Muzeu Historik Kombëtar u bë bashkim i ekspozitës dhe promovimit të librit me peshë të veçantë historike

19 Nëntor, 2020 - 8:56 pm

Në Muzeun Historik Kombëtar në bashkëpunim me Ambasadën Franceze përgjatë ditës së sotme u organizua ekspozita “Në Lindje, lufta pa fund 1918-1923’’ dhe u promovua libri “Shqipëria në reportazhet e Robert Vaucher” nga Dorian Koçi, shkruan KultPlus.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Elva Margariti, zyrtarë nga Ambasada Franceze në Tiranë si dhe të interesuar të tjerë.

Ministria e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se muaji nëntor nuk mund të kuptohet pa këto lloj aktivitetesh sidomos në hapësirat e Muzeut Historik Kombëtar.

Ekspozita “Në Lindje, lufta pa fund 1918-1923’’ shfaqi zëvendësimin e vështirë të perandorive të vjetra nga shtetet e reja kombe, shoqëruar me ndryshime të rëndësishme kufijsh, sidomos nëpërmjet konflikteve të ndryshme, revolucioneve dhe kundër-revolucioneve gjatë periudhës së rindërtimit të Evropës Lindore dhe të Lindjes së Afërt

Në anën tjetër, përmbledhja “Shqipëria në reportazhet e gazetarit Robert Vaucher” ishte botim i shtëpisë botuese “Papirus”, me financimin e Ministrisë Franceze të Europës dhe të Punëve të Jashtme dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Ky libër i Koçit, u vlerësua nga Alda Bardhyli  se hap gjerësisht rrugën për një histori sociale të ballafaqimit të kulturave dhe mentaliteteve shtetformuese gjatë Luftës së Parë Botërore në Shqipëri. / KultPlus.com

Të ngjajshme