28 Dhjetor, 2020 - 7:27 pm
Në preokupimin historik në lidhje me prejardhjen e hershme të universitetit, çuditërisht shpesh lind pyetja se kur dhe ku mund të gjendet institucioni më i vjetër arsimor “Alma mater”, që do të quhet “nëna edukuese që i ushqen studentët me njohuri”. Prandaj, a ka vend thënia e njohur “Mesjeta e errët”?!
Shkruan: Islam Qerimi
Edhe pse termi “universitet” ka një origjinë mesjetare, i cili rrjedh nga latinishtja “universitas” ose “universitas litterarum et artium liberalium” që do të thotë “tërësia” ose “tërësia e shkencave“, ai ka ruajtur një vazhdimësi nga antikiteti.[1] Por, universiteti në kuptimin modern nuk ekzistonte në antikitet, por kishte disa qendra arsimore në të cilat ishte përqendruar mësimdhënia universitare dhe të cilat për këtë arsye mund të referohen si universitete. Termi “universitas” definitivisht u përdor fillimisht vetëm për esnafin skolastik brenda një kursi, d.m.th. për komunitetin e studentëve dhe masterëve.[2] Universiteti është një institucion shkencor, me një strukturë mësimore dhe kërkimore që ka për qëllim trajnimin dhe edukimin. Termi “universitet” është përmend për herë të parë në vitin 1221, nga komuniteti i i Universitetit Magjister i Parisit.[3]
Sipas hulumtimeve të bëra nga aspekti historik i paraqitjes së shkollave të para, është arritur të kuptohet se, një popull që jetoi gjatë mijëvjeçarit të 4 para Krishtit ishin Sumerët, të cilët ishin të parët që përvetësuan shkathtësi të shkrimit dhe leximit. Ata kishin imigruar në Mesopotami (Iraku i sotëm). Në atë kohë Sumerianët ishin njerëzit më modernë në botë, kur Evropa Qendrore ende jetonte në epokën e gurit.[4] Fëmijët Sumerë në vitin 2100 para Krishtit mund të mësonin të lexonin dhe shkruanin me shkrim kuneiform. Për ta bërë këtë, ata vizituan të ashtuquajturat shtëpi tryeze (ky ishte emri i shkollave Sumeriane).[5] Kështu u avancuan shkollat e para Sumeriane të cilat u shndërruan në shkolla tempulli për burra të rinj inteligjentë të klasës së lartë, që përfitonin udhëzime në lidhje me kontabilitetin e biznesit në vend të fesë, historisë ose letërsisë. Ashtu si fillimet e shkrimit dhe aritmetikës, institucioni i tillë ishte gjithashtu i orientuar drejt kalimit të tyre në kërkesat praktike të asaj kohe. Shkollat e Sumerianëve ishin shkolla laike, prandaj, që nga fillimi ato ishin qendra të formimit profesional me qëllim të mësimdhënies së shkrimit, leximit dhe aritmetikës.[6]
Por, cilat janë universitetet e para? Një enciklopedi në internet, për shembull, vëren: „… Ka disa polemika në lidhje me atë që është universiteti më i vjetër në botë midis Takshashila, Nalanda dhe Universitetit Al-Azhar… Studentët në Universitetin Takshashila, të themeluar në Taxila, Pakistan (një pjesë e Indisë antike këtë herë) nga rreth shekullit të 7-të para Krishtit, merrnin tituj akademikë pasi kanë mbaruar një nga kurset e shumta të tij. Universiteti Nalanda, i themeluar në Bihar, Indi nga rreth shekulli V para Krishtit gjithashtu u dha tituj akademikë të diplomuarve të tij, ndërsa gjithashtu ofroi kurse pasuniversitare. Universiteti Al-Azhar, i themeluar në Kajro, Egjipt në shekullin e 9-të, ofroi një larmi diplomash pasuniversitare dhe zakonisht konsiderohet si universiteti i parë i plotë.”.[7]
Në këto “vendndodhje universitare” që ndjekej arsimi i lartë dhe si përfundim i këtyre kurseve të studimit, arrihej një shkathtësi studimi (veçanërisht filozofi dhe retorikë), organizimi dhe kohëzgjatja e të cilave natyrisht varej plotësisht nga “studenti” individual. Qendrat e arsimit shkencor ekzistonin në Aleksandria (Museion) dhe Pergamon që në periudhën helenistike, por ato shërbyen më shumë për kërkime të pavarura sesa për studime universitare.[8]
Ndërsa, për dallim nga pikpamjet e autorëve evropianë për universitetet e para evropiane mesjetare, sipas të dhënave për institucionet e arsimit të lartë në Persi dhe Kinë, vijon fjalia befasuese : “Universiteti i parë mesjetar evropian ishte Universiteti i Magnaura[9] në Kostandinopojë (tani Stamboll, Turqi), themeluar në vitin 849 nga perandori Bardas, pasuar nga Universiteti i Salerno (shekulli IX), Universiteti i Bolonjës (1088) dhe Universiteti i Parisit (rreth 1100), shoqëruar më vonë me emrin Sorbonne. “
Fakt i pamohueshëm është që Universitetet më të vjetëra në botë ndodhen në tokën afrikane. Kështu, Universiteti i al-Zaytuna në Tunizi u themelua në vitin 732. Prandaj, mund të quhet i pari në botë. Ky universitet funksion edhe sot në Tunizi.[10] Një tjetër aplikant për postin e universitetit më të vjetër në botë është Universiteti i al-Qarawīyīn në Fez, Marok. Ai mban rekordin botëror Guinness si institucioni më i vjetër arsimor që funksionon vazhdimisht. Ky ishte themeluar në vitin 859.[11] Sipas UNESCO-s dhe Librit të Rekordeve Guinness, ai është universiteti më i vjetër në botë dhe institucioni i parë që jep gradë akademike.[12] Një universitet tjetër në këtë kontinent u themelua në vitin 972 nga Fatimidët Shiitë në kryeqytetin egjiptian Kajro dhe quhet al-Azhar, “shqip: ai që lulëzon“. Ky universitet ishte themeluar për nder të Fatimes, vajzës së Profetit. Universiteti Al-Azhar është ende një nga institucionet arsimore më të respektuara në botën arabe, duke tërhequr studentë nga e gjithë bota.[13]
Ndërsa, origjina e shumë universiteteve mesjetare të Botës Përendimore mund të gjurmohet që nga shkollat e katedraleve së krishterë ose shkollat e manastireve, të cilat u krijuan që në shekullin e VI-të dhe funksionuan si të tilla për qindra vjet përpara se të themeloheshin zyrtarisht si universitete në Mesjetën e Lartë.[14] Kështu, universitetet më të vjetra në Evropë u themeluan në shekullin e XII-të. Prandaj, ato thuhet se erdhën në ekzistencë në një proces gradual, e jo të themeluar. Kështu legistët dhe kanonistët në Bolonjë, artistët dhe teologët në Paris ishin të parët, mjekët në Montpellier, mbase edhe në Salerno, dhe u ndoqën nga studiuesit e disiplinave të ndryshme në Oksford.[15]
Universiteti i parë i Botës Përendimore konsiderohet të jetë ai i Bolonjës (Università di Bologna), i cili u themelua në vitin 1088 (Sot në këtë Universitet studiojnë afër 87.758 studentë në pesë lokacione të ndryshme). [16] Ky Universitet me të drejtë është emërtuar Alma Mater Studiorum. Në këtë universitet shquhej Irnerius Bononiensis (1050 – 1125), i cili ishte jurist dhe në literaturën juridike ai quhet edhe “Shkëndija e së drejtës” dhe themelues i këtij universiteti.[17] Mësimdhënia zhvillohej në latinisht. Gjatë kësaj kohe profesori leksionin u’a diktonte studentëve të tij, pasi mungonin librat. Thuhet se gratë studionin në Bolonjë që në shekullin e XII-të, por në të vërtetë u deshën gati 600 vjet para se një grua të merrte një karrigë ligjërimi, megjithëse atë e arriti së pari në fizikë.
Universiteti i Oksfordit (angl : University of Oxford), llogaritet të jetë institucioni i dytë më i lashtë në Evropë dhe më i vjetri në trollin britanik. Është themeluar në vitin1096. Sot në këtë Universitet studiojnë 24.299 studentë. Ai përbëhet nga 39 kolegje dhe në gjashtë Salla private të përhershme. Der në Nëntor 2019 numëronte 55 nobelistë.[18]
Universiteti i Parisit rangohet në vendin e tretë për nga historiku i themelimit, i cili është hapur rreth viteve 1160 – 1250 (I ndarë në vitin 1970 pas revoltave të studentëve në 13 universitete të pavarura)[19].
Universiteti i Kembrixhit (angl : University of Cambridge) i themeluar në vitin 1208[20] karakterizohet me 90 fituesit e çmimit nobelë.[21] Është karakteristike se në universitetet e Oksfordit dhe Kembrixhit fillimisht studimi akademik ishte i rezervuar vetëm për qytetarët më të pasur.[22] Tani në këtë Universitet studiojnë rreth 20.000 studentë.[23]
Universiteti i Padovës (ital : ‘Università di Padova) ishte themeluar në vitin 1222 nga profesorët të cilët e kishin lëshuar Universitetin e Bolonjës të cilët luftonin për lirinë akademike (Libertas scholastica). Ndërsa, dy vite më vonë ishte themeluar edhe Universiteti i Napolit, i cili njihet si universiteti më i vjetër publik dhe shtetëror në botë.[24] Pra, ky universitet njihet si universiteti i dytë më i vjetër në Itali, në të cilin në vitin 2015 ishin të regjistruar 62,577 studentë.[25]
Universiteti i Coimbra (Lat. Universitas Conimbrigensis) është një nga më të vjetrit dhe më të bukurit në Evropë. Ai u themelua në 1290 dhe është universiteti më i vjetër në Portugali.[26] Në vitin 2015 ishin të regjistruar në këtë Universitet 24,817 studentë.[27]
Sipas “teorisë së traditës”, duhet të ketë një lidhje të drejtpërdrejtë, strukturore midis institucioneve arsimore arabe, bizantine dhe mesjetare të kishës të shekujve XII-të dhe XIII-të.[28] Kështu që miti mbi origjinen e themelimit të Universitetit të Salerno-s “Schola Medica Salernitana” (shekulli IX) në Italinë Jugore, i cili njihet si universiteti parë i mjekësisë, thot se ai ishte themeluar nga katër mjekë, një i krishterë latin, një i krishterë grek, një hebre dhe një mysliman. Prandaj, është e pranuar edhe “Teoria e intelektit” e cila thotë se vetëm interesi shkencor ishte vendimtar në krijimin e një forumi të tillë për zhvillimin intelektual.
Pra, siç u përmendë më lartë zhvillimi i universiteteve evropiane filloi në Itali duke u pasuar nga Anglia dhe Franca. Së pari trajnimi akademik ishte detyrë e sipërmarrjes falas. Kush ndjehej i shkathtë për këtë, themelonte një qendër trajnimi pa ndonjë ndonjë leje të veçantë shtetërore dhe madje pa dëshmi të arsimimit të mëparshëm. Suksesi varej nga Performanca e pedagogut. Në vitin 1158, Perandori Barbarossa kishte nxjerrë dekretin “Authentica Habita“[29] me ç’rast të gjithë mësimdhënësit dhe studiuesit u vënë nën mbrojtjen e Perandorit. Këshilli i III-të i Lateranit i vitit 1179 konfirmoi më pas nga ana e kishes shprehimisht liria e mësimdhënies, vetëm me kufizimin që mësuesi të mos jetë një person moralisht i padenjë dhe mos të përfaqësojë mendime heretike.
Kah fundi i shekullit të XII-të, fakultetet e filozofisë, teologjisë, jurisprudencës dhe mjekësisë në Bolonjë dhe Paris u rritën së bashku në një institucion, një institucion mësimor në ambiente enkas të huazuara me qira, i cili u quajt “universitas“. Pra, themelimi i parë i universitetit u parapri nga ndarja e njohurive në katër disiplina, të cilat shpejt u shënuan me termin latin facultas. Kjo rezultoi në ndarjen e shpejtë institucionale të universiteteve mesjetare në katër fakultete të Arteve, Mjekësisë, Drejtësisë dhe Teologjisë. Tani në këto universitete punonin profesorë të paguar të cilët tani mësonin sipas planprogrameve fikse, teksteve shkollore dhe tarifave të shkollimit. Ky lloj i ri i universitetit kishte një karakter supra-rajonal që nga fillimi dhe të diplomuarit e tij gëzonin njohje ndërkombëtare dhe të drejtën për të dhënë mësim në çdo universitet tjetër.
Për Evropën në veri të Alpeve, u shfaq modeli i “Universitetit Magister” i Parisit i cili po formonte rrugën: nga shkollat shpirtërore që ishin vendosur prej kohësh në Paris, në të cilin Magjistrët morën studentët në shkollën e tyre me iniciativën e tyre dhe për llogari të tyre, dhe përveç mësimit ata shpesh gjithashtu i strehuan dhe i ushqyen. Që nga fillimi, magjistri kontrollonte organet e reja universitare. Në përputhje me parimet e skolastikës, mësimdhënia në universitetet në zhvillim zhvillohej pothuajse ekskluzivisht në dy forma: leksioni (lectio) diskusioni (disputatio). Magjistarët hartuan universitas sipas modelit të esnafit mesjetar si një institucion i vetëqeverisur, i përhershëm i arsimit të lartë. Universiteti i Parisit u bë një nga universitetet e para të themeluar kur Papa Gregori IX. shpalli Bullen Parens Scientiarium (1231).[30]
Për më tepër, kishte vetëm kurse rishikimi dhe teza private që ofroheshin nga Magjistëri përveç kurseve të tyre zyrtare. Në leksione, magjistri prezentonte dhe komentonte tekstet nga ‘autorët’ e ndryshëm. Metoda e dytë e mësimdhënies, e cila u krye në mënyrë rigoroze sipas rregullave të dialektikës aristoteliane, ishte ajo e diskutimit: lektori ose pjesëmarrës të ndryshëm (kundërshtarë dhe të anketuar) vendosnin së pari një pozicion mbi temën e diskutimit (quaestio) duke përdorur argumente të huazuara nga autorët e ndryshëm (teza) dhe pastaj pozicioni i kundërt (antiteza) dhe përpiqeshin të zgjidhnin kontradiktën e dukshme duke unifikuar dhe vlerësuar argumentet në një përfundim, të përmirësuar, para së gjithash, pra për të ofruar një përfundim (sinteza, e quajtur determinatio) që nuk bie në kundërshtim me autorët.[31]
Meqenëse mospërputhjet apo edhe kontradiktat u ngritën kur krahasuan tekstet e autorëve, u miratua metoda e zhvilluar nga Petrus Abelard (1079-1142) sic et non (afërsisht: në një mënyrë apo në një tjetër). Prandaj, sipas Wußing duke u bërë interpretimi dhe unifikimi i thënieve të autorëve të njohur padyshim, kështu u arrit të mësuarit dhe mendjemprehtësia.[32]
Gjithsej 75 universitete u shfaqën në Evropë midis fillimit të shekullit të XIII-të dhe fundit të shekullit të XV-të. Në territoret gjermanofolëse vetëm në mes të shekullit të 14-të sundimtarët nga shtëpitë e Luksemburgut dhe Habsburgut u ndien të detyruar të krijonin universitete në territorin e tyre. Praga ishte qyteti ku në vitin 1348 u themelua universiteti i parë në Perandorinë Gjermane dhe më vonë u quajt “Universiteti i Karlit”. Quhej Universiteti i Karlit pasi ishte themeluar nga Perandori Karli IV (Luksemburg) i cili donte të azhurnonte mbretërinë e tij Bohemiane dhe Papa (Avignon) donte që të garonte me Parisin. Ai sot ka 17 fakultete dhe më shumë se 50,000 studentë, rreth një e gjashta e të gjithë studentëve në Republikën Çeke.[33]
Themelimi i Universitetit të Luksemburgut pati një efekt sinjalizues mbi Dukën Rudolf IV të Austrisë, i cili pak më vonë themeloi Universitetin e Vjenës, në vitin 1365. Me rreth 90,000 studentë dhe rreth 9,800 të punësuar, Universiteti i Vjenës është universiteti më i madh në Austri dhe në vendet gjermanofolëse dhe një nga më të mëdhenjtë në Evropë.[34] Universiteti i Vjenës kishte marrë për model Universitetin e Parisit.
Përveç universiteteve të Pragës dhe Vjenës, Heidelberg ishte universiteti i tretë akademik i themeluar në tokën e Perandorisë Gjermane në 1385. Universiteti Heidelberg ishte i njohur gjithashtu si një universitet i emigracionit sepse mësuesit dhe studentët e tij të parë kishin imigruar nga vende të tjera universitare midis 1378 dhe 1418 për shkak të Skizmës së Madhe. Studentët e këtij Universiteti që prishnin qetësinë e natës, për shembull, përfundonin në burgun studentor të vetë universitetit për ditë ose edhe javë.[35] Gjithashtu, hapja e Universitetit të Kelnit (Köln (1388) dhe Erfurt-it (1379/92) lidhën traditat e tyre të gjata të arsimit të lartë me formën e re të organizimit në mënyrë që të qëndrojnë konkurrues
Në territoret shqiptare Universiteti mesjetar i Durrësit (Lat: Universitas Studiorum Dyrrhachiumu) u hap në vitet `80 të shekullit XIV-të kur sundonte Karl Topia. Ai konsiderohet universiteti i parë mesjetar në Ballkan. Universiteti mesjetar i Durrësit ishte universitet teologjik (Studium Generale). Kur u themelua kishte 9 magjistër dhe 100 studentë. “Ligjëratat janë mbajtur në Pallatin e Kuvendit dominikan të Durrësit”. Në Universitetin mesjetar të Durrësit u promovuan shumë doktorë shkencash dhe u përgatitën shumë teologë që punuan meshtarë, jo vetëm në viset shqiptare, por edhe në Dalmaci (Raguzë, Split, Zarë, Trau etj.), në Itali (Romë, Venedik, Padovë, Breshia, Firencë, Ankonë etj.) Veprimtaria e këtij universiteti u ndërpre në vitin 1501, kur ushtritë osmane pushtuan Durrësin duke shkatërruar edhe këtë institucion të arsimit të lartë mesjetar.[36]
Prandaj, themi se në periudhen mesjetare në qytetet e ndryshme botërore, sidomos në ato evropiane perëndimore janë themeluar universitetet e para, të cilat kanë kontribuar në zhvillimin dhe shpërndarjen e njohurive, si dhe krijimin e shumë degëve të reja shkencore. Mësimi i cili zhvillohej zakonisht në gjuhën latine kishte përparësi të pashmangshme, pasi që në këtë periudhë shkruheshin shumë tekste universitare, prandaj librat e publikuar në degët e ndryshme shkencore ishte e mirëseardhur për të gjithë studentët që studionin në këtë gjuhë. Paralel gjuhes latine përdorej edhe gjuha arabe sidomos në shkencat natyrore, Si rezultat i këtyre njohurive universitare në periudheën mesjetare, u bënë shumë zbulime teknike që kontribuan në zhvillimin e shkencës më vonë, e që ne ende përdorim shumë prej këtyre arritjeve.
E meta kryesore e këtyre studimeve ishte ndërhyrja e Kishes në të gjitha sferat e jetës njerëzore. Të gjitha aktivitetet universitare që binin në kundërshtim me dogmat e krishtera dënoheshin. Megjithatë, në ndryshim nga institucionet e tjera arsimore, ato gëzonin një autonomi të madhe dhe ishin të pajisur me privilegje të shumta.
Duhet përkujtuar në fund se universitetet e para mesjetare zakonisht kishte katër fakultete: juridike, filozofike (teologjike), mjekësore dhe artistike. Pas trajtimit themelor të gramatikës dhe retorikës latine, fokusi ishte në logjikën aristoteliane, metafizikën si dhe filozofinë natyrore dhe morale. Lëndët e tjera si aritmetika, gjeometria dhe muzika mësoheshin vetëm në një masë të kufizuar.[37]/ KultPlus.com
[1] Marian Fussel, Transformationen antiker Wissenschaften von Sonderforschungsbereich Transformationen der Antike. Georg Toepfer, Hartmut Böhme, f. 171. De Greuter.
[2] https://de.wikipedia.org/wiki/Mittelalterliche_Universit%C3%A4t
[3] https://geschichte-wissen.de/blog/geschichte-universitaet/
[4] https://www.morgenpost.de/printarchiv/familie/article143157411/Vom-Tafelhaus-zur-Lehranstalt-Wer-die-Schule-erfunden-hat.html
[5] https://kinder.wdr.de/tv/wissen-macht-ah/bibliothek/kuriosah/bibliothek-wer-hat-die-schule-erfunden-100.html
[6] https://geschichte-wissen.de/blog/geschichte-universitaet/#11
[7] http://www.cwrl.utexas.edu/~bump/OriginUniversities.html
[8] http://www.adel-genealogie.de/Antike2.html
[9] Baza për themelimin e saj ishte shkolla e hershme, e cila u themelua në kohën e Theodosius II. Në burimet historike është referuar më së shumti si Shkolla e Mesme Magnavr. https://de.sodiummedia.com/4040454-the-oldest-university-in-the-world-university-of-bologna-al-azhar-university-al-zaitoun-university
[10] https://de.sodiummedia.com/4040454-the-oldest-university-in-the-world-university-of-bologna-al-azhar-university-al-zaitoun-university
[11] https://magazin.jobmensa.de/die-aeltesten-universitaeten-der-welt-hier-wird-seit-fast-1000-jahren-gebueffelt/
[12] http://www.maghreb-magazin.de/wissenschaft/universitaet-al-qarawiyyin.html
[13] https://www.welt.de/wams_print/article883567/Die-aelteste-Universitaet.html
[14] https://victor-mochere.com/de/top-20-oldest-universities-in-the-world
[15] https://link.springer.com/chapter/10.1007/978-3-642-46135-4_6
[16] https://magazin.jobmensa.de/die-aeltesten-universitaeten-der-welt-hier-wird-seit-fast-1000-jahren-gebueffelt/
[17] https://www.kultplus.com/tag/islam-qerimi/
[18] https://de.wikipedia.org/wiki/University_of_Oxford
[19] https://magazin.jobmensa.de/die-aeltesten-universitaeten-der-welt-hier-wird-seit-fast-1000-jahren-gebueffelt/
[20]https://www.google.com/search?q=university+of+cambridge&oq=university+of+cem&aqs=chrome.4.69i57j46i10i19j46i19j0i10i19i22i30l4.29076j0j15&sourceid=chrome&ie=UTF-8
[21] https://magazin.jobmensa.de/die-aeltesten-universitaeten-der-welt-hier-wird-seit-fast-1000-jahren-gebueffelt/
[22] https://www.college-contact.com/grossbritannien/universitaeten
[23] https://www.cam.ac.uk/about-the-university/how-the-university-and-colleges-work?ucam-ref=global-footer
[24] Liste der ältesten Universitäten im Dauerbetrieb –
https://de.qaz.wiki/wiki/List_of_oldest_universities_in_continuous_operation
[25]https://www.google.com/search?gs_ssp=eJzj4tTP1TcwMrQwzTJg9BIszcssSy0qziypVChITMkvSwQAhmUJ0g&q=university+padova&oq=university+pad&aqs=chrome.1.69i57j46l2j0l2j46i175i199l2.10401j0j15&sourceid=chrome&ie=UTF-8
[26] https://www.idealista.pt/de/news/erasmus-portugal/2019/04/01/268-coimbra-universitaets-und-kulturstadt
[27] https://www.uc.pt/en
[28] https://geschichte-wissen.de/blog/geschichte-universitaet/#11
[29] Emërtimi nën të cilin njihet një kushtetutë perandorake, të cilën Perandori Friedrich Barbarossa shpalli midis 1155 dhe 1158.
[30] https://de.wikipedia.org/wiki/Mittelalterliche_Universit%C3%A4t
[31] Die vier Fakultäten einer mittelalterlichen Universität MAG. RER. NAT. MARTIN THOMASCHÜTZ (AUTOR)
[32] (Wußing, Hans, 2009, 284, 6000 Jahre Mathematik. Eine kulturgeschichtliche Zeitreise – 2. Von Euler bis zur
Gegenwart. Berlin: Springer
[33] https://de.wikipedia.org/wiki/Karls-Universit%C3%A4t
[34] https://www.univie.ac.at/
[35] https://magazin.jobmensa.de/die-aeltesten-universitaeten-der-welt-hier-wird-seit-fast-1000-jahren-gebueffelt/
[36] https://sq.wikipedia.org/wiki/Universiteti_Mesjetar_i_Durr%C3%ABsit
[37] https://www.historisches-lexikon-bayerns.de/Lexikon/Universit%C3%A4ten_(Sp%C3%A4tmittelalter)