Bebe Rexha angazhohet me rol në filmin “Queenpins”

3 Nëntor, 2020 - 12:24 pm

Këngëtarja 31-vjeçare me prejardhje shqiptare, Bebe Rexha, e ka fituar një rol në filmin e ardhshëm “Queenpins”.

Kështu, ajo e shënon debutimin në film të metrazhit të gjatë duke luajtur në projektin e zhanrit krim dhe komedi, ku përveç Rexhës luajnë edhe aktoret yje, Kristen Bell dhe Leslie Jones.

Në filmin e studios “STXfilms”, Bebe do të portretizojë një eksperte kompjuterësh të quajtur, Tempe Tina, transmeton Koha. Ngjarja e këtij projekti shtjellohet rreth dy grave amvise, të portretizuara nga Bell dhe Jones, të cilat e krijojnë një skemë kuponësh të falsifikuar e cila rritet në një sipërmarrje kriminale prej 40 milionë dollarësh.

Filmi thuhet se ngjason me projektet e kaluara kinematografike, “Thelma & Louis” dhe “I, Tonya”, si dhe bazohet në ngjarje të vërtetë.

Adam Fogelson, kryetari i studios “STXfilms Motion Picture Group” citohet të ketë thënë: “Ky është një film I përkryer për Bebe Rexhën që ta shënojë debutimin e saj në aktrim. Ajo është një talent i jashtëzakonshëm dhe një yll ndërkombëtarë i muzikës, të cilën e kemi pëlqyer shumë për portretizimin e rolit të Tempe Tina, një hakere e çuditshme kompjuterësh e cila i ndihmon protagonistet tona në misionin e tyre. Ne e dimë se ajo do ta pasurojë këtë project dhe do ta bëjë punën sa më argëtuese, falë talentit dhe personalitetit të saj të veçantë”.

Skenarin dhe regjinë e filmit do ta bëjnë çifti i martuar, Aron Gaudet dhe Gita Pullapilly, dhe në të pritet të luajnë edhe aktorët Vince Vaughn dhe Paul Walter Hauser.

Bebe Rexha në të kaluarën ka bashkëpunuar me studion “STXfilms”, duke e huazuar zërin për një personazh të filmit të animuar të vitit 2019, “Ugly Dolls”.

Ylli i hitit “I’m A Mess” përveç se ka qenë shumë e zënë gjatë karantinës për të krijuar muzikë të re, po ashtu së fundmi ka folur për jetën e saj personale duke thënë se po ndihet shumë me fat që e ka gjetur dashurinë e sinqertë, tek i dashuri i saj aktual Keyan Safyari. / KultPlus.com

Të ngjajshme