7 Dhjetor, 2017 - 9:29 am
Sonte në kinemanë ABC, në Prishtinë, vijnë dy filma shqiptarë të cilët kanë korrur suksese nëpër festivale të ndryshme ndërkombëtare, shkruan KultPlus.
“Dita zë fill”, me regji të Gentian Kocit, është filmi i cili është propozim i Shqipërisë për Oscar. Ky film vjen sonte në kinemanë ABC, në Prishtinë, pra më 7 dhjetor e enjte me fillim nga ora 20:00.
“Dita zë fill”, tashmë është edhe film i çmimeve, pasi që, aktorja e këtij filmi Ornela Kapetani ka fituar çmimin “Zemra e Sarajevës”, si aktorja më e mirë e festivalit, sikurse që ky film ka fituar edhe çmimin ‘Golden Sun’, filmi më i mirë në Cinedays Fest of European Film. Ky film flet për një nënë e cila bashkë me foshnjën e saj vendosin të jetojnë me një grua të vjetër dhe të sëmurë. Në film luajnë: Ornela Kapetani: Suzana Prifti, Hermes Kasimati, Adele Gjoka…
Ndërsa menjëherë pas përfundimit të këtij filmi në kinemanë ABC, vjen filmi horror shqiptar “Bloodlands”. Ky film zë vend në terminin e orës 22:00 në kinemanë ABC, ndërsa shpalos historinë e një gruaje të thjeshtë e cila dhunohet, mbetet shtatzënë dhe stigmatizohet nga banorët e lagjes së saj.
Në këtë film me rolet e tyre luajnë aktorët: Suela Bako, Ilire Vinca, Gëzim Rudi, Emiljano Palali, Alesia Xhemalaj, dhe ky film është prodhim australiano- shqiptarë./ KultPlus.com