13 Dhjetor, 2020 - 9:58 pm
Libri më i mirë i arkitektit Arbër Sadiki është “Arkitektura e ndërtesave në Prishtinë: 1945-1990”, në të cilën trajtohen faktorët shoqëror dhe formësues, shkruan KultPlus.
Qëllimi kryesor i librit është që të përcaktohet një ndërlidhje në mes të faktorëve shoqëror e formësues si dhe arkitekturës së ndërtesave publike të Prishtinës në periudhën kohore prej vitit 1945 deri në vitin 1990.
Për të qenë e mundur të kuptojmë shpirtin arkitekturor të një epoke, ne duhet paraprakisht ta kuptojmë shpirtin shoqëror të së njëjtës. Në qëllim të kësaj, kërkimi fillimisht është përqendruar në shqyrtimin e karakteristikave thelbësore shoqërore, kulturore dhe politike, në mënyrë që më pas të përcaktohet shkencërisht ndikimi i këtyre faktorëve në arkitekturën e ndërtesave publike në Prishtinë përgjatë periudhës së përcaktuar. Kjo nënkupton qasjen analitike ndaj të gjitha rrethanave shoqërore të kohës.
Ndërtesat më domethënëse të kësaj kategorie të ndërtuara brenda periudhës kohore të cilën mbulon hulumtimi, janë valorizuar, sistemuar dhe krahasuar me ndërtesa të së njëjtës periudhë të ndërtuara në qytetet tjera të ish-Jugosllavisë, por edhe më gjerë.
Duke përdorur metoda të ndryshme shkencore në përputhshmëri me fazën e caktuar hulumtuese, është përcaktuar ndikimi i sistemit shoqëror socialist të pas Luftës së Dytë Botërore në arkitekturën e ndërtesave publike të Prishtinës.
Është përcaktuar gjithashtu edhe ndikimi i trashëgimisë arkitekturore të bollshme të Kosovës, në formësimin e arkitekturor të qytetit socialist. Janë identifikuar faktorë specifik shoqëror, të cilët drejtpërdrejtë ose tërthorazi, ndikuan në formësimin e ndërtesave. Gjithashtu është formuluar edhe një qasje metodologjike, e cila në mënyrë të ngjashme mund të përdoret për hulumtimin e ndërtesave të kategorive të tjera funksionale brenda së njëjtës periudhë që përfshinë studimi.
Moderniteti, të cilin e promovonte rendi i ri shoqëror i pas LDB-së, si mënyrë e “përkryer” e të jetuarit, të cilin duhej ta përqafonte dhe manifestonte secili qytetar i “kombit të ri”, ishte në konflikt direkt me mënyrën tradicionale të të jetuarit nga shumica dërmuese e popullsisë së Prishtinës së atëhershme, pa dallim nga përkatësia e tyre etnike dhe religjioze.
Kjo ishte edhe një nga arsyet kryesore për skepticizëm dhe refuzim ndaj modernizmit nga ana e tyre sepse, nëse qytetin e pranojmë si një skenë në të cilën zhvillohen aktivitetet e jetës së përditshme, atëherë qytetarët në fazat e para të modernizimit të qytetit, përfshirë edhe ata që pranuan këtë mënyrë të jetesës si të “përkryer”, silleshin ngjashëm si pjesëtarët e familjes Apel, në filmin “Mon Oncle” (1958) të Zhak Tatisë (Jacques Tati).
Ky studim, në asnjë mënyrë nuk pretendon që kjo fushë është ekzaminuar në tërësi, por paraqet vetëm një pikënisje hulumtuese të një epoke arkitekturore, por je vetëm, të rëndësishme të Prishtinës, plotësisht të pa studiuar deri më tani.
Kjo, na obligon që kësaj teme t’i futemi seriozisht, shkencërisht dhe pa kurrfarë paragjykimi, duke i analizuar dukuritë në raport me kohën që u shfaqën, ideologjinë dhe kulturën, por mbi të gjitha përjetimin njerëzor të arkitekturës. Arkitektura e shfaqur gjatë kësaj periudhe kohore, sot, për dikë mund të jetë pjesë e pandashme e jetës, për dikë mund të jetë akoma e paqartë, por askënd nuk e lë indiferent. Ajo është këtu, në mes nesh, duke paraqitur edhe sot pjesën thelbësore të identitetit të qytetit.
Ky libër ka pasur recensentë Armand Vokshin dhe Kujtim Elezin, teksa është publikuar nën mbështetjen e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës. / KultPlus.com