25 Nëntor, 2020 - 2:19 pm
Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj), në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje të Mirë (ZQM), me qëllim të zbatimit të Ligjit Nr. 05/L-021 për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Ligjit Nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore, e ka përpiluar Politikën kundër ngacmimit seksual në administratën publike në Kosovë, e cila sot u nënshkrua nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti.
Politika kundër ngacmimit seksual në vendin e punës në Kosovë kontribuon fundamentalisht në mbrojtjen e barazisë gjinore si vlerë themelore e zhvillimit demokratik të shoqërisë dhe shtetit të Kosovës, me synim të ndalimit të çdo forme të veprimit që çon në cenim të dinjitetit personal të secilit/ës të punësuar në administratën publike. Kjo Politikë paraqitet si domosdoshmëri e implementimit të direktivave të Bashkimit Evropian, të cilat kërkojnë nga institucionet tona plotësim të kritereve të këtij konteksti jashtëzakonisht të rëndësishëm gjatë procesit të integrimeve evropiane.
Qëllimi i Politikës kundër ngacmimit seksual në administratën publike në Kosovë është që të shërbejë si orientim strategjik dhe instrument konkret në ndërtimin e një mjedisi të punës ku parandalohet dhe sanksionohet secila formë e ngacmimit seksual.
Qendra Kosovare për Studime Gjinore e vlerëson maksimalisht bashkëpunimin dhe kontributin e Zyrës për Qeverisje të Mirë dhe Zyrës së Kryeministrit, si dhe zotimin për zbatimin e kësaj Politike.
Politika kundër ngacmimit seksual në vendin e punës në Kosovë, e aprovuar sot nga Kryeministri Hoti, është nismë e iniciuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje të Mirë, që prej vitit 2008, me mbështetje financiare të USAID. / KultPlus.com