11 Dhjetor, 2020 - 2:50 pm
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka shkarkuar 6 anëtarë të Këshillit Drejtues të Galerisë Kombëtare të Kosovës të cilit ishin me mandat 4 vjeçar. Driton Axhani, Xhevdet Pantina, Malbora Krajku, Arjeta Miftari, Enver Hoxha dhe Arlinda Hajrullahu, kanë marrë njoftim përmes emailit për shkarkimin e tyre, ndërsa kryetarja e Këshillit, Zake Prelvukaj i ka mbijetuar këtij vendimi, shkruan KultPlus.
Ndërsa, pa humbur kohë, janë emëruar edhe anëtarët e rinjë të Këshillit Drejtues të GKK-së. Me në krye Zake Prelvukajn, anëtarët e emëruar janë: Blerta Syla-Surroi, Agim Salihu, Shyqri Nimani, Vjosa Sadriu- Hamiti, Bastri Makolli dhe Fatmir Hoxha.
Këshilli i ri tashmë pritet të votojnë për zgjedhjen e drejtorin të kësaj galeria, konkursi për të cilin është hapur më datë 26 nëntor.
Por vendimi që është marrë nga ministra Vlora Dumoshi, ka nxitur reagime tek ish anëtarët e KD-së. Skulptorja Arjeta Miftari ka reaguar përmes një statusi në Facebook duke e quajtur këtë vendim plotësisht politik. Sipas Miftarit shkarkimi ka të bëjë me emërimin e drejtorit të ri të GKK-së.
“Nuk habitem me vendimin, pasi që sikurse çdo gjë tjetër në Republikën e Kosovës edhe ne Galerinë Kombëtare të Kosovës agjendat partiake dhe politike duan të shtynë përpara, ndoshta përbërja aktuale e Këshillit Drejtues është parë si pengesë në këtë drejtim”, shkruan Miftari.
Tutje Miftari shprehet: Kjo formë e shkarkimit ngjason me format e një sistemi që ne nuk e kemi zgjedhur dhe kundërshtuar me dekada të tëra, është fatkeqësi të shohësh vendime të tilla.
Do të isha shumë e lumtur, nëse pjesë e këtij vendimi do të ishte edhe arsyetimi që e ka shtyrë ministren të marr një vendim të tillë. Në të gjitha rastet dhe rrethanat, nëse shkarkimi ka ndodhur si rezultat i mos punës time ose në rastin konkret të mos punës se Këshillit Drejtues dhe e njëjta të argumentohet atëherë, unë nuk do të kisha fytyrë të shkruaja ose reagoja”, shkruan kështu Miftari. / KultPlus.com