Meksika i kërkon sqarime dizajneres franceze për kreacionet me motive indigjene

6 Nëntor, 2020 - 10:20 am

Ministria meksikane e Kulturës ka vënë në pikëpyetje përdorimin e motiveve të komuniteteve indigjene meksikane nga dizajneria franceze Isabel Marant, duke bërë kështu ankesën e fundit të qeverisë mbi brendet e modës që po përvetësojnë stile lokale.

Sipas ministrisë, koleksioni i mbramë i Marantit, përfshirë një pelerinë të gjatë me vija e dizajne me shoka me ngjyra në të hirtë e të kafenjtë, përfshin elemente nga populli Purepecha në Meksikë, transmeton KOHA shkrimin e Reuters.

“Ju kërkojmë juve, zonja Isabel Marant, të sqaroni publikisht se me çfarë të drejte privatizoni një pronë kolektive…dhe si përfiton komuniteti krijues i saj”, ka thënë ministrja e Kulturës, Alejandra Frausto, në letrën e nisur në adresë të dizajneres.

“Disa simbole që ju morët kanë kuptime të thella për këtë kulturë”, ka thënë Frausto, duke bërë thirrje për mbrojtje të artizanëve që historikisht ishin të “padukshëm”.

Kompania “Marant”, Isabel Marant, nuk i është përgjigjur menjëherë kërkesës për të dhënë sqarime. Webfaqja e brendit të njohur thotë se është e përkushtuar për sjellje etike e të përgjegjshme.

Më 2015, kompania ishte akuzuar ngjashëm për përfshirjen e dizajneve nga shteti jugor i Meksikës, Oaxaca.

Vitin e kaluar Meksika kritikoi dizajneren venezueliane Carolina Herrera dhe shtëpinë franceze të modës “Louis Vuitton”, për përdorim të motiveve tradicionale në dizajnet e tyre, pa kurrfarë konsiderate ndaj njerëzve që i krijuan ato. / KultPlus.com

Të ngjajshme