28 Nëntor, 2020 - 11:10 am
Ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi ka publikuar një fotografi pranë pamjes së re të këtij institucioni kulturor, duke shprehur urimet e saj për 28 Nëntorin, shkruan KultPlus.
Dumoshi në foton e publikuar nga faqja zyrtare e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit duket pranë flamujve kuq e zi që kanë zbukurar hyrjen e këtij institucioni, teksa ka bashkangjitur edhe urimin e saj për festën kombëtare.
KultPlus ua sjell të plotë deklaratën e Dumoshit:
PËR 28 NËNTORIN – FESTËN E FESTAVE
Si sot, 108 vjet më parë, kombi ynë shqiptar, me vullnetin, zërin dhe forcën e përfaqësuesve nga të gjitha trevat etnike ku pati shqiptarë, shpalli pavarësinë, duke e bërë Shqipërinë të barabartë me kombet e tjera moderne evropiane.
Ndonëse për vite me radhë shqiptarët padrejtësisht mbetën jashtë kufijve të imponuar, me sakrifica arritën të ruajnë të shenjtë gjuhën, traditat dhe Flamurin kuq e zi.
28 Nëntori është dhe më kuptimplotë për ne shqiptarët e Kosovës meqë lidhet me ditëlindjen e Komandantit legjendar Adem Jashari i cili bëri kthesën e historisë së re e Kosovës.
Sot kur gëzojmë lirinë e munguar ndër shekuj, me të drejtë, si shqiptarë në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni e Diasporë mund të konsiderohemi qytetarë të denjë europianë, të shquar në mikpritje, empati, maturi, përgjegjësi dhe dashuri për njëri tjetrin.
Patriotizmin sot e tregojmë më së miri duke qenë qytetarë të ndërgjegjshëm, që shtetin e kanë shtëpi, detyrë e përgjegjësi.
Gëzuar 28 Nëntorin!
Nder të përjetshëm baballarëve, martirëve e të rënëve!
Vlora e Kosovës . / KultPlus.com