4 Nëntor, 2020 - 10:56 am
John Sessions, më së miri i njohur për punën e tij si panelist në shoun improvizues humoristic “Whose Line Is It Anyway?”, ka vdekur në moshën 67-vjeçare.
Aktori dhe komediani i njohur vdiq nga një sëmundje e zemrës. Kështu ka bërë të ditur agjenti i tij, Alex Irwin, gjatë konfirmimit të lajmit.
“Me trishtim të madh ua konfirmojmë lajmin se të hënën më 2 nëntor, aktori John Sessions vdiq në shtëpinë e tij në Londër. Ai do të na mungoj shumë të gjithëve”, shkruhej në komunikatën për media.
I lindur me emrin John Marshall në Largs të Skocisë në vitin 1953, Sessions e gjeti famën me rolin e tij në serinë satirike “Porterhouse Blue” të kanalit “Channel 4”, para se ta shfaqte talentin e tij të jashtëzakonshëm në shoun humoristik “Whose Line Is It Anyway?”, transmeton Koha.
Ai po ashtu shquhej për punën në serinë televizive komike, “Stela Street”, e cila fliste për megayjet e hollywoodit Keith Richards, Joe Pesci dhe Roger Moore, si dhe për huazimin e zërit për disa personazhe të shout të njohur satirik në Angli, “Spitting Image”.
John Sessions gjithashtu ishte pjesë e panelit të emisionit me lojëra “QI”, duke u shfaqur në çdo episod të transmetuar si dhe ka luajtur në filma të shumtë të tillë si, “Gangs Of New York”, “Five Children And It” dhe “Henry V”.
Menjëherë pas publikimit të lajmit për vdekjen e Sessions, aktorë dhe komedianë të shumtë i pushtuan rrjetet sociale me mesazhe ngushëlluese, duke e lavdëruar atë për talentin e jashtëzakonshëm dhe kontributin në skenën e komedisë në Britani të Madhe. / KultPlus.com