6 Nëntor, 2020 - 4:26 pm
Medina Pasoma
Muzika klasike ishte një përditshmëri në familjen e saj andaj ajo vendosi që lidhjen me muzikën klasike ta forcojë duke u lidhur ngushtë me pianon. Gishtërinjtë e saj krijuan melodi që nga shkolla e mesme e deri te studimet pasuniversitare, ndërkaq Adea Badivuku pritet t’i sjell tinguj publikut duke lansuar albumit e saj të parë, shkruan KultPlus.
Ishte e vogël në moshë por jo edhe për art, atëherë kur i lindi dëshira për piano. Nga një pasion për ushqim të shpirtit, dikur ajo vendosi që muzikën ta ketë edhe drejtim studimi, kur u bë nxënëse në bankat e shkollës së mesme të muzikës ‘Prenk Jakova’, e pastaj studente e Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës dhe me gradimet tjera akademike në Universitetin Qendror të Michigan-it në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aty edhe ku punon si asistente e diplomuar.
Gjithë këtë rrugëtim artistik dhe detajet e publikimit të albumit të saj të parë ‘ADE Duo’ e cila është në bashkëpunim me artistin Deniz Caglarcan, Adea vendosi ta ndaj me KultPlus.
‘Qysh në moshë të vogel, kur isha 5 vjeçe lindi interesimi im për të luajtur në piano, e me përkrahjen e vazhdueshme të prindërve dhe të familjes ëndrra u bë realitet’’, nis rrëfimin e saj Adea Badivuku.
Nga ky moment pianoja u bë pjesë e pandashme e jetës së saj, duke nisur me performanca kur ishte 7 vjeçare dhe për ta kthyer këtë në një udhëtim të bukur përplotë 18 vite.
‘’Piano dhe muzika klasike tashmë janë pjesë e rutinës ditore dhe burim i pashtershëm i kënaqësisë për mua’’, shprehet Badivuku.
Në anën tjetër ‘’ADE Duo’’ është albumi i parë i Adeas i përbërë nga gjithsej 10 këngë, teksa është një gërshetim mes tingujve të dala nga pianoja dhe viola.
‘’Albumi përmban cover të këngëve të njohura të muzikës pop, jazz dhe klasike të transkriptuar nga ne për piano dhe violë’’, thotë Adea.
Përderisa kjo përmbledhje veprash është bashkëpunim i Badivukut me violistin, kompozitorin dhe dirigjentin nga Turqia, Deniz Caglarcan, ata vendosën që edhe emërtimi të rrjedh nga ta. ‘’ADE’’ është gërshetim i dy shkronjave të para të këtyre artistëve, teksa ‘’Duo’’ nënkupton bashkëpunimin e tyre në çift.
Ideja për albumin i cili pritet të lansohet në fillim të vitit të ri kishte lindur gjatë kohës kur e gjithë bota ishte në një izolim total dhe kishte rastin të vlerësonte domosdoshmërinë e artit në jetërat tona. Kështu, edhe këta dy artistë muzikën e panë si rrugëdalje.
‘’Ideja për të realizuar albumin ka lindur gjatë kohës së pandemisë duke përshkuar mesazhin se edhe atëherë kur gjërat nuk shkojnë si deshirojmë, muzika është shpresë për ne’’, vlerëson Badivuku.
Një bashkëpunim i cili zgjati 4 muaj kishte synimin e krijimit të muzikës së bukur dhe ndarjes së saj me të tjerët, në mënyrë që thellësia e artit të depërtoj te gjithsecili. 10 këngët e albumit ‘’ADE Duo’’ do të lansohen së shpejti dhe dëgjuesit do të kenë rastin t’iu qasen në platforma të ndryshme. / KultPlus.com