Nis kampanja për grumbullimin e mjeteve nga Vjosa Foundation, synon kushte më të mira për fëmijët autik

3 Dhjetor, 2020 - 6:01 pm

Nisma e Vjosa Foundation për ndërtimin e 30 kampuseve  në Prishtinë për personat autikë ka filluar sot grumbullimin e mjeteve financiare nëpërmjet platformës Go Found Me, shkruan KultPlus.

Në ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të veçanta, Lulzim Behxheti si themelues i fondacionit ka filluar dalë ngadalë ta jetësoj planin e tij të kahmotshëm, e që do të nis fillimisht me ndërtimin e 30 shtëpive në periferi të Prishtinës.

“Misioni ynë përbëhet nga fushata të shumta, e para prej të cilave ka një qëllim prej 10 000 €. Paratë përdoren për të realizuar projektin për Kampusin tonë të parë – ne do të sigurojmë funksionalitetin dhe cilësinë e ndërtimit të Kampusit tonë duke punuar me arkitektët, dizajnerët, inxhinierët dhe peizazhinjtë më të aftë”, thuhet në njoftimin e iniciativës.

Si themelues i Fondacionit Vjosa dhe Campusit Vjosa, covid 19 e kishte rikthyer arkitektin gjilanas në portrete, të cilat i kishte parë si mundësi për t’i kthyer në ndihmë për personat autikë. Kështu ai kishte realizuar portrete të shumta, gjithmonë duke e pasur qëllimin te jetësimi i Vjosa Campus në Kosovë e Shqipëri. Pikërisht nga sot ai ka filluar të grumbulloj edhe ndihmë materiale nga publiku në mënyrë virtuale.

Për KultPlus, Behxheti ka treguar më parë se emri i vajzës së tij që është autike është Vjosa dhe përvoja e tij me të dhe trajtimin e duhur të saj në shtetin finlandez, ka bërë që Lulzimi të themelojë këtë fondacion, në mënyrë se sikurse ka pas fat vajza e tij për këtë tretman të lartë të shoqërisë finlandeze, të njëjtin ta kenë edhe personat autik në Kosovë.

“Adoleshenca është fazë jo e lehtë edhe për fëmijët autik, andaj kemi menduar ta themelojmë këtë Fondacion, ku do të punojmë në ngritjen e një kampusi prej 30 shtëpive në periferi të Prishtinës, e që do të kenë sistemin finlandez, sistem që do ti ndihmojë përgjatë trajnimit se si të pavarësohen këta fëmijë. Vjosa e jonë i ka gëzuar këto trajnime në Finlandë, dhe pse mos ti gëzojnë edhe fëmijët autik në Kosovë”, ka thënë Behxheti, i cili këto shtëpi do ti ndërtojë nën brendin e kompanisë së tij “BVG Housing”, pasi që, sipas tij, me sistemin dhe përpunimin e drurit që e praktikojnë në kompaninë e tij, për të cilat kanë shkruar shumë medie prestigjioze, janë shtëpi që ofrojnë standard të lartë jetese, sepse janë të shëndetshme, antibakteriale, me cilësi të ajrit dhe shumë benefite të tjera shëndetësore.

Lulzim Behxehti shpreson që për këtë projekt me sistem finlandez ta mbështesë Komuna e Prishtinës, pasi që, sipas tij këto kampuse nuk duhet të ekzistojnë prej ndihmave, por të kenë mbështetje institucionale.

Mirëpo, qëllimi i Behxhetit nuk mbetet i kufizuar vetëm në kryeqytetin kosovar. Ai dëshiron të zgjeroj këto kampuse në mbarë botën, teksa tanimë gëzon mbështetje edhe nga BE dhe OBSH.

Në anën tjetër, përveç institucioneve Vjosa Foundation ka përkrahje edhe nga inidvidë të rëndësishëm. Ambasadorët e kësaj nisme janë aktorja Alea Mehaj, këngëtarja  Erza Muqoli,  pianisti Genc Tukiqi dhe këngëtarja Adelina Ismajli.

Linku ku mund të dhuroni fondacionet e juaja: https://www.gofundme.com/f/vjosa-campus-independent-living-education?utm_source=customer&utm_campaign=m_pd+share-sheet&utm_medium=copy_link_all  / KultPlus.com

Të ngjajshme