6 Korrik, 2017 - 3:50 pm
Artisti Petrit Halilaj sot i ka falenderuar të gjithë që kanë kontribuuar në punën e tij artistike, pasi dje ka marrë çmimin Mario Merz Prize.
Halilaj, në Instagramin e tij, ka shkruar se është i nderuar që e ka marrë këtë çmim.
“Jam shumë i lumtur për Mario Merz Prize! Falenderim për jurinë dhe Fondacionin Merz, ndërsa jam i kënaqur dhe mezi po pres të punoj në dy projektet e vitit tjetër” ka treguar Halilaj.
Halilaj dje ka qenë fitues i çmimit të madh artistik duke lënë pas katër artistë të tjerë të nominuar për këtë çmim, shkruan KultPlus.
“Falënderoj edhe dy galeritë – Chert Luedde dhe KamelMennour të cilat më kanë mbështetur, faleminderit votuesve dhe të gjithë atyre që më mbështetën” ka shkruar Halilaj, i cili jo shumë kohë më parë morri mirënjohje speciale edhe në Bienalen e Venecias në Itali, për pjesëmarrjen e tij në ekspozitën Viva Arte Viva.
Mario Merz ishte artist i madh italian, dhe ky çmim mban emrin e tij, për të kujtuar punën dhe veprën e tij dhe për të promovuar artistët e rinj evropianë që premtojnë.
Artisti ka përfunduar studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Milano të Italisë, ndërsa ka ekspozuar në Prishtinë, Bon, Koln, Cologne, Paris etj. Disa nga ekspozitat personale të Petrit Halilaj janë “Who does the earth belong to while painting the wind?” (2012), “Kunstraum Innsbruck” (2011), “Beck to the Future” (2009), ndërsa nga ato grupore mund te veçohen “Temoranea”, “Ernste Tiere”, “Ostalgia”, e të tjera. / KultPlus.com