç kam pasur më herët premierë në Beograd me teatër para 6 viteve por që qenka jashtëzakonisht interesant me pasë edhe premierë të filmit, sidomos tu e marrë parasysh temën e filmit që është një temë jashtëzakonisht e ndjeshme”, ka thënë Ismaili për KultPlus.
‘Shpija e Agës’ u mirëprit me duartrokitje në sallë nga të pranishmit. ‘Mirëdira, Dobar Dan’ natën e sotme shënoi përfundimin e edicionit të tij shtatë./ KultPlus.com