8 Dhjetor, 2020 - 4:30 pm
Tregim nga Binak Kelmendi
Bëheshin shumë javë që ti po mendoje gjatë dhe shumë rreth disa shkronjave dhe numrave të skalitur në një gur varri në Kodrën e Varrezave pak sipër katundit Bogë që i kishe parë dhe shikuar sa herë kishe kaluar i heshtur andej. Dhe, në një ditë vere, ti shkove sërish te varri dhe u solle vërdallë tij disa herë.
“Do ta zgjidh këtë dilemë”, i the vetes.
Frynte një erë e madhe dhe ajo e shtrinte pothuajse krejtësisht për toke barin e rritur. Ti e prisje momentin për ta zënë te rrënja gurin e gjatë dhe shpatuk që zbulohej nga fijet e barit që të bëje sa më shumë foto të gurit të varrit. Nuk dëshiroje të shkulje barin rrëzë gurit sepse të dukej se ashtu do të shkulje eshtrat e të varrosurit pranë gurit. Ishte vetëm një gur dhe askund nuk vërehej ngritje dheu afër. Varri ishte rrafshuar me tokë, sikur të mos kishte qenë kurrë.
“E po janë bërë shumë vite që nga varrimi i tij nga ajo kohë”, the më vete duke e zënë me fotoaparat tërë gjerësinë dhe lartësinë e gurit të varrit.
Pastaj u ndale të shikoje fotot dhe t’i analizoje e krahasoje ato me skalitjet e shkronjave dhe të numrave në gurin e ngulur në tokë me barin e gjatë përreth tij,
“Halil Alia Dembogaj”, lexove një për një shkronjat.
“1839-1898”, i bëre bashkë numrat.
Dhe iu qase sërish gurit. Një gur shpatuk, pothuaj i rrumbullaktë sado që mjaft I lartë, rrëzë rrugës me baltë të rrethuar me drunj, paksa i larguar nga varret tjera me gurë të vegjël e të bardhë … E fërkove me duar, pothuaj e ledhatove gurin duke bërë edhe ca foto të tij nga lartë-poshtë.
“…Gjyshin ma kanë vrarë ata, serbët. Ishte afër t’i bënte gjashtëdhjetë vjet. Ata, serbë, nuk e lanë t’i bënte. Gjyshi ishte duke i ruajtur delet, i ka pasur mbi 500 dele, bardhoka, syka, gala… secila më e mirë se tjetra, kur ia behen ata…”.
Ata, babai kështu i quante serbët.
Ti u ndale ta shikoje babanë që fshiu fshehtas sytë për të vazhduar rrëfimin me zërin e dridhur:
“…Vetëm gjyshi kishte mbetur në shtëpi. Në të vërtetë vetëm gjyshi kishte mbetur te vatha sepse shtëpinë dhe çdo gjë tjetër e kishin djegur ata, serbët. Kur e kishin vrarë gjyshin ata, serbët, delet kishin blegëruar të shqetësuara dhe e kishin rrethuar të rrëzuarin dhe kishin filluar ta lëpinin. Ata, serbët, pastaj kishin shtënë edhe në dele sipër gjyshit dhe tri-katër dele kishin rënë mbi trupin e tij. Pastaj ata, serbët. e kishin rrotulluar me këmbë dhe e kishin vërtitur trupin e gjyshit dhe trupat e deleve të vrara kodrinës teposhtë. Trupat ishin ndalur te rrënjët e një panje… Pastaj delet tjera i kishin vënë përpara dhe duke ikur e kishin lënë katundin pasi ua kishin futur flakën të gjitha shtëpive.., Nuk dihet kush, kur dhe si e ka varrosur gjyshin tim. Katundi kishte mbetur pa burra. Thuhet se në atë kohë kam lindur unë, një vit pas vrasjes së gjyshit, apo në vitin që u vra gjyshi. Në vitin 1898”…
-Halil, thirri pastaj babai.
Vëllai i madh u ngrit në këmbë.
-Ti e ke emrin e gjyshit tim, foli babai.
-E di, bëri Halili me kokë.
-Ma sill lahutën!, t’u drejtua pastaj ty.
Ti mezi e hoqe lahutën nga gozhda.
Babai dhe vëllai qeshën: Edhe pak e u rrite, të thanë,
Pastaj babai nisi këngën për Mujin e Halilin.
Ti dëgjoje, Halili i ndihmonte herë pas here me zë.
-Ke zë të mirë, i tha babai dhe Halili të shikoi…
…Në majin e vitit 1999, ti ishte në Tiranë. Refugjat. I dëbuar. I ndjekur. I ikur. Nuk dije si ta quaje veten. Në një natë, duke kërkuar që ta gjeje me tamam se çfarë dhe cili ishe nga ata katër emra, nuk të merrte dot gjumi. Në mesnatë ose dhe më vonë cingëroi telefoni.
-Jam unë, tha zëri përtej aparatit.
-Të njoha, i the. Hë, di gjë për Kosovën, për Pejën, Llabjanin e saj?, e pyete pas pak.
Zëri heshti.
-Folë, di gjë, e lute me përgjërim ti.
-Halilin e kanë vrarë serbët, dhe zëri larg nisi dënesat.
Ti e mbylle me dorë kufjen të mos dëgjoje vajin tutje aparatit. Pastaj e vare kufjen dhe dole në oborr. Shikove qiellin dhe yjet në të. Dhe ia plase vajit.
“Ata. Serbët. Ata. Prapë serbët.Prapë ata. Njëjtë. Pas 101 vjetësh. Vrasje e re e një Halili tjetër. Afër shtëpisë së tij”.
…Pas vrasjes, ata, serbët, ia vunë flakën shtëpisë së Halilit. U dogj çdo gjë, edhe lahuta, edhe fotot e babait. Tri plaka që nga rruga shikonin flakët me shami të hequra nga koka duke mallkuar ata, serbët, u urdhëruan nga ata, nga serbët, të bënin varrimin e Halilit në livadh, sipër shtëpisë së djegur në Llabjan, jo në varrezat e katundit…
Varrimi i dytë i Halilit u bë në gushtin e vitit 1999. Tre muaj pas vrasjes së tij, më 2 maj 1999 dhe dy muaj pas dëbimit, ikjes dhe zbimit të atyre, serbëve.
Ti kishe ardhur nga mërgimi, Alzasi.
Te varri u sollën tri kurora për Halilin: Dy paksa të vjetra dhe paksa të grisura që ishin marrë nga vendi i vrasjes dhe nga varri i parë i Halilit. Kurora e re ishte për varrin e dytë.
-Halili ka qenë i madh, s’e ka zënë vetëm një varr, ngushëlloi dikush.
Nuk pati fjalime atdhetare.
Edhe ti heshte.
Madje nuk i falënderove as pjesëmarrësit e varrimit. Lëshove tre- katër lot në arkivolin që e fshive më pas, hodhe një grusht dhe mbi varr dhe bëre shumë fotografi të dërrasës si piramidë që mbante shënimet për vitin e lindjes dhe të rënies së Halilit mbi varrin me dhe të freskët:
“Halil Ali Kelmendi.”
“1941-1999.”
Bënte vapë dhe bëheshin varre të reja për të vrarët tjerë.
Ti ike duke shikuar përtej bjeshkëve të murrme dhe te varri i sapombuluar.
Dy Halilat rrinin nën dhe, 40 kilometra larg njëri- tjetrit. Dhe ti aty për aty mendove se të vdekurit flasin me njëri –tjetrin. Sidomos Halilat e babait tënd dhe Halilat e tu.
Qajte edhe njëherë dhe pastaj fotot e varreve të dy Halilave i fute në çantë dhe fole më vete: Fatet e dhe emrat e njerëzve përsëritën. Sikur ditët e javës dhe sikur muajt e vitit.
“Sidomos fatet tragjike”, bëre më vete duke i futur fotot e varreve të Halilave në çantë.
“Dy Halilat e mi”, bërtite me tërë zërin.
Të gjithë të shikuan me habi dhe me frikë. T’u duk se thanë: “Qenka çmendur”.
Ti u përgjigje: Të çmend, si nuk të çmend lufta. Sidomos kjo luftë që ka zgjatur 101 vjet, edhe më shumë, madje. Dhe nuk dihet se a do të përfundojë.
Me kokën nga varri i ri, pa shikuar askend, more rrugën për në Prishtinë.
Në Ulpianë, në banesën tënde, sërish u ndeshe me gjurmët e atyre, të serbëve: Aty, ata, serbët, kishin grisur shumë libra, i kishin lënë pa kopertina nëpër dysheme dhe kishin marrë çdo gjë tënden. Edhe kompjuterin ku e kishte pasur të skicuar pemën e familjes tënde me dy Halilat dhe shumë të tjerë të vrarë nga ata, nga serbët…
Nga përmbledhja me tregime “Dritat e Luftës” që së shpejti del nga shtypi./ KultPlus.com