8 Nëntor, 2020 - 3:07 pm
Vjena, kryeqyteti i Austrisë, luajti një rol me rëndësi në kulturën e shumë popujve që ishin në përbërjen e monarkisë Austriake, por edhe të popujve të tjerë të kontinentit.
Shqiptarët, si popull i vogël, por me kulturë të lashtë, ishin gjithnjë pikë interesimi e shumë shkencëtarëve evropianë, ku dallohen në veçanti ata nga hapësira gjermano- folëse. Këtu duhet përmendur dokumenti i vjetër me fjalë të shkruara nga shqipja, fjalori i gjermanit Arnold Von Harfit para pesë shekujsh, i cili merret si njëri nga burimet e vjetra të gjuhës shqipe.
Vjena duke qenë si qendër e kulturës dhe politikës evropiane, edhe shqiptarët ishin të interesuar për shkollim në universitetet austriake e veçanërisht në UN-Vjenës, si njëri nga më të njohurit jo vetëm në Evropë.
Ndjenja e miqësisë e shprehur nga vendasit ndaj kulturës e historisë shqiptare bëri që Vjena të jetë një qendër me peshë në historinë tonë dikur dhe në historinë tonë më të re.
Emra të njohur të shkencës kanë ndihmuar edhe në shumë fusha hulumtuese rreth gjuhës, kulturës dhe etnisë shqiptare.
Njëri nga këta, pa dyshim, është Norbert Jockli, albanolog dhe Franz Nopca, ndër të parët themeltarë të albanologjisë si shkencë. Veprimtari i njohur Dr. Gjergj Pekmezi me iniciativën e tij në Institutin e Orientalistikës së Vjenës hapi katedrën e gjuhës shqipe (viti 1903) njëra nga të parat në Europë dhe në botë, ku do studiohej gjuha shqipe. Ai ishte edhe nga të parët ligjërues të gjuhës shqipe në UN-e Vjenës deri në vitin 1938.
Në dhjetëvjetëshit e parë të shekullit të kaluar në Vjenë studionin e vepronin shumë intelektualë shqiptarë ndër ta figura të njohura të kulturës e shkencës shqiptare.
Në atë kohë ata ishin të organizuar kryesisht në shoqërinë “Albania”. Emra që kanë lënë gjurmë në historinë tonë si: Eqrem Çabej, Hil Mosi, Lasgush Poradeci, Aleks Buda, Aleksander Moisiu, Nush Bushati, Fuad Asllani, Jani Basho, Raku Buda, Remzi Baçe, Safet Butka, Gjovalin Gjadri, Kristë Maloki e shumë të tjerë.
“Albania” e Vjenës krahas shoqërive simotra nga Bukureshti, Stambolli, Bostoni, Kajro etj. do të ketë një rol historik në formësimin e kombit shqiptar dhe aspiratave kombëtare. Kjo shoqëri studentore mblidhte rreth vetes studentët shqiptarë ( rreth tridhjetë), por edhe atdhetarët e miqtë tjerë në aktivitetet me rëndësi kombëtare.
Dy vjet pas formimit të shoqërisë studentore “Albania” , në mars të vitit 1920, kjo merr vendim për nxjerrjen e revistës së saj “Djalëria”, numri i parë i së cilës e sheh dritën në prill të po atij viti. Tani e më shumë se nëntëdhjetë vjet më parë, kjo revistë përhapi dije, informata nga kultura, nga jeta e studentëve në Vjenë, pjesë letrare, ide të zhvillimit ekonomik sipas modelit të zhvilluar të shteteve evropiane
Pa dyshim revista “Djalëria” u bë tribunë e botimeve të studiuesve shqiptarë, por edhe e të tjerëve. Pas gati një shekulli, kur në kohën e lindjes së revistës së ,”Djalërisë” studionin në Vjenë disa dhjetëra studentë shqiptarë, tani numri i tyre është diku rreth 700 student në të gjitha drejtimet.
Shpata dhe përkrenarja origjinale e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, janë në Vjenë dhe ende nuk mund të ekspozohen në muzeun Historik të Tiranës. Është e vështirë që një gjë e tillë edhe të ndodhi pasi nuk është e lejuar nga drejtuesit e muzeut të Artit të Historisë në Austri, ku janë armët origjinale të Skënderbeut. Këto pjesë origjinale të kryetrimit tonë qëndrojnë këtu prej më shumë se 300 vjetësh.
Aleksandër Moisiu, (2 prill 1879 – 22 mars 1935) vdes në moshën 56-vjeçare prej sëmundjes së rëndë të tuberkulozit. I magjishmi i skenës, që fitoi zemrat e publikut me rolet e interpretuara i patën pikërisht këtu fillesat e para, në teatrot e Vjenës të asaj kohe. Shqiptar, qytetar i botës, ky ishte Moisiu, që korrte suksese njëra pas tjetrës në skena të mëdha botërore. Në atë kohë ishin vite të artistëve të mëdhenj.
Talenti, mënyra e të jetuarit, skandalet, dashuritë, xhelozitë, i bashkonin të gjithë, megjithatë Moisiu konsiderohej më i madhi. Interpretim i paarritshëm, një mimikë që fliste më shumë se fjalët, sy të thellë sa një oqean dhe një zë. Ai është Aleksandri i madh i Shqipërisë, pushtuesi i skenave të botës.
Ishte ai që theu rregullat e ngurta të teatrit dhe interpretoi në mënyrën më të mirë të mundshme veprat e emrave të njohur të letërsisë botërore.
Këtu duhet theksuar edhe botimin e disa numrave të revistës Universitas, si organ i Shoqërisë së Studentëve nga Maqedonia në Vjenë për disa vite me radhë.
Në këtë qytet janë të vendosur edhe një numër i madh i mërgimtarëve shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare që janë integruar në sistemin e jetës së këtij qyteti paralelisht me kohën.
Përgatiti: Albert Vataj. / KultPlus.com